Libri

Orë letrare për nderë të 28 Nëntorit

Organizuar nga Komuna e Gjilanit, në kuadër të festës së flamurit kombëtar, sot në Shkollën e Mesme të Ulët “Rexhep Elmazi”, është mbajtur orë letrare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Karvani i Shkrimtarëve të Kosovës, me tematikën kryesore për gjuhën, sakrificën dhe arsimin shqip në përgjithësi në Kosovë dhe në trojet shqiptare.

Me këtë rast në emër të Komunës së Gjilanit, ka folur kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ka thënë se kjo festë gjithë shqiptare dhe takimet e tilla letrare e bëjnë më madhështore festën e 28 Nëntorit, një ndjenjë që është e veçantë për të gjithë ne.

“Nëntori, është muaji kur bëjmë përmbledhjen e kujtimeve për figurat e ndritura siç ishte Rexhep Elmazi, heronjtë si Mulla Idrizi, Idriz Seferi, Agim Ramadani, e deri tek Ismail Qemajli, figura të shumta si humanist, rilindas, heronjë, dëshmorë dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë që sot e gëzojnë shqiptarët, lista e të cilëve është shumë e gjatë dhe nuk ka grup, shoqëri apo karvan që mund të përshkruaj angazhimin kombëtar të shqiptarëve ndër vitesh”,  tha ajo, duke spikatur kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Ndryshe në këtë takim me fjalë rasti dhe prezentime me tematikë kombëtare janë paraqitur edhe drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Shqipe Haziri, drejtori i kësaj shkolle, Aliriza Osmani, kryetari ARS Klubit “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi, shkrimtari i mirënjohur Ibrahim Kadriu dhe shkrimtarë e krijues të tjerë të përcjellur edhe me një program të pasur kulturor artistik nga nxënësit e shumtë.

Programe kulturore dhe artistike, për këtë ditë të veçantë për shënimin e festës së Flamurit Kombëtar, janë mbajtur në të gjitha shkollat e Gjilanit, duke bërë spikatjen e vlerave të pasura kulturore e kombëtare.

You Might Also Like