Libri

Një vepër me vlera shumfishta letrare, estetike e filozofike

Para pak kohe, në lokalet e Bibliotekës Ndërkomunale “Fan S. Noli”, në Gjilan, u promovua libri me titull: “2400 AFORIZMA” të autorit Halim Hasani, nga Dobrosini, komuna e Bujanocit. Ishte një promovim mjaft dinjitoz, për faktin se, aty ishin ardhur me dhjetra familjarë dhe të afërm të tjerë të autorit, të cilët, si një, e nderuan këtë eveniment kulturor në Gjilan.

Fillimisht, Arsim Halilil, krijues nga Bujanoci tha se, kjo ditë do të jetë e shënuar jo vetëm për autorin e librit, por edhe për veprimtarinë e tij krijuese, e cila, sivjet, shënon 23-vjetorin e botimit të librit të parë me titull: “Aforizma të kohës” – Prishtinë, (1993). “Edhe kjo ngjarje e sotit po rrumbullakësohet me një “festë” ose përurim të librit më të ri të autorit, i cili, ditë më parë pa dritën e botimit nga Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan. Është kjo një ngjarje tejet e rëndësishme kulturore për autorin dhe librin e tij, sepse, edhe në këtë moshë, ai këtë fushë të dijes po e përcjell me interesim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”.

Sevdail Hyseni, recensent i librit, nga Bujanoci tha se, sot është një ditë e gëzuar, ngase, shënohet 9 prilli Dita e Kushteturës së Kosovës dhe 17-vjetori i Betejës së Kosharës. “Unë shkrimin tim për këtë përurim libri e kam titulluar “Halim Hasani, legjenda e aforizmit shqiptar”. Të paktë janë ata krijues shqiptarë, të cilët iu përkushtuan enkas kësaj forme të të shkruarit, për ta çuar përpara traditën aforistike në historinë e letërsisë shqipe. Dhe, thëniet e bukura e të goditura fuqishëm, një mësim të nxjerrë nga jeta, nga Rilindësit e këndej, po shkruajnë nganjëherë poetë e shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Unë, më këtë rast, do të veçoja një krijues nga Lugina e Preshevës, Halim Hasanin, i cili me pedantëri iu rrek hartimit të aforizmit, të cilën e ka përmbledhur në disa libra, për ta rrumbullakësuar në një të vetme, jo më pak se 2 mijë sish.

Andaj, 2400 aforizma të shkruara nga mendja dhe dora e autorit në fjalë, janë një thesar i pasur i kulturës shqiptare tek ne. Përmes këtyre librave me aforizma, H. Hasani i ka dhënë letërsisë shqipe një frymë të re, një mesazh të qartë për këtë lëmi të artit krijues. Thënë qartë, aforizmat e H. Hasanit e kanë burimin te urtitë popullore, të sajuara nëpër shekuj. Ato në vete ngërthejnë një mësim, një porosi, një këshillë të urtë.

aforizma

Ja psh. “Paqja mbjell lule, e lufta mbjell eshtra”! Apo: “Dikush plaket me mendtë e të riut!”. Etj. Me këto aforizma na del porosia e shprehjes edukative, moralizuese me një gjuhë të pasur e të kulluar shqip, me figura të zgjedhura stilistike, por edhe filozofike. Përdorimi i ironisë, alegorisë, krahasimit, i bëjnë aforizmat e autorit të këndshme për lexim dhe komentim. Andaj, pas çdo aforizmi, në libër do të gjeni përvojën e autorit, i cili me përkushtim ka paraqitur në mënyrë

poetike të kaluarën dhe të tashmen”.

Ndërsa, Nexhat Rexha, krijues nga Dardana, tha se, ky libër më ka rënë në dorë dhe me kënaqësi e kam lexuar nga fillilmi e gjer në fund. “Duke i lexuar këto aforizma të autorit Halim Hasani, jo vetëm që jam relaksuar e këndellur, por edhe kam hyrë në lashtësinë e popullit tim. Këto aforizma më kanë plotësuar atë pjesë të dijes, sepse shënojnë gjëra e ide të rralla në letërsinë shqipe. Gati secila aforizëm e këtij libri ngërthen në vete filozofi jetësore, të cilat na përkujtojnë të madhin shkrimar e dijetar Sami Frashërin, i cili la pas vete të tilla aforizma mendimtare e filozofike. Këto “fraza” arti janë plot me vlera dhe shënojnë ngjarje dhe kohë që njeriu bie ndesh

me të vërtetën. Teksti me të tilla fraza apo aforizma e hijeshon shkrimin dhe mendimin e autorit. Uroj që të tilla libra t’na shkruajë autori H. Hasani”.

