Futboll

Paraqitje krejt ndryshe e Gjilanit

 

Në paraqitjen më të mirë sivjet, Gjilani është ballafaquar me Trepçën ’89 nga Mitrovica dhe ia ka dalë që të shënojë fitore të merituar me rezultat 2:0. Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën kanë qenë të mjaftueshëm për ekipin e Gjilanit, i cili pjesën e mbetur të kampionatit do t’a pret më i qetë.

Gjilani mirë e ka nisur lojën dhe ka mbizotëruar në fushë dhe si fryt i sulmeve të pareshtura ka ardhur goli i parë në minutën 26. Pas një shpërthimi nga e djathta Thaçi ka harkuar në brendi dhe në anën e kundërt topi ka arritur deri te Rusi, i cili ka gjuajtur me të parën dhe ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të portës së mysafirëve.

Nga pjesa e parë duhet veçuar një pakujdesi të mbrojtjes vendëse, e cila duke dashur të kthejë topin mbrapa për pak sa nuk ka shënuar autogol dhe mbeti dilema se a e kishte kaluar topi vijën fatale.

Në ndeshje pati edhe dy raste të tjera kontestuese, kur ekipi i Gjilanit në dy raste kërkoi penalti, njërën për shkak të lojës me dorë të mbrojtjes mysafire, kurse herën tjetër kur pati ndërhyrje të palejueshme në brendi të zonës.

Rezultati final u arrit në minutën 59, kur pas një gabimi të mbrojtjes mysafire, Haxhimusa mori topin dhe me vollej qëlloi furishëm në këndin e epërm të djathtë të portës mysafire.

You Might Also Like