Gjilan

Planifikimet e qeverisë komunale asnjëherë nuk janë realizuar, as me kohë edhe as me cilësi

Këto ditë të gjithë jemi dëshmitarë të konferencave të përditshme që drejtoritë e caktuara të komunës po mbajnë për rekapituluar punën e tyre njëvjeçare. Me këtë rast ata po paraqesin versionin e tyre, ndonëse ata kanë të drejtë dhe obligim atë ta paraqesin, por kjo nuk nënkupton se realitetit qëndron ashtu dhe që ne pajtohemi me atë, të cilën ata kanë paraqitur. Por sikur kjo paraqitje e secilit drejtor të mos mjaftonte, dje Kryetari i komunë dhe drejtorët e tij edhe një herë bënë një ri përsëritje apo reprizim të përbashkët të asaj që kishin thënë secili veçmas në disa ditë radhazi. Por ndryshimi i djeshëm ishte se tani këtë po e bënin me kërkesë dhe në prani të shefit të tyre z. Lutfi Hazirit. Nga kjo u pa që z. Lutfi Haziri me drejtorët e tij po përgatitet për raportin e tij vjetor që duhet ta bëjë edhe zyrtarisht para Kuvendit të Komunës, ndonëse siç e ka pranuar vet kryetari, më me dëshirë nuk do të vinte për të raportuar as në 6 mujor dhe as në 12 mujor.

Për sa i përket vlerësimit tonë, më vjen keq por nuk e di për të satën herë, ne duhet ta përsërisim atë që kemi thënë, se planifikimet e qeverisë komunale Haziri asnjëherë nuk janë realizuar as me kohë edhe as me cilësi. Dhe atë që këta kanë planifikuar për 4 vjet, për një mandat qeverisës, nuk mund e realizojnë as për dy mandate. Shembulli më i thjeshtë ilustrues është lumi Mirusha, i cili siç jemi dëshmitarë të gjithë, po hyjmë vë vitin 2020 dhe ai ende nuk është kryer. Pra ky projekt shkon përtej 2 e 3 mandateve qeverisëse.

Ndërsa para se të flas për projektet dhe punët tjera, me që jemi në fundvit t’i kthehemi premtimeve Kryetarit të komunës dhe gjendjes së realizimit të tyre sipas Institutit GAP, nga i cili del se nga 32 premtime të z. Haziri vetëm 8 janë kryer, 3 janë gjysmë të përmbushura, 13 të filluara dhe 8 fare të pafilluara.

Pra, nga premtimet e tij, ai tashmë kur ka kaluar gjysmën e mandatit të dytë dhe ka realizuar vetën 1/4 e premtimeve ose 25%. Sipas kësaj dinamike z. Hazirit, dhe nëse merret si mesatare, del se edhe dy vjet mund të arrijë në realizim të 16 premtimeve apo 50% të premtimeve.

Nëse qeveria komunale është sfiduar me mungesën e ujit të pijshëm dhe e njëjta që nga qershori nuk ka bërë asgjë që tejkalojë këtë sfidë, nuk e di për çfarë suksesi mund të flitet. Më së shumti në këtë aspekt janë sfiduar qytetarët që nuk mund të bëjnë asgjë e që shpresat i kanë të varura tek institucionet që kanë përgjegjësi edhe për këtë çështje. Nëse institucionet duhet pritur vetëm reshjet për të pasur ujë, atëherë këto s’po dallojmë asgjë nga qytetarët, sepse edhe ata vetëm te të reshurat po shpresojnë, sepse po shohin se sa po bënë komuna.

