Libri

POETIKA QË ZHBËN DEKLARATIVËN

 Sherafedin KADRIU

POETIKA QË ZHBËN DEKLARATIVËN

( Për përmbledhjen poetike “Vdekja kushton shtrenjtë” ( 1997 ) të poetit Xhevat Latifi )

Është një maksimë në art që duhet të merret parasysh nga ata që “infektohen” nga letërsia, siç thotë një koleg imi, por edhe nga ata që e kanë lëshuar thellë plugun në arën e ashtuquajtur poetikë: që emri i autorit të shënojë patjetër diçka të rëndësishme kur ai del me botim para lexuesit.
Fitohet një përshtypje, mbase me të drejtë e bazuar në përmbledhjen me poezi “Vdekja kushton shtrenjtë”, e autorit Xhevat Latifi, se ky vëllim poetik flet më shumë se ç’pritet në të vërtetë prej autorëve që dalin me libra të parë para lexuesit, në radhë të parë pse poezitë e kësaj përmbledhjeje janë strukturuar artistikisht e me një figurshmëri të dendur.
Poezitë janë të shkurtra, po me atë shkurtësi meditative paraqesin mendime e gjykime kapjesh të llojllojta tematike, filozofike e poetike njëkohësisht. Nganjëherë mëtojnë të thonë të vërtetën deklarativisht, por janë figurat poetike që e zhbëjnë deklarativen dhe e vetëdijësojnë poezinë e “Vdekja kushton shtrenjtë”.


Nëse kundërshtia formëson filozofinë e një vet-shkatërrimi të vetëdijshëm, për të qenë e nesërmja shpresëdhënëse, atëherë konceptet që afrohen më tutje përfaqësojnë një filozofi qëndrese meqë nga interteksti rrjedh moraliteti që i duhet kësaj kohe. Jo utilitarizëm, por si vlerë universale.
Poezitë e kësaj përmbledhje poetike janë motivuar nga e sotmja e lodhshme, fenomenesh nga më të ndryshmet me të cilat po përballemi, sfidat deri me procesin e vdekjes. Pozicionimi i autorit në raport me to, paraqet atë subjektin gjuhësor që vazhdon të flatrojë pas shkronjave të gjuhës shqipe, sepse vetëm me to do ta ndërtojë urën që bashkon brigje, këtu e gjetiu, në fshatin e lindjes e tej Bjeshkëve të Nemuna, apo me to do të prishë koncepte muresh prej merimangash.
Xhevati është arsimtar i ciklit klasor në shkollën fillore “Abaz Ajeti” të qytetit të Gjilanit. Kjo mund të jetë arsyeja pse ai ndjen ndryshe kur pikturon botën e fëmijëve. Poezitë si Liburna, Lemba po rritet, Nuk di të vras, Fëmijët e Kosovës e ndonjë tjetër, e pozicionojnë autorin në krye të detyrës si prind e si mësues dhe patjetër edhe si poet. Vërtet që mësuesit janë afër fëmijëve, sa “shkrihen për ta”. T’i fusësh në rrugën e dijes sa e sa gjenerata me synimin prindëror për t’i bërë më trima se vetveten, kjo do të thotë se ke bërë punë të çmueshme. Dhe nëse ajo fjala urtake thotë se vetëm prindi do ta shohë fëmijën para vetes së tij, ja ç’prind del edhe mësuesi poet që pa ekuivok e shpreh një gjë të tillë:

Kam zgjedhur rrugën time
T’ua mësoj abc-në
Tridhjetë fëmijëve
Të bëhen më trima
Se unë
(Nuk di të vras)

Xhevati zgjodhi për nxënësit e tij një rrugë të vështirë, të bukur e madhështore njëkohësisht, që në rrafshin artistik i bie të jenë luftëtarët e së nesërmes për dije dhe për jetën e lirë.
Jo rastësisht u ndalëm te poezia Fëmijët e Kosovës, poezi kjo që me fjalë e shprehje të kursyera zbërthen aktualitetin e rritës së fëmijëve të Kosovës, një rritë pa lojëra.

E çfarë rritje është ajo kur loja nuk është pjesë e saj?
E çfarë loje është ajo nëse bëhet në prani të plumbave?