Hysen Këqiku, redaktor i librit, në emër të ShB “Kurora”, në Gjilan tha se, kjo fushë e dijes ka shumë libra të tillë, por nuk janë të njëjtë. “Kësaj here, Halim Hasani na del me librin që ka 2400 aforizma, të cilat aforizma janë margaritarë në jetëshrimin shqip. Aforizmat janë yndyra e ushqimit, janë bukuria dhe estetika e të folurit. Këto aforizma shprehin mendime të thella. Por, janë edhe të ngjajshme me fjalë të urta popullore. Filozofia e këtyra aforizmave qëndron tek fakti se japin kuptim parësor e dytësor, ku e shprehin anën figurative të të folurit të njeriut. Edhe tek Sami Frashëri i gjejmë këto aforizma të forta dhe të qëndrueshme, kur ka shtuar: “Ç’na hi në punë mulliri, të cilit i dëgjohet zhurma, po nuk i duket mielli!” Ose filozofi antik, Diogjeni, shton: “Përtype fjalën më shumë se bukën!”

Këto aforizma janë tërheqëse për lexuesin, njëherit edhe mësohen përmendësh për t’u përdour në momente të caktuara. Andaj, autori i këtyre aforizmave jeton me to, flet dhe krijon filozofi tek të tjerët. Njëherit, këto aforizma të këtij libri janë “produkt” i fjalëve të urta që janë të krijuara gjatë shekujve nga gjeniu popullor. Kështu, Halim Hasani është krijuesi i parë i aforizmave nga Kosova Lindore që del me një vepër që ngërthen në vete 2400 aforizma, të cilat “rrëfejnë” ngjarje, dukuri apo edhe fenomene të jetës. Në këto aforizma ka sarkazëm, alegori, por ka edhe krahasime e personifikime.

Këtu qëndron vlera e tyre estetike e artistike. Ato si të tilla nuk mënjanohen, por përherë e rrisin vlerën e tyre në momente të caktuara gjatë të folurit apo ligjërimit. Ja disa aforizma të H. Hasanit: “Toka sillet rreth boshtit të vet, bota rreth interesit”. Apo: “Kush punon me zemër, nuk punon për emër”/”Më mirë loti i vatrës se sa loti i baltës”, “Botën e ndriçon dielli, kokën e njeriut dituria”. Apo: “Mos e hudh farën në arë të huaj, se e humb identitetin”. Kjo është metafora e aforizmit, e cila godet dhe kthjellon “gjendjen” e secilit njeri në bashkëbisedim e veprim. Andaj, krijuesit e ndryshëm, që merren me hartime letrare e eseistike, ata përdorin të tilla aforizma për ta hijeshuar art-shkrimin e tyre”.

Vesel Bojku, poet nga Dardana tha se, unë mezi pres ta lexoj veprën në fjalë, e cila, siç u prezentua nga disa parafoës, vepra në fjalë qenka me vlera dhe ia vlen të lexohet. “Këtu ka filozofi, por ka edhe estetikë e art letrar. Vetëm gjeniu popullor i ka krijuar dhe me të tilla fraza apo aforizma e ka rrëfyer jetën e tij karshi kundërshtarit. Autorit i uroj shumë suksese!”

Zeqir Fazliu, poet gjilanas, tha se, autorit i uroj shëndet dhe vepra të tjera.”Arti nuk njeh kufij. Kush di, le të krijojë. Kjo rrugë është e “shenjtë” dhe ka vlera”. Ramadan Mehmeti, arsimtar tha se, duke i dëgjuar folësit për librin e H. Hasanit, përfitova mjaft fjalë të këndshme për librin e autorit në fjalë. “Autorit i uroj shëndet dhe vepra të tjera.

Në fund, Halim Hasani, autor i librit tha se, kur kam filluar të shkruaj të tilla aforizma në vitet ’90-ta, sikur në vete nuk isha i sigurt se po krijoj diçka të bukur apo “përralla” e jo diçka estetike. “Dhe, herë pas herë kam shkruar duke i vjelur të tilla aforizma, të cilat edhe i kam “krijuar” ashtu si do të duhej të ishin ato. Besoj, ia dola fundit me vepra të tilla. I falenderoj disa nga krijuesit, të cilët më kanë nxitur dhe më kanë përkrahur gjer në fund që t’ mos ta ndali krijimtarinë time në këtë fushë të dijes. Ata si sot më inkurajuan e më thanë: “Krijo gjer sa të jetosh e mos u ndalë”. Krijova dhe kjo punë po vlerësohet dhe po kurorëzohet me veprën time “2400 aforizma”, që ka 381 faqe tekst. Ju falemnderit!” Tefik Selimi

You Might Also Like