Futboll

Nuhiu: Drita nuk do të ketë problem me lojtarët të cilëve u skadon kontrata

Dihet që shumë futbollistë që luajnë në Superligën e Kosovës në futboll, mbesin pa kontratë më 1 qershor të këtij viti. Me vendimin e së martës të UEFA-s, edicioni aktual mbyllet më 21 qershor. Kjo nënkupton se disa futbollistë mund të largohen nga skuadrat aktuale tri javë para mbylljes së kampionatit.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu mendon se shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA duhet të ndërhyjë dhe ta krijojë një aneks në rregulloren e kontratave dhe transferimeve.

“Këtë problem pritet ta rregullojë UEFA bashkv me federatat nacionale. Mendoj se UEFA duhet të ndërhyjë dhe të krijojë një aneks në rregulloren e kontratave dhe transferimeve”, ka thënë fillimisht Nuhiu për Zëri.info.

Megjithatë, trajneri shkupjan thotë se Drita nuk do të përballet me një problem të tillë, ani pse ka futbollistë të cilëve iu skadon kontrata para përfundimit të këtij edicioni.

“Personalisht, mendoj se klubi ynë nuk do të përballet me një situatë të tillë edhe pse kemi futbollistë të cilëve iu skadon kontrata. Mendoj se futbollistët janë të vetëdijshëm për situatën e jashtëzakonshme që ka ndodhur këtë vit dhe pa problem do ta mbyllin edicionin me ne”, shtoi Ardian Nuhiu.

 

You Might Also Like