Futboll

Nuhiu: Shënuam, krijuam shumë raste dhe treguam siguri në mbrojtje

Tekniku shkupjan vlerësoi lartë paraqitjen e futbollistëve të tij, teksa konfirmoi një ndeshje miqësore gjatë pushimit të kampionatit.

“Më pëlqen mënyra se si kemi arritur deri te kjo fitore. Kemi krijuar shumë raste dhe kemi treguar siguri në repartin e mbrojtjes duke mos u rrezikuar as edhe njëherë të vetme. I përgëzoj futbollistët për lojën e treguar, pasi që nuk ishte e lehtë përballë një Dukagjini shumë kualitativ. Tashmë kemi pushim disa ditorë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë pushim për të zhvilluar një ndeshje kontrolluese për futbollistët që kanë patur më pak minutazh në këto tri javët e para”, deklaroi Nuhiu pas ndeshjes për “Super Sport Kosova”

Kryetrajneri i klubit gjilanas gjithashtu foli edhe për suspendimin e dy futbollistëve Liridon Leci dhe Erjon Vucaj, teksa shpreson që shumë shpejtë do të rikthehen me ekipin e parë.

“Dy futbollistët kanë thyer rregulloren e klubit dhe është vendimi i drejtuesve të klubit për suspendim. Ata janë lojtarë të rëndësishëm për ne dhe unë do të kërkoj që ata të rikthehen sa më shpejtë me ekipin”, mbylli deklaratën e tij Nuhiu.

You Might Also Like