Libri

Njeriu sot idealizmin e ka zëvendësuar me makiavelizëm

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit“, prezantojmë poetin e shquar nga Gjilani, Xhevat Latifin, fitues i disa çmimeve letrare, poezia e të cilit është përfshirë në disa antologji dhe është përkthyer në disa gjuhë.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Përpara çdo veprimi pyes veten, pse? Dhe pas veprimit pyes veten si ndihem? Subkoshienca do të ma tregojë vetë pasi kam bërë pyetjen e dytë- a jam në rrugën dhe vibrimin tim? Çdo qenie ka një rrugë për të ndjekur në këtë jetë. Dhe kjo pyetje të ndihmon të kuptosh a je në të vërtetin apo po mundohesh ti shmangesh..!? Pyetjet që njeriu i bën vetes janë shpeshherë një proces që ndryshojnë, ato ndryshojnë me pjekurinë, përgjegjshmërinë, me qartësinë e mendimit, me përgatitjen për ta njohur veten. Njeriu pyetjen themelore ka: Përse jam këtu në këtë jetë? Ndodh që e shmang këtë pyetje për arsye se njeriu e ka të vështirë të takohet me veten e vet, nuk preferon shumë të flasë me veten përmes pyetjesh, madje mund ti kalojë gjithë jeta pa dëshirën për t’u takuar me veten, apo pa kurajon për t’u ballafaquar me të, për shumë arsye, ndonjëherë për t’i shpëtuar kësaj pyetje kurajozët ndërrojnë pyetjet: Përse jemi këtu? Cili është qëllimi im në jetë? Çfarë jam i thirrur të bëj? Kush jam unë për të tjerët? Çfarë mundë të bëj? Cilat janë aftësitë e mia? Çfarë dua të jem? Çfarë dua të kem? Çfarë dua të bëj? E shumë pyetje të tjera mund të na lindin, e të cilat na ndihmojnë t`i japim kuptimin e plotë jetës. Këto pyetje nuk mjafton t`i bëjmë vetëm një herë apo dy herë, por kërkohet që t’ia bëjmë vetes shumë herë; çdo ditë e gjithmonë. Të pyesësh veten është e rëndësishme, sepse vetëm përmes tyre zbulon qëllimet e jetës. Sepse, në fund të fundit, janë qëllimet ato që na mundësojnë një jetë të jetuar, ndryshe je si në një makinë që udhëton rreth e rrotull derisa energjia t’i mbarojë e ndoshta pa mbërritur askund.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

“Metamorfoza” e F. Kafkës, ndoshta një nga veprat më novatore të shekullit të XX. Universalizmi i saj është aq prezent në realitetin e sotëm. Shoqëria e sotme bie shpesh në një kurth të tillë të krizës së identitetit, të humbjes së lirisë, të statusit shoqëror, vështirësia e aftësive për të komunikuar edhe brenda familjes, ambicien dhe aftësitë, kapacitetin për të përballuar problemet e jetës. “Metamorfoza”, një marrëdhënie që shndërrohet nga fantastika në tragjike. Të duket sikur në shoqërinë shqiptare metamorfoza është një serial që vazhdon për vetë konfuzionin që po përjeton ajo.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimet brenda ditës së një njeriu janë komplekse. Brenda saj ai bën disa udhëtime të imponuara e të dëshiruara. Udhëtimi më i zakonshmi i inponuar është puna. E të flasësh pastaj për udhëtimet e dëshiruara, të gjesh një grimë kohe për të takuar njerëzit e dashur, të rrish me ta, të përpiqesh të falësh e të marrësh prej tyre freskinë aq shumë të dëshiruar. Pra dita fillon me energjinë e punës, e përfundon me emotivitetin që falin ata që duam.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Në ditën e sotme, kur bota ndryshon me shpejtësi djallëzore, kriza e identitetit është dukuri shumë më e shpeshtë se më parë. Njeriu ngjan me një lis që e ka rrëmbyer një lumë i turbullt e nuk e di se ku e shpie dallga e tij. Rryma e furishme e tij është jeta që shpesh ta heq të drejtën të jesh vetja. Në përpjekje t’i mbijetosh kësaj turbullire shpesh kërkon kënaqësinë jashtë realitetit dhe kjo është një krizë më vete. Njerëzit nën statusin e difuzionit të identitetit, thjesht ndjehen se nuk kanë vend në këtë botë dhe nuk posedojnë ndjenjë identiteti. Turbullira e ujit të jetës ngatërron moshat e ka gjasa që me adoloshencën të përballen dhe në faza të tjera të jetës dhe kjo për shkak të presionit e dinamikës së jetës, të përpjekjes dhe përshtatjes me zhvillimin e dhunshëm teknologjik, me jetën e re moderne social – kulturore. Në koto situata zgjidhja do ishte të bërit e njeriut aktiv, nxitja e rolit profesional të tij, njohja e vlerave, besimi i tij përmes largimit të ndjenjës së mos bërit asgjë, mësimi i së kaluarës dhe i situatave të saj dhe njohja e vetes.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Personalisht do të thosha se akoma jemi larg kulturës së vërtetë. Udhëtimi drejt saj është një udhëtim kozmik, me mbishkrimin “mosnjohje”, e cila me gjithë përpjekjen e dekadave të tëra pak kush ka gërvisht qiellin e saj, ajo mbetet një “Një kek në qiell”, e njeriu është i destinuar të mbetet me duar të zgjatura drejt saj përjetësisht.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Njeriu sot racionalizmin e djeshëm e ka zëvendësuar me dinamizëm dhe idealizmin në makiavelizëm dhe kjo sërish nuk po e ndihmon, aq sa duhet që aftësitë e tij të shkojnë sinkron me arrogancën e zhvillimit teknologjik të kohës, çka për nesër do t’i nevojitet të ketë më shumë fleksibilitet dhe më shumë dinamizëm.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Do të ishte e vështirë të veçoja pikturat pasi ato janë disa, ndërsa njëra ndër to është “Mona Lisa” e Leonardo Da Vinçit. Poezi ka shumë realisht, pasi dhe i përkas asaj fushe, ndërsa për film do kisha zgjedhur “Gjithë fajin e ka parajsa”, film i mrekullueshëm me Francesco Nuti. Kam nostalgji për atë film. Një jetë e tërë brenda atij filmi, një realitet i prekshëm edhe sot. Ai film dikur ka qene ushqimi i mendjes për fëmijërinë time; mall, nostalgji, emocion dhe nderim.Zëri.

 

You Might Also Like