OPINION

Popullsia e Kazasë së Gjilanit në fillim të shekullit XX

 

Enver Sadiku

 

Sipas sallnamesë së ndarjes territoriale të Perandorisë Osmane, në fillim të shekullit XX, rrethi i Gjilanit në përbërje të tij kishte 54694 banorë, ku dominonte popullsia myslimane (shqiptare), pastaj vinin të krishterët, e kishte edhe romë, të të dy përkatësive fetare. Edhe në brendi të qytetit dominonte popullsia myslimane (shqiptare). Kazaja e Gjilanit kishte 28 mijë e 595 meshkuj e femra myslimanë (shqiptarë) dhe 21 mijë e 412 të krishterë meshkuj e femra (në kazanë e Gjilanit, sidomos në fshatrat e Malësisë së Karadakut jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë një numër i shqiptarëve të besimit katolik. E.S.).[1] Statistikat e Perandorisë Osmane, kur krahasohen me ato gjermane, serbe e bullgare të kohës, e që kanë të bëjnë me përkatësinë kombëtare, shpesh nuk përputhen, duke qenë nganjëherë edhe kontradiktore. Dihet se Perandoria Osmane regjistrimin e popullsisë e bënte në bazë të fesë e jo në bazë të kombësisë, kurse nga të dhënat e nxjerra dëshmohet se shumica e banorëve të Gjilanit dhe e tërë kazasë ishin shqiptarë të besimit islam. Në disa fshatra të Karadakut kishte popullsi shqiptare të besimit katolik. Pjesa tjetër e popullsisë ishin serbë, romë, çerkezë e të tjerë. Gjuha osmane ishte gjuhë zyrtare e administratës dhe atë e flisnin një numër i shqiptarëve, sidomos ata në qytete, pra edhe në qytetin e Gjilanit, duke pranuar disa prej tyre edhe doket dhe zakonet osmane.[2]

Se popullsia shqiptare e Vilajetit të Kosovës, e me këtë edhe ata të kazasë së Gjilanit ishin shumicë dërmuese, dëshmojnë edhe dokumente të Arkivit Shtetëror të Vjenës të vitit 1912, të cilat japin fakte se në katër vilajetet e banuara kryesisht me shqiptarë (Vilajeti i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës) jetonin rreth 1.980.000 shqiptarë e prej tyre Vilajeti i Kosovës kishte 900.000 banorë, kurse Sanxhaku i Prishtinës në kuadër të të cilit ishte edhe kazaja e Gjilanit, kishte rreth 250.000 banorë.[3]

Pas pushtimit të Vilajetit të Kosovës nga Serbia në tetor të vitit 1912, në Kosovën e pushtuar e me të edhe në Gjilan me rrethinë, Serbia vuri në zbatim ndarje territoriale me të cilat në njësitë territoriale mundohej të përfshinte sa më tepër elementë sllavë nga viset e brendshme të Serbisë. Me këto veprime, duke u munduar që të ndërrojë strukturën e popullatës, Serbia synonte që para Fuqive të Mëdha të vërtetonte se në viset administrative të pushtuara kishte elementë të rëndësishëm sllavë. Kjo ndarje administrative kishte gjithashtu për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve dhe kolonizimin e këtyre trojeve me elementë sllavë.[4] Pos ndarjes administrative, pushtuesi i ri kishte filluar evidentimin dhe regjistrimin e popullsisë. Sipas një raporti të ushtrisë serbe në vitin 1912, popullsia e Gjilanit për kohën, numerikisht ishte mjaft e madhe. Qyteti i Gjilanit kishte 7.767 banorë, ndërsa Rrethi i Gjilanit, sipas këtij raporte kishte: serbë – 21.349 banorë, romë ortodoksë 2.732 banorë, katolikë 1.864 banorë, turq 4.357 banorë, shqiptarë 44.354 banorë dhe romë myslimanë 3.075 banorë, pra gjithsej 77.731 banorë.[5] Për qëllime të tyre politike, pushtuesi serb mundohej që popullatën e tyre të vogël me anën e falsifikimeve ta paraqesin numerikisht sa më të madhe se sa ishte në realitet, sepse një statistikë e tillë i nevojitej për më vonë në Konferencën e Londrës.[6] Mirëpo, siç shihet në Memorandumin shtesë të delegacionit të Qeverisë së Vlorës në Londër, më 25.01.1913, ku jepeshin të dhëna për popullsinë shqiptare në trojet etnike, fakte këto që duhej të ndihmonin në caktimin e kufijve, ndër të tjera, në pjesën ku flitej për Gjilanin, thuhej se në kazanë e Gjilanit, mbi 80 përqind e popullsisë janë shqiptarë.[7]

Për nevojat e saja politike, Serbia më 4 prill 1913, bëri një regjistrim të popullatës sipas rretheve, regjistrim i cili u realizua në kushte shtetrrethimi dhe terrori të paparë mbi shqiptarët. Sipas këtij regjistrimi, në pjesën ku flitet për rrethin e Gjilanit, thuhet se kishte 15 komuna, 195 fshatra, 11.264 shtëpi, prej të cilave 3.135 ishin serbe, 628 – turke, 6.629 – shqiptare dhe 872 – të tjera. Në pjesën ku flitej mbi numrin e banorëve të Gjilanit, sipas këtij regjistrimi, rrethi i Gjilanit kishte 76.579 banorë prej tyre 39.004 meshkuj dhe 37.575 femra.[8] Ndërkohë, shefi i Qarkut të Prishtinës, në raportin e tij nr. 3133 të datës 08 maj 1913, për gjendjen në Qarkun e Prishtinës, në pjesën ku flet për Rrethin e Gjilanit, thotë se ky rreth kishte 76.731 banorë, prej të cilëve serbë ishin 7.868 banorë, romë ortodoksë – 2.732, katolikë – 1.864, turq – 4.357, shqiptarë – 44.354 dhe romë myslimanë – 3.075 banorë.[9]

Në bazë të të gjitha statistikave, osmane, gjermane, bullgare, serbe, por edhe të atyre që i kishte paraqitur delegacioni i Qeverisë së Vlorës në memorandumin dërguar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, del dhe dokumentohet se në Gjilan dhe rrethin e tij, ky territor ishte i banuar me shumicë dërmuese shqiptare, duke përfshirë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera, që ishin dukshëm në numër më të vogël.

 

(Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike” i autorit Enver Sadiku)

 

[1] AIH, AS, A-IV-93, f. 36.

[2] Selmani, A. 1998. Gjilani me rrethinë 1908 – 1912. Prishtinë: Dritapress, f. 26-27.

[3] AIH, Mikrofilm nga Arkivi Shtetëror i Vjenës për vitin 1912, nr. 25/37. 58/1912.

[4] Gexha, Q. 2003. Popullsia dhe raportet ndëretnike në Kosovë 1912–1914 (disertacion i doktoratës), Prishtinë, f. 43 – 44.

[5] Rushiti, L. 1997. Rrethanat politike e shoqërore në Kosovë 1912-1918, Prishtinë: Rilindja, 1997, f. 89 – 90.

[6] Gexha, Q., vep. e përm., f. 80.

[7] Po aty.

[8] Rushiti, L., vep. e përm., f. 71; Архив Србије (АC) Министарство Унутрашњих Дела (МУД). Ф-22, бр. 1. Врховна Команда III Српске Армије, 1913/04/03.

[9] Rushiti, L., vep. e përm., f. 89; AC. MУД. Ф -XV, бр. 41. Извештај начелинка Округа Косова, бр. 3133, 18.В.1913.

You Might Also Like