Gjilan

PDK: Nuk pati rrahje në mes anëtarëve tanë

Lajmi i publikuar sot në portale, me titull “Rrahje me grushte në degën e PDK-së në Gjilan”, është lajm krejtësisht i pavërtetë. Kjo dezinformatë, e lansuar nga persona të caktuar ka si qëllim zbehjen e ecurisë së procesit të brendshëm zgjedhor në Degën e Partisë Demokratike në Gjilan. Procesi i brendshëm zgjedhor në Gjilan, ka filluar këtë javë dhe është parë një mobilizim i jashtëzakonshëm i strukturave të PDK-së, seksioneve dhe nëndegëve për të zgjedh më të mirët në krye të partisë në nivelin lokal. Zgjedhjeve të brendshme po i bashkohen edhe një numër i madh i qytetarëve pa angazhim të deritashëm partiak me profile të vlerësuara, duke e bërë këtë procedurë të rëndësishme dhe demokratike. Me këtë reagim, duam të njoftojmë opinionin dhe mediat se Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan është më e bashkuar se asnjëherë më parë dhe se nuk ka asnjë ndarje dhe nuk kishte asnjë konflikt. Procesi zgjedhor i cili ka filluar tashmë, do të vazhdojë në të gjitha nëndegët në Gjilan dhe ecuria e deritashme, ka shkaktuar panik për pushtetin aktual në komunë. Dezinformata e tillë, nuk mund ta ndal fuqizimin e degës së PDK-së në Gjilan. Ky lajm i pavërtetë ka synim të dëmtojë procesin dhe procedurat e shkëlqyeshme zgjedhore të zhvilluara deri më tash nga Dega e Partisë Demokratike në Gjilan dhe tërë Kosovën.

Dega e Partisë Demokratike në Gjilan

You Might Also Like