Gjilan

Oficeri i karrierës që dha jetën për popullin e vet

Majori Muharrem Ibrahimi edhe atëherë kur e kishte jetën në rrezik, duke qenë oficer i lartë në ish-armatën i dha informata Zonës Operative të Nerodimes, kurse kur filloi lufta e hapur veshi uniformën e UÇK-së dhe ra në altarin e lirisë.

Enver Sadiku

Gjilan. E la gradën e majorit në ish-ushtrinë jugosllave dhe veshi uniformën e UÇK-së për të rënë në altarin e lirisë, pas betejës së lavdishme të Zhegovcit e Marevcit. Majori i karrierës, Muharrem Ibrahimi, qysh në fëmijëri kishte shprehur dëshirën të bëhej ushtarak, duke ditur se një ditë do t’i duhej popullit të vet. I ati, Raifi, i kishte plotësuar dëshirën dhe e dinte se  edhe shqiptarëve iu nevojiten ushtarakët, andaj e dërgoi në Akademinë Ushtarake, dega e Këmbësorisë, të cilën me sukses e kreu në Beograd dhe në Sarajevë.

Karrierën e tij prej ushtaraku e filloi në Maribor të Sllovenisë. Majori Muharrem Ibrahimi, ishte shumë i dëshiruar dhe i respektuar nga ushtarët shqiptarë që e kryenin shërbimin ushtarak atje. Ai vazhdimisht i këshillonte ushtaret që të mos bien nën provokimet e armikut dhe u ndihmonte. Ishte shumë i adhuruar edhe prej qytetarëve shqiptarë që punonin dhe jetonin atje, për çka ishte vazhdimisht edhe nën përcjellje të Sigurimit Ushtarak.

Me fillimin e shpartallimit të ish – Jugosllavisë dhe fillimin e luftës në Slloveni, Muharrem Ibrahimi dërgohet në Murska Sobota dhe Shëntil, ku i kurdiset një pritë, në të cilën plagoset më datën 28 Qershor 1991. Sllovenët i afrojnë dezertim, por për shkak të sigurisë së ushtarëve të tjerë shqiptarë, nuk pranoi që të dezertojë. Pas shërimit, më 1992 vazhdon në Trebinje e mandej transferohet me shërbim në Mitrovicën e Kosovës. Muharremi, i pa kënaqur me padrejtësitë ndaj shqiptarëve, vendosë që ta braktisë Armatën, por me insistimin e aktivistëve lokal të atëhershëm Halit Zymberit dhe Nazmi Musës, vazhdon punën me shumë vështirësi. Në Mitrovicë, ishte i përcjellë dhe i provokuar nga kolegët dhe ushtarët serbë.

Më 1997, transferohet në Ferizaj, ku e merr gradën ushtarake major. Me fillimin e luftës në Drenicë, ai shprehë gatishmërinë që të kyçet në luftë, por udhëzohet që për shkak të nevojave të atëhershme, të qëndrojë deri sa është e mundur . Përmes shokëve shumë të besueshëm, Zonës Operative të Nerodimjes i jepte informatat për kazermën e Ferizajt , pozitat, planet, potencialin ushtarak, armatimin etj. Detyra e tij ishte që të alarmonte në rast nevoje përmes një lidhje shumë sekrete, të cilët ishin të gatshëm edhe ta evakuonin në një vend të caktuar.

Më 3 qershor, i jepet urdhri që të shkojë në luftë kundër shqiptarëve, por ai këtë e refuzon kategorikisht, me arsyetimin se duhej ta shëronte djalin e sëmurë! Me mbarimin e shërimit të djalit të vogël ai jep dorëheqje, me arsyetimin se duhet të qëndroj pran djalit e më 25 Mars 1999, njoftohet se ka ardhur koha që të shkojë në luftë, në radhë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në radhët e UÇK-së, përmes Elhami Bajramit, kyçet bashkë me shokët: Afrim Myrtaj, Rexhep Jahiun, Bekim Murtezin, Sami Ahmetin dhe të tjerë.

Si ushtarak profesionist , punon në stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe ngritjen e moralit të ushtarëve, ku u emërua Shef i Shtabit të Zonës.

Ofensiva e 15 Prillit, të vitit 1999, në Malësinë e Zhegocit, i detyron që të tërhiqen në fshatin Marec , ku edhe aty ballafaqohen me një sulm tjetër masiv të makinerisë ushtarako – policore serbe. Në vijën e parë të frontit, qëllohet nga një granatë, ku merr lëndime në këmbë dhe në shpatull. Pas dy ditëve të plagëve, më 21 Prill 1999, në odën e Halil Canollit, në fshatin Marec, ndërron jetë dhe varroset në afërsi të varrezave të vjetra të kësaj familjeje. Prej atje, më 19 Shtator 1999, eshtrat e tij barten dhe rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

You Might Also Like