Libri

PËRJETIMI I GJALLË I HISTORISË NË BIBLIOTEKËN E ALEKSANDRISË

Me shkas vizitën në Egjipt

Shkruan: Avni Rudaku

Që para nisjes prej shtëpisë drejt Egjiptit, isha i vendosur që dy hapësira objektesh nuk bënin kurrsesi të më iknin pa i vizituar dhe pa i parë: piramidat në Giza – në periferi të Kajros dhe biblioteka e famshme e Aleksandrisë në qytetin e themeluar historik nga Aleksandri i Madh. Ndonëse në internet merrja informacione, nuk e dija se mund të kishte ndonjë gjurmë të bibliotekës së Aleksandrisë, pasi që ishte shumë e vjetër, ishte djegur që moti dhe ndoshta i kanë ikur gjurmët se ku ishte. Sidoqoftë, pasi shkova atje, pyeta dy-tre egjiptianë dhe më thanë se mbi themelet e së vjetrës, ishte ndërtuar një bibliotekë shumë moderne, e cila do ta linte secilin vizitor me sytë hapur! Dhe ashtu ndodhi! Ishte tejemocionuese vetëm kah e lexonim: “Biblioteka e Aleksandrisë” dhe ndodheshim pranë e brenda saj! Aty ku besohej se ishte biblioteka e njohur antike, ishin vënë themelet e së resë!

Biblioteka e Aleksandrisë në Aleksandri të Egjiptit, njihet si biblioteka më e vjetër dhe më madhështore në botë, e ndërtuar para 2300 vjetësh, me fate të njëpasnjëshme tragjike të djegies e shkatërrimit. Akoma ka interpretime të ndryshme të fajësimit për rrënimin e hershëm të saj: më së shpeshti thuhet se romakët e dogjën gjatë pushtimit, pak vite para erës sonë, por edhe i atribuohet më pas fajësia për shkatërrim, njëfarë kryepeshkopit koptik të krishterë gjatë shek. IV, si dhe myslimanëve gjatë shek. VII të erës sonë. Sidoqoftë, rindërtimi fascinues modern ndodhi në vitin 2002. Sa i përket arkitektëve të bibliotekës, ky paragraf ju jep me shpejtësi informacionin: “Ndërtesa e re është rezultat i një konkurrence arkitekturore ndërkombëtare në vitin 1989 të organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Arkitektëve, UNESCO dhe Qeveria e Egjiptit. Dizajni i paraqitur nga SNÖHETTA, një grup ndërkombëtar i arkitektëve me bazë në Norvegji, u nderua me Çmimin e Parë midis 524 të pjesëmarrësve nga 52 vende. Konsorciumi Snæhetta Hamza u formua në vitin 1991 midis praktikës arkitektonike SNÖHETTA të Oslos, Norvegjisë dhe firmës arkitektonike dhe inxhinierike HAMZA ASSOCIATES të Kajros në Egjipt, për të siguruar realizimin e saj të suksesshëm.”(Shih për më shumë në linkun: https://www.e-architect.co.uk/egypt/alexandria-library)

Biblioteka Aleksandrina ka hapësirë të mundshme për t’i mbajtur deri në 8 milionë libra, me 85 mijë metra katrorë, me hapësirë të leximit të hapur prej 20 mijë metra katrorë për 2 mijë lexues dhe ka 7 terrasa; objekti ka 11 kate, me formën rrethore e të përkulur të objektit, me 160 metra në diametër dhe deri në 32 metra lartësi. Muri 6 mijë metra katëror ka mbishkrime alfabetike…(parafrazime nga i njëjti burim informacioni)

Ndërtimi i Bibliotekës së Re të Aleksandrisë

Edhe në faqen zyrtare të Bibliotekës së Aleksandrisë, shkruan: “Biblioteka e Re e Aleksandrisë, Biblioteka e Re Aleksandrina, është e përkushtuar për të rimarrë frymën e hapjes dhe të bursave të Bibliotekës origjinale Alexandrina. Është shumë më tepër se një bibliotekë.” Po në të njëjtin burim thuhet se misioni i saj është: “… një qendër e përsosmërisë në prodhimin dhe shpërndarjen e njohurive dhe të jetë një vend i dialogut, i të mësuarit dhe të kuptuarit midis kulturave dhe popujve.” Mbresëlënëse janë po ashtu edhe formulimet e objektivave të bibliotekës, sikur përshkruhen në burimin e saj të njëjtë zyrtar: “Roli unik i Bibliotekës së Aleksandrisë, si ai i një biblioteke të madhe egjiptiane me përmasa ndërkombëtare, do të fokusohet në katër aspekte kryesore, të cilat kërkojnë të rimarrin frymën e Bibliotekës Antike të Aleksandrisë. Ajo synon të jetë: Dritarja e botës në Egjipt. Dritarja e Egjiptit në botë. Një institucion udhëheqës i epokës digjitale. Një qendër për mësim, tolerancë, dialog dhe mirëkuptim.”

