Gjilan

Në Spitalin e Gjilanit po trajtohen 89 pacientë të infektuar me COVID-19, apelohen qytetarët për respektim të masave kundër përhapjes së virusit

Gjilan, 17 mars 2021 – Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, nën udhëheqjen e nënkryetarit, Arbër Ismajli, ka mbajtur takimin për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit.

Pas takimit, në konferencën për gazetarë ka folur dr. Ajhane Sefiu, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, dr. Ukshin Ismaili, drejtor klinik në Spitalin e Përgjithshëm dhe dr. Arbenita Hajdari, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në këtë konferencë, u bë e ditur se aktualisht 89 pacientë të konfirmuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, u bë ditur se ekipet e shëndetësisë primare kanë bërë dje 50 vizita në shtëpi të pacientëve të infektuar me COVID-19.

Në emër të Komitetit, ata kanë bërë apelin tek të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat si e vetmja mënyrë e parandalimit të infeksionit e që janë bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe higjiena personale.

Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 15282 mostra, 4221 kanë rezultuar pozitivë, 3775 janë shëruar, 115 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 331 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 89 persona dhe 244 mostra janë në pritje për rezultat.

You Might Also Like