Vendimi i 14 qershorit i kryetarit, shpallja e gjendjes emergjente, konferencat për shtyp, shqyrtimi i alternativave në letër, nuk i kanë sjellë asnjë qytetari ujin e pijshëm. Fajësimi i rënies së qeverisë është i gabuar, sepse komuna është dashur të shterim mundësitë e veta, kapacitet e angazhimin për të gjetur edhe zgjidhje. Po ashtu ato 200 mijë euro të ndara për ujë nuk janë funksionalizuar, por vetëm tash e tutje po pritet, por nuk po tregohet çfarë është bërë qe një stinë, katër muaj, e që në fakt pra nuk është bërë asgjë që qytetarët të kenë një artikull elementar e të domosdoshëm jetësor.

Çështje e banimit që kryetari e përmend si prioritet, qenkan ndërtuar 26 shtëpi për banim social, bashkë me donatorët, shumë mirë, por edhe për këto shtëpi edhe për ato të ndërtuara më herët, kurrë nuk ka pasur as minimumin e transparencës, as kush i ndërton, as si përzgjidhen përfituesit, as si përzgjidhen realizuesit e projekteve, as sa kanë kushtuar ndërtimet, as cili është statusi i tyre juridik, pra mungesë e plotë e transparencës, ndërsa për një kërkesë për ndihmë ndaj një qytetari për renovim qe aprovuar në një nga seancat e kaluara, pat mundësi të sillen edhe specifikacioni financiar edhe

informatat tjera, por jo edhe për këto dhjetëra shtëpi. Duke u bazuar në këto, mendojmë që këto ndërtime janë një rast i mirë për një hetim serioz.

Si projekte të realizuara të kësaj qeverisjeje mbeten një pjesë e shëtitores mbi lumin Mirusha, organizimi i disa panaireve dhe aktivitete kulturore e sportive. Por, pjesa më e madhe e projekteve mbeten në kuadër të objektivave siç janë; fshati social, donacion ende i parealizuar, ndërsa për projektin për të cilin kryetari thotë se duhet të mbahet mend, fjala është donatorët në realizimin e projekteve multimilionëshe, siç është Banka Evropiane për Zhvillim, Banka Investive Evropiane, USAID, GIZ, DEMOS etj. dhe nënshkrimi i marrëveshjen trepalëshe me BERZH’in për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, në vlerë prej 26 milionë eurosh, mbeten edhe më tutje projekt i së ardhmes, pra objektiv për Kryetarin, tash për tash projekte në letër. Se a do ta mbajnë në mend këtë viti qytetarët, është mirë të pyeten banorët e tre fshatrave Malishevë, Uglar e Pogragjë, për të cilët asgjë s’ka ndryshuar, ata në vazhdimësi janë të detyruar të durojnë rrjedhën e ujërave të zeza për midis fshatrave dhe kundërmimin e padurueshëm, në afërsi të shtëpive të tyre, pran oborreve, kopshteve, e rrugëve të të tyre, pa ia pasur borxh askujt dhe këtë ata e dinë, por s’kanë çfarë të bëjnë. Ndërsa nuk bëhet fjalë për kurrë farë preventimi për ndotjen e ujërave të lumenjve, sepse nuk ka mbetur lumë as përroskë në komunë që ka mbetur pa u ndotur.

Po ashtu asgjë nuk është bërë në kompleksin e shkollave të mesme, vetëm se po u merret hapësira e oborreve të shkollave, pa kurrë farë procedurash, ndërsa fazat e punës së kompletimit të këtij kompleksi kanë ngecur, por askush nuk jep asnjë informacion as përgjegjësi dhe deri kur do të zvarritet përfundimi i këtij projekti që tashme do të duhej të ishte harruar.

Unë do t’i propozoja kryetarit që në raportimet e tij të rregullta të obligueshme, të na flas çka ka realizuar dhe çfarë ka punuar, në këtë rast gjatë 12 muajve të kaluar, e jo të na flas për projektet që edhe më tutje mbesin në kuadër të idesë. I tillë është projekti në kuadër të programit të Partneritetit Publiko Privat (PPP), realizimit të tri studimeve të fizibilitetit për projekte në fushën e turizmit, energjisë, infrastrukturës biznesore, sportive, ato rreth gazit natyror etj.