Ndërtimi i bibliotekës në kohën e Mohamed Hosny Mubarak

Në hollin e daljes së Bibliotekës së Aleksandrisë gjindet edhe monumenti i Demetriues Phalereues, ku shkruhet legjenda në katër gjuhë: pas gjuhës arabe, menjëherë vihet në gjuhën greke, më pastaj në gjuhën angleze dhe në fund në gjuhën frënge. Përmendet viti 350-280 para erës sonë i Phalereues-it dhe shkruhet edhe kjo: “Inspiruesi i fondacionit të Bibliotekës Antike.” Po ashtu, në muret e këtij holli, gjindet një tabelë me këtë tekst: “Në Egjipt, djepi i qytetërimit njerëzor nën presidencën e Shkëlqesisë së Tij, Mohamed Hosni Mubaraku dhe me patronazhin e tij të hijshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme të përsosmërisë së saj Suzanne Mubarak, Biblioteka Alexandrina u ringjall dhe u inaugurua nga presidenti më 16 tetor 2002. E gjithë bota festoi me Egjiptin dhe Presidentin e saj, rilindjen e bibliotekës si një shenjë dijeje dhe shtëpi për takimin dhe dialogun mes popujve dhe kulturave.”

Dhe po ashtu, emocionuese bëhet edhe dalja nga biblioteka dhe pamja e bustit të vendosur, ku shkruan: “Aleksandri i Madh!” Duket sikur e përjetoni historinë mbi dy mijë vjetësh dhe drithëroheni nga e kaluara e Egjiptit, ku gërshetohen kulturat e ndryshme botërore! Në shumë monumente të Aleksandrisë, shiheshin qartë pushtimet e Aleksandrit të Madh, ku mitologjia egjiptase përzihej me mitologjinë greke!

Brendia e bibliotekës dhe literatura

Biblioteka kishte në katin përdhesë edhe muzeun e presidentit egjiptian, Anëar el-Sadatit, muzeun e artit modern e bashkëkohor egjiptian dhe pjesën digjitale të bibliotekës. Sektorët ishin të ndara në disa fusha e shkenca, ku tabela me mbishkrime të informonte për secilën fushë studimi se ku gjindej. Tabela me informacione për secilin sektor ishte i ndarë në këtë mënyrë (në gjuhën arabe, angleze dhe frënge): Në sektorin F2, gjindeshin shumë koleksione të deponuara; në sektorin F1, literatura mbi gjeografinë dhe historinë; në sektorin E, gjindej biblioteka “Taha Hussein” për personat e verbër. Emrin “Taha Hussein” e kishte marrë nga një prej figurave më të rëndësishme të shekullit të kaluar në shoqërinë egjiptiane, Taha Hussein, shkrimtar, intelektual, modernist, reformator, kritik dhe i nominuar disa herë edhe për çmimin Nobel; në sektorin B1, kishte literaturë për teknologji (shkencat e aplikuara); në sektorin e njëjtë B1 për shkencat natyrore dhe matematikë; në sektorin e ngjashëm, literatura ishte për gjuhët dhe retorikën; në sektorin B2, shkencat sociale; në po të njëjtin sektor, gjindej një qendër e fotokopjimit dhe më e veçanta, libra të rrallë – koleksione speciale; në sektorin B3 gjindej biblioteka për artet dhe multimedian; literatura për religjionet dhe në të gjindej edhe Qendra e të mësuarit të bibliotekës, që në frëngjisht përkthehej krejt ndryshe: “Qendra e iniciimit për kërkime dokumentare”! Në sektorin B4, gjindej literatura për filozofi dhe psikologji, duke më bërë kureshtje për ndarjen e psikologjisë nga shkencat sociale, pasi që në shumicën e vendeve, do ta gjeni psikologjinë në grupin e shkencave sociale. Edhe këtu është një debat se ç’kuptojmë me shkencat sociale, pasi që çdo gjë që nuk i afrohet shkencave natyrore, apo aty ku gjërat nuk preken e shihen me sy apo pa teleskop, ia kanë atribuar shkencave sociale! Në shumë ndarje të reja të shkencave, psikologjinë po e fusin në shkencat humane apo humanistike, ndonëse edhe kjo është mjaft problematike, pasi që ka edhe psikologji të studimit të sjelljes së kafshëve! Sidoqoftë, ajo që më bëri ta theksoja këtë ishte se më erdhi interesante kur në Bibliotekën e Aleksandrisë, psikologjinë e kishin ndarë veçmas nga shkencat shoqërore dhe e kishin bërë bashkë në një sektor vetëm me filozofinë.

