ARSIMI, Ekonomi

Pensionohet profesori Nazmi Ajeti

Pensionohet profesori Nazmi Ajeti; Katër dekada ua kushtoi nxënësve prof 

Në arritjen e gjithmbarshme të shoqërisë së një vendi, padyshim kontribut të madh kanë dhënë mësimdhënësit, ata që kanë shpërndarë dritën e dijes. Puna me brezat e rinj për arsimimin dhe edukimin e tyre vlerësohet si bazament kryesor për të ndërtuar një shoqëri të shëndosh. Shumë punëtorë arsimi ia kanë kushtuar një jetë shkollës dhe punës me nxënës. Kështu është thënë me rastin e pensionimit të mësimdhënësit Nazmi Ajeti, i cili shërbeu 37 vjet në shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai” të Gjilanit.

Me rastin e daljes në pension të profesor Nazit, siç e quajnë ndryshe, ai nuk kurseu mundin dhe vullnetin e tij për të edukuar dhe mësuar gjeneratat e reja.

Kam emocione të përziera. I përshëndes të gjithë kolektivin e shkollës, ku në këtë kolektiv kam kaluar 37 vjet punë, duke mos e llogaritur që edhe shkollën e mesme  e kam bërë në teknikë”, ka thënë Nazmi Ajeti në mes emocionesh.

Ai tha se gjatë këtyre viteve kam kaluar shumë sfida, sepse ashtu ishte koha. “Ka rastisur ashtu që çdo pesë vite të kemi demonstrata, protesta, okupimin total, organizimin e sistemit arsimor paralel, pastaj lufta dhe tash 21 vite pas lufte”, është shprehur ai, duke dëshiruar që mësimdhënësit e tjerë të rinj që mos të kenë fatin e njëjtë sikur të tijën dhe gjeneratës së tij.

“Kënaqësi që arrita moshën e pensionimit, por njëkohësisht edhe pikëllim që tash po e lë profesionin që kam kryer për 37 vjet me radhë. Kjo është ndjenja e përzier që po më përcjell tash pas 37 vitesh punë si mësimdhënës”, shprehet Ajeti.

Ai thotë se në gjithë këto vite të punës ka pasur kohë të mira, por edhe të vështira.

“Vitet e 90-ta ishin kohë të vështira për ne, por kurrë nuk jemi dorëzuar me shpresën që do ta përjetojmë kënaqësinë e këtij profesioni në liri. Dhe kjo ditë erdhi dhe jemi shumë falënderues për këtë”, thotë profi Nazmi.

Ai shprehet falënderues gjithë stafit të shkollës ku në mesin e kolegëve të tij ka dhe ish- nxënës.

Harmonia me kolektivin ishte një virtyt tjetër i mësimdhënsit Nazmi. Për të ruajnë respekt të veçantë edhe kolegët e tij të punës, ata japin vlerësimet më të larta për të jo vetëm si edukator, por edhe si njeri.

Drejtoresha e shkollës së mesme të lartë teknike “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri e vlerëson si të palodhshëm dhe një mësimdhënës shembull për gjeneratat e ardhshme.

Ajo është shprehur falënderuese ndaj kontributit të tij që ka dhënë për edukimin e brezave të rij.

“Me profesorin Nazmi u bë një kohë e gjatë që punojmë në kolektiv dhe i jam shumë falenderuese për punën e pa lodhshme në aftësimin e gjitha atyre gjeneratave. Profesori Nazmi ishte një mësimdhënës i devotshëm dhe i përkushtuar në punën e tij. Ndërkaq tani që po shkon në pension i uroj shëndet dhe gjitha të mirat”, ka thënë drejtoresha Tahiri.

Madje, ish- dy drejtorët e shkollës, Florim Bajrami e Ibrahim Shkodra e kanë vlerësuar si të palodhshëm dhe një mësimdhënës shembull për gjeneratat e ardhshme.

Ndërkohë profesori Ismajl Zylfiu, në fjalimin e tij përshëndetës, ka thënë se nuk ka pensionim për Nazmi Ajetin dhe punën e tij në arsim, sepse vlerat e punës së Nazmiut kanë qenë dhe janë një arritje origjinale e tij.

Duke i uruar jetë të gjatë dhe urimin dhe falënderimet për profesorin Naz, kanë shprehur edhe kolegët tjerë si Nexhmije Hajrullahu, Enver Gjymshiti, Arton Mehmeti, ndërsa Aktivi i Makinerisë, ku i takonte deri më sot Nazmi Ajeti, si shenjë falënderimi i dhuruan një dhuratë modeste.

 

                                                                        

Nazmi Ajeti

You Might Also Like