Futboll

Nuhiu beson në ekipin e tij

Drita është kualifikuar në finale të rrethit paraeliminar të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur Inter d’Escaldes me rezultat 2:1. Kampionia e Kosovës ka vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur për finalen e madhe që zhvillohet të martën.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu përkundër kohës së shkurtër për t’u përgatitur për ndeshjen e së martës, ai thotë se futbollistët e tij kanë cilësi dhe do të tregojnë karakter në finalen e madhe.

Nuhiu në një intervistë për “Insporti” ka sqaruar situatën e Fidan Gërbeshit, Bujar Shabanit, të cilët nuk u paraqitën në ndeshjen e mbrëmshme.

“Ishte goditje për gjithë ekipin dhe situata e cila u krijua gjatë ditës ka qenë stresuese. Më vjen keq për Fidanin dhe Bujarin që nuk kanë mundur të jenë me ekipin por më gëzon fakti që Fidani është mirë me shëndet dhe nuk ka asnjë simptomë”.

Tutje, trajneri shkupjan ka deklaruar se pjesa tjetër e skuadrës e përjetuan rëndë por që nuk lejuan të ndikohen në paraqitje.

“Grupi tjetër i futbollistëve pa diskutim që ishin mërzitur për dy shokët e tyre por nuk lejuan që kjo situatë të ndikojë te ndeshja. U futen në ndeshje të përqendruar dhe me shumë motiv për ta fituar. Futbollistët me shumë personalitet ju qasën ndeshjes treguan karakter , vrapuan shumë, krijuan shumë raste por thjesht mendoj se situata që u krijua ndoshta nuk e kishim qetësinë për ta mbyllur ndeshjen me herët”.

Mbrojtësi Fidan Gërbeshi dhe mesfushori Bujar Shabani nuk u paraqiten në ndeshjen, pasi Gërbeshi rezultoi pozitiv me koronavirus një orë para fillimit të ndeshjes. Ndërsa, Shabani u detyrua të vetë izolohej me rekomandim të UEFA-s.

Një ditë para nisjes në Zvicër, e gjithë skuadra e Dritës ishin testuar duke rezultuar gjithë negativ.

Numri një i bankinës së Dritës, Nuhiu deklaroi se beson në grupin që ka dhe do të kalojnë në rrethin e parë kualifikues.

“Kishim analizuar kundërshtarin prej momentin kur kishim mësuar për kundërshtarin tonë në Ligën e Kampionëve, jemi munduar qe sa më tepër informacione të sjellim tek futbollistët , duke pasur kujdes tek pikat e tyre te forta dhe duke shfrytëzuar hapësirat apo edhe ndonjë pikë të dobët të tyre. Deri sot kemi qenë të përqendruar vetëm tek ndeshja e parë. Kemi dy ditë vetëm për ta studiuar kundërshtarin e radhës, e dimë që janë një ekip me traditë dhe shumë vite garojnë në ndeshje ndërkombëtare. Mendoj se grupi jone ka cilësi dhe kualitet të vazhdojë në këtë garë edhe më tutje. Do të japim maksimumin që të gëzojmë tifozët tonë “Intelektualët” ku edhe sot ishin me ne dhe gjithë shqiptarët që po na mbështesin”.

Ndeshja me Inter d’Escaldes ishte paraparë që të zhvillohej me fillim të orës 18:00, por për shkak të mos plotësimit të dokumentacionit për “Covid19” nga të dy skuadrat, ndeshja u zhvillua në 19:30.Golat për fitoren e Dritës i shënuan Xhevded Shabani dhe Hamdi Namani.

Drita në finale do të përballet me klubin nga Irlanda e Veriut, Linfield, i cili në të kaluarën është përballur edhe me KF Skenderbeun e Korçës.

Finalja e këtij rrethi paraeliminar do të zhvillohet të martën dhe në rast të fitores, klubi gjilanas do të kualifikohet në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në rast të kualifikimit, atëherë kundërshtarët e mundshëm të kampionies së Kosovës janë Celtic nga Skocia, Ferencvarosh nga Hungaria dhe Legia Warsaw nga Polonia.

You Might Also Like