OPINION

Një letër nga Brukseli

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po ndihemi shumë mirë gjatë qëndrimit tonë në Parlamentin Evropian – në Bruksel, si deputete e Republikës së Kosovës, pjesëmarrëse e ftuar në programin studimor, por njëherazi po ndihemi shumë keq që kosovarët fatkeqësisht vazhdojnë të presin edhe deri në 6 muaj vetëm për një termin vize në ambasadat në Prishtinë!

Pjesëmarrja jonë në programin e Parlamentit Evropian, është me rëndësi të veçantë, pasi po realizojmë kontakte me eurodeputetët, si dhe po dëgjojmë shumë informacione lidhur me politikat e BE-së rreth zgjerimit, proceset integruese dhe marrëdhëniet në mes të Parlamentit Evropian me parlamentet nga vendet e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë prezantimeve të panelistëve, ku po merr pjesë edhe euro-deputetja, zëvendës presidente e Parlamentit Evropian, si dhe shumë përfaqësues të rëndësishëm evropianë dhe nga vendet e Ballkanit, ne si deputete e Kuvendit të Kosovës po prezantojmë çdo zhgënjim të qytetarëve të Kosovës, me izolimin prej dy dekadash dhe cënimin e të drejtës për lëvizje në vendet e BE-së.

Ne si deputete, po adresojmë shqetësimin e drejtë të qytetarëve të Kosovës, izolimin e rëndë vetëm të kosovarëve në zonën e Shengenit apo të BE-së, si dhe po adresojmë pyetje që lidhen direkt me liberalizimin e vizave, përshpejtimin e procesit integrues të Kosovës në BE, orientimin e qytetarëve të Kosovës drejt vlerave dhe standardeve evropiane, si dhe zotimin se ne si deputete, do të mbështesim çdo ligj që na ofron në BE dhe me standardet e saj të larta në çdo fushë të jetës. Nga takimet tona, e shohim një përkrahje të madhe të zyrtarëve evropianë për liberalizimin e vizave për kosovarët, por sikur e dini që përgjegjësia finale mbetet edhe në duart e politikanëve të Kosovës, sikurse po na përsërisin në shumë takime.

Programi studimor në Bruksel do të jetë edhe një mundësi shtesë e shprehjes së kërkesave të qytetarëve të Kosovës, për liri të lëvizjes dhe të mos ketë ngecje në proceset integruese të Kosovës, dhe çfarëdo që është në mundësitë tona, do të njoftojmë zyrtarët evropianë me dëshpërimin e një populli më proevropian si kosovarët, për pamundësinë e lëvizjes së lirë!

Me respekt,

Valentina Bunjaku-Rexhepi – deputete e Kuvendit të Kosovës

You Might Also Like