Po kryetari dhe qeveria e tij komunale është mirë që t’i lë këto ëndrra, por të fillojë të punojë diçka konkrete, që qytetarët të kenë ujë të pijshëm apo të bëjë zgjidhje krejt të thjeshta, si p.sh. që palestra sportive “Bashkim Selishta” të mos rrjedh e pikë me rastin e rënies së çdo rige shiu, që të rinjtë dhe grupet sportive sa do pak të kenë ku të ushtrojnë.

Në kuadër të kësaj, sikur të kishin punuar mirë, do të mund të përmendnim projektet si shkolla e në fshatin Haxhaj, palestra sportive në Zhegër, qendra e mjekësisë familjare në Gjilan, stadiumin e qytetit, tregun etj., që sipas planit do të duhej të kishin përfunduar vitin e kaluar e ato as këtë vit nuk janë përfunduar dhe është shumë e dyshimtë se a do të përfundojnë në vitin 2020. Pra këto projekte, në një formë sikur është harruar se kur kanë filluar e po zgjasin aq shumë, tepër shumë, e mandate qeverisëse z. Haziri më nuk do të ketë. Për këto është dashur të flas kryetari drejtorët e tij, sepse po raportohet për punët e përfunduara, e jo as për projekte e ide të së ardhmes së fiksuar, e që nuk janë reale. Besoj që të gjithë duhet të jemi të aftë të dallojmë të tashmen nga e ardhmja dhe të shkuarën nga e tashmja.

Do të shtoja se qeverisjen komunale të Gjilanit gjatë këtij viti, e kanë përcjellë anomali të shumta që lirisht mund të quhen skandale; Siç janë punësimet nepotiste, pa konkurs, punësimet me kontratë në vepër, në veçanti gjatë periudhës së zgjedhjeve, si në administratë, bibliotekë, në drejtori të arsimit etj, për të cilat kemi folur edhe më herët.

Ndërtimet pa leje, jo vetëm të ulëta por edhe të larta, që po “lulëzojnë” në çdo pjesë të qytetit, ndërsa drejtoritë përkatëse, ajo e Urbanizmit dhe Isnpeksionit, jo që mbyllin sytë por edhe i ndihmojnë në forma të ndryshme.

Vendimet e Kryetarit për të dhënë mirënjohje e dekorata, pa përfillur procedurat dhe organet e kuvendit, madje duke dhënë shpërblime e tituj që nuk janë të parapara me rregullore të kuvendit dhe as me ligj.

Dhënia e hapësirave publike OJQ-ve, para skadimit të afatit e të marrëveshjes, pa debat publik dhe me propozime të ushtruesit të detyrës së drejtorit, siç është rasti me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Kadastrit, sikur ai të ishte anëtarë i kuvendit.

Abuzime me vendime të vjetra e të parealizueshme, siç është vendimi për hapësirën e varrezave të qytetit dhe veprimet uzurpuese konkrete në pronat që nuk janë të saj, ndërsa nuk i lihet Kuvendit si organ i ligjshëm, të gjej zgjidhje e altenativa këtij problemi.

Mosveprimet e komunës në lirimin e hapësirave të uzurpuara publike që janë të shumta, ndërsa vetëm me rrënimin e një objekti të vetëm, “vërshohen” mediat e portalet dhe gjithçka përfundon aty.

Dështimet e dëgjimeve e debateve publike me qytetarë në përgjithësi e edhe ky i fundit i kryetarit në veçanti, në të cilin ai e ndërprenë dhe nuk u përgjigjet në pyetje edhe atyre pak qytetarëve të pranishëm.

Këto janë vetëm disa nga dështimet e kësaj qeverisjeje, pa hyrë në punët e veçanta të secilës drejtori, për të cilat do të flasim në konferenca të tjera.

Gjilan, 31.12.2019

Nevzad Isufi- kryetat i QLVV dhe anëtar i Kuvendit komunal në Gjilan

You Might Also Like