Gjilan

PDK: “Dieta buxhetore” vetëm një kamuflim

“Dieta buxhetore”, që vazhdon ta proklamojë Lutfi Haziri tash e tri vjet, nuk është asgjë tjetër pos kamuflim, pas së cilës fshihet pangopësia e kryetarit të një komuneje si ky, të dështuar në secilën fushë të qeverisjes komunale.

Se Lutfi Haziri po e dëmton rëndë buxhetin e komunës dhe po shkakton humbje të mëdha financiare, duke joshur përmes tenderëve të majmë, biznese të caktuara që janë të afërta me te, e në anën tjetër, disa kompani i përjashton nga e drejta për të kontraktuar punë dhe shërbime përmes ligjit të prokurimit, flasin një mori rastesh, të identifikuara nga Komisioni për Ekonomi dhe Financa i Degës së PDK-së në Gjilan.

Vendimi i Gjykatës Ekonomike në Prishtinë me nr.484/14 i datës 07.10.2016 e ka detyruar komunën e Gjilanit që të paguajë mbi 139 mijë euro dhe 3.5% kamatën ligjore në emërt të paditësit “SAS” shpk, për arësye të shkëputjes së njëanshme, që e ka bërë Lutfi Hazirit përmes një urdhërese politike dhe jo ligjore, të kontratës që ka të bëjë me sigurimin fizik të objekteve komunale dhe shkollore.

Në aktvendimin e gjykatës thuhet se operatori ekonomik “SAS” i ka kryer të gjitha shërbimet sipas rregullave të kontratës së lidhur me komunën e Gjilanit dhe nuk ka pasur asnjë vërejtje paraprake.

I vetmi arsyetim i Lutfi Hazirit për shkëputjen e kontratës, ishte “kostoja e lartë e financiare”, ndëkaq tani, për të tretën herë radhazi, është duke shpallur tender në vlerë edhe më të madhe, të planifikuar mbi 800 mijë euro.

Shih për këtë, Zyra e prokurimit është duke tentuar që këtë kontratë ti jap kompanisë së preferuar të kryetarit të komunës dhe dy herë ka përjashtuar kompaninë e cila kishte dal fitues me ofertën me çmimin më të ulët.

Modeli i paprecedent që po aplikohet në komunën e Gjilanit, është eliminimi i të gjitha kompanive nga konkurenca për të marr punë dhe kontrata, e të cilat nuk janë financues të LDK-së dhe të Lutfi Hazirit.

Kjo po ndodhë përmes kurdisjes së tenderëve, përmes ndryshimeve jo ligjore të kushteve dhe kritereve me qëllim të përshtatjes për kompanitë me të cilat po i negociojnë paraprakisht çmimet e tenderëve.

Agjensioni Kundër Korrupsionit i ka anuluar komunës së Gjilanit së paku 6 tenderë, me arsyetimin se prokurimi ka vendosur kritere jashtë kuadrit ligjor dhe duke bërë diskriminim dhe trajtim jo të barabartë të kompanive ofertuese.

Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, sërish i bënë thirrje kryetarit të komunës së Gjilanit, që të ndalë këto veprime jo ligjore, që të mos i shkaktoj edhe më tej humbje të mëdha financiare buxhetit të komunës, të mos i dëmtojë kompanitë sipas “shijes” së tij politike dhe të mos i keqpërdorë tenderët me qëllim të joshjes dhe financimit të aktivitetit të tij politik dhe të partisë së tij.

 

You Might Also Like