Gjilan

PDK: Bërlloku që po e mbytë qytetin

Ka pesë ditë që punëtorët e Ndërmarrjes “Ekohigjiena” janë në grevë dhe nuk po grumbullojnë mbeturinat në qytet, kurse grumbujt e mbeturinave po rriten, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, reagim të cilin po e botojmë të plotë.

Komuna e Gjilanit, jo që nuk po merret me zgjidhjen e problemeve të mëdha, por ajo vet po krijon probleme të reja, të cilat po e vështirësojnë edhe më shumë jetën normale të qytetarëve të Gjilanit.

Qytetin e Gjilanit ka disa ditë që e kanë mbuluar mbeturinat dhe nuk ka rrugë, trotuare apo hapësira të tjera publike që nuk janë shndërruar në deponi mbeturinash, që po paraqesin rrezik të madh për jetën e qytetarëve të komunës sonë.

Me problemet në kompaninë Eko-Higjiena, duhet të merret seriozisht dhe me përgjegjësi vet kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, duke i dhënë prioritet zgjidhjes reale dhe të drejtë që është në interesin e Komunës dhe qytetarëve të saj, e jo të krijoj kaos në këtë kompani, duke keqpërdorur dhe manipuluar punëtorët e sajë, për realizimin e interesave të ngushta të disa zyrtarëve të lartë komunal.

Ka tri vite që qeverisjes komunale të Lutfi Hazirit, (qëllimisht) nuk i ka interesuar aspak implementimi i marrëveshjes së Partneritetit Publiko Privat, i realizimit të investimeve dhe zhvillimi i kësaj kompanie.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, i bënë thirrje publike kryetarit të Gjilanit, që të ndërpresë lojërat dhe prapaskenat e organizuara në këtë kompani, të mos luaj edhe më tutje me ndjenjat e punëtorëve të Eko-Higjienës, por të angazhohet për implementimin e marrëveshjes dhe të investimeve në këtë kompani dhe t’i ofrojë qytetarëve të Gjilanit shërbime cilësore, ambient të pastër dhe siguri në shëndetin e tyre, e jo ti rrezikoj ata përmes ndonjë epidemia, e cila, tani, fare lehtë mund të shkaktohet nga bërlloku që po e mbytë qytetin.

You Might Also Like