Eksklamacioni i ka dhënë ngjyrën e hirtë vetë lojës, ndërsa nuk pret përgjigje fare. Ajo, përgjigja pra, e ka burimin në brendësinë e kuptimit poetik. Kjo poezi duket si një kopje e mirë, jo vetëm për nga titulli, e poezisë së Rafel Albertit, të titulluar Fëmijët e Estramadurës.
Një krahasim i përciptë do të shtrohej kështu:

Nëse fëmijëve të Kosovës ua morën topin, fëmijëve të Fstramadurës kush ua vodhi lojën?
Nëse fëmijët e Kosovës u poqën para kohe, fëmijët e Estramadurës duken seriozë.

Janë dy poezi që bashkëgjakojnë mesazhin e njëjtë për ta manifestuar jo vetëm lojën fëmijërore, por pjekjen dhe seriozitetin e fëmijës që piqet para kohe në rrethana pushtimi, atëherë kur serioziteti u takon të rriturve, po fatkeqësisht bëhet pronë edhe rritës fëmijërore.
Është takuar apo jo Xhevat Latifi me Fëmijët e Estramadurës, nuk është me rëndësi. E rëndësishme është kjo pikëpjekje ideo-tematike dhe motivuese, si dhe strukturimi poetik i poezisë së tij. Takimi me poet të mëdhenj nuk do të thotë shumë, nëse vazhdimësia nuk e përligj shfaqjen e parë. E, Xhevati me këtë shfaqje para publikut del mjaft i arrirë dhe po ndoqi me seriozitet këtu rrugë, mund të bëjë më shumë për poezinë.

***
P.s.

Ky vlerësim, me një intervenim të përciptë gjuhësor e tematik, është lexuar më 8 shtator 1997, me rastin e përurimit të librit “Vdekja kushton shtrenjtë”në kafierinë WEST të Gjilanit.
Sot, pas 22 vitesh, mund të konstatoj se Xhevat Latifi ka sjellë para lexuesit edhe poezi tjera të arrira artistikisht, duke i bërë emrit të tij jo thjeshtë vend në mesin e shkrimtarëve të Kosovës, po dhe më gjerë. E këtë e thonë këto shënime:
Në vitin 2005 ka botuar vëllimin e dytë poetik “Shi në flokun tënd”. Krijimtaria nuk matet me sasi, prandaj konsiderojmë se te ky autor ka sunduar dashuria për cilësinë e lartë të poezisë së tij, që mund të thuhet se e ka arritur në mënyrën më të mirë. Poezitë e këtij poeti janë përkthyer dhe botuar në gjuhën rumune, në revistën Haemus, në Antologjinë e poezisë Shqipe në Shqipëri, sikur dhe në Antologjinë “LOTËT E VIRGJËR”, përgatitur nga Agim Mato e Fatmir Terziu, botoi SHB “ACPE&LULU “ – USA , 2012. Poezitë e Xhevatit janë përfshirë edhe në Antologjinë “EMANATIONS”, në Gjuhën Angleze, – një përmbledhje e 30 shkrimtarëve nga e gjithë bota, – të botuar nga International Authors 2012 , me redaktor Carter Kaplan. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjuhët botërore, si në anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht, me të cilat ai u prezantua Në Ekspozitën e Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, në Kuadër të shënimit të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar.
Përndryshe, Xhevat Latifi u lind më 28 maj të vitit 1968 në Gjilan. Ka kryer Fakultetin e Edukimit, Universiteti i Prishtinës dhe studimet për magjistraturë në Sociologji, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ( Maqedoni ).
Xhevat Latfi, përveç krijimtarisë letrare, ka një përvojë të gjatë në gazetari dhe ka punuar si korrespodent për RTV 21, Gazeta Lajm, Express, RTK duke mbuluar rajonin e Gjilanit. Është njëri nga themeluesit e www.xlpress.tv– Communation Media, ku punon si redaktor përgjegjës.
Gjithashtu, Xhevat Latifi është fitues i disa konkurseve dhe shpërblimeve letrare, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, mes viteve 2000 – 2018 ).

You Might Also Like