Po në sektorin e njëjtë B4, gjindej edhe literaturë nën mbishkrimin “Të përgjithshme”, materialet referuese, periodikët, gazetat dhe revistat, hartat dhe një sallë e fotokopjes. Prapa secilit emërtim të literaturës së sektorit, gjindej edhe një ilustrim pamor, si p. sh., në teknologji, shihej një veturë, në shkencat shoqërore, tri figura njerëzish për ta përfaqësuar shoqërinë, në atë të filozofisë dhe psikologjisë, një portret profili i qenieve njerëzore, për ta simbolizuar thellimin dhe studimin e mendjes nga këto dy fusha. Mbi këtë tabelë, shiheshin edhe shenja të ndalimit të pirjes së cigares dhe ndalimit të të folurit në celular. Kjo e fundit për një bibliotekë, është më se e ditur, sepse do të pengonte mijëra lexues! Më ra në sy një pllakat ku shkruante se, “Royal Tropical Institute”(KIT) nga Holanda kishte dhënë donacion prej 400 mijë librash dhe 20 mijë revistash për Bibliotekën e Aleksandrisë.” Sapo hyni në hollin e bibliotekës, gjeni disa buste, si ai i nobelistit të parë arab, Naguib Mahfouz, dhe legjenda mbi skulpturën, shënonte: “Naguib Mahfouz – Nobel Laureate in Literature (1988) – Bronze Sculpture – By Arist Abdel Aziz Saab (2016) – Egyptian Literary Figurës”. Në katin tjetër të bibliotekës, me tavan krejtësisht të hapur në të gjitha anët, ishte edhe një bust tjetër, që tregonte se lidhja me literaturën evropiane, nuk ishte fare e shkëputur: busti i Hans Christian Andersen, poetin e autorin danez, i shekullit XIX. Po ashtu, e gjenit edhe emrin e dramaturgut botëror anglez, Shekspirin, i shkruar në një nga muret e një këndi brenda aq shumë hapësirave për lexim. Në disa hapësira gjenit edhe shumë vepra të artit, si ajo e bërë prej drurit nga Ihab Abdallah Youssef Sayed, me titullin “The Challenge” (SFIDË), i paraqitur në Simpoziumin Ndërkombëtar të Aleksandrisë për Skulpturë në Materialet Natyrale. Na ka bërë shumë përshtypje edhe sektori “Internet archive”, ku mund të gjenit miliona libra për gjithçka dhe lloj-lloj vendi, si dhe mënyra teknologjike të ndryshme të të mësuarit e të të lexuarit të literaturës. Nuk mungonte edhe pjesa më e rëndësishme e historisë së Egjiptit të Lashtë, ku në një kënd mund të gjenit libra shkencorë për faraonët, Akhenatotinin e Nefertitin, e shoqëruar pranë edhe me një ekran që shfaqte figurat më eminente të asaj kohe.

Ndriçimi i përsosur i Bibliotekës së Aleksandrisë

Ndriçimi për një bibliotekë është ndër aspektet më të rëndësishme për ta përkufizuar si cilësore. Pa një dritë të përshtatshme, nuk mund të ketë kushte të duhura për lexim. Biblioteka e Aleksandrisë dallohej edhe për mënyrën e ndriçimit, ku drita binte nga një lartësi e madhe poshtë 2 mijë lexuesve dhe dukej sikur nuk kishte fare poça elektrikë. “Ndriçuar indirekt nga dritaret vertikale përballë çatisë, dhoma e gjërë nuk do të ekspozohet ndaj rrezeve direkte të diellit që janë të dëmshme për librat dhe dorëshkrimet… Në këtë mënyrë, lexuesit të cilët janë ulur në skajin e tarracës, gëzojnë ekspozimin maksimal ndaj dritës natyrore dhe pikëpamjeve madhështore të hapësirës, ​​ndërkohë që gjenden në afërsi të zonës së ruajtjes së librave. Ky koncept përsëritet në të gjithë dhomën dhe krijon një amfiteatër të madh me një larmi të madhe të ambienteve të lehta të leximit…”(Informacionet nga Snøhetta Architects) Ndriçimi nuk t’i kupte sytë sikur ndodh në shumë biblioteka që kemi vizituar brenda e jashtë vendit! Kishte ndriçim të mirë edhe për faktin se lartësia e tavanit ishte aq e lartë, pa mure që pengonin fushëpamjen në krejt hapësirën e brendshme të bibliotekës. Kishim përshtypjen se nuk ekzistonin fare dritat artificiale të bëra nga duart e njerëzve, por vinin krejt natyrshëm, ashtu siç e preferonin lexuesit. Shpërndarja e saj, drejtimi, lloji etj., e bënin ndriçimin e bibliotekës, të jashtëzakonshëm. Po të njëjtën mënyrë të ndriçimit, e kemi hasur edhe në bibliotekën e Lajpcigut në Gjermani, e cila aq shumë t’i pushonte sytë, sakaq mendja të shkonte të lexoje orë të tëra dhe të mos dilje fare nga aty! E tillë ishte edhe Biblioteka e Aleksandrisë, madje për shkak të ngjyrimit emocional e historik, të lidhur me Bibliotekën Antike, çdo element i saj dukej më madhështor se i çdo biblioteke tjetër! Përnjëmend ishte ndër vizitat më të veçanta në jetën tonë!

(Reportazhet për Egjiptin janë botuar ekskluzivisht në gazetën e përditshme Kosova Sot dhe të drejtat autoriale për fotografitë i takojnë vetëm autorit dhe portalit kryelajmi.com. Në numrin e ardhshëm dhe të fundit, do të lexoni për Muzeun Kombëtar në Kajro, dhomat e mumieve origjinale egjiptiane dhe kafeterinë mbi 300-vjeçare)

You Might Also Like