Sportet me dorë

Për t’u përcaktuar kampioni në volejboll duhet edhe një ndeshje

Se kush do të jetë kampion I Kosovës në Volejboll në konkurrencën e femrave do të vendoset në ndeshjen e tretë finale, e cila pritet që në mesjavë do të luhet në Gjilan. Dy ekipet finaliste, Drita dhe Skenderaj kanë nga një fitore, andaj vendimtare do të jetë ndeshja e tretë.

Në ndeshjen e parë, të luajtur në Gjilan, Drita ka ngadhënjyer me rezultat 3:2, kurse në të dytën, të luajtur në Mitrovicë, Skenderaj mundi Dritën me rezultat 3:1.

Ndeshja e parë, por edhe e dyta ishin mjaft interesante dhe përderisa në ndeshjen e parë, Drita bëri rikthimin e madh, në ndeshjen e dytë kjo nuk ndodhi edhe pse ekipi gjilanas ishte në rrugë të mirë.

Setin e parë Skenderaj e fitoi me lehtësi 25:11, por krejt ndryshe ishte në të dytin, kur u desh  të shkohet në vazhdime dhe sërish fitoi Skenderaj. Në setin e tretë, Drita ishte më e mirë dhe me plot meritë fitoi e edhe në setin e katërt punët po shkonin mbarë, por pranë rezultatit 10:10, gjatë një blloku u lëndua Adelajda Prenga, andaj ajo u desh që të lëshojë lojën. Ndonëse ekipi vendas fitoi pesë pikë radhazi, Drita ia arriti që të barazojë, por jo edhe të qëndrojë deri në fund, ngase edhe këtë set e humbi, rezultati ishte 25:19 dhe fitorja e përgjithshme e Skenderajt me rezultat 3:1.

Ndeshja e radhës që është përcaktuese do të zhvillohet në Gjilan.

You Might Also Like