Industri

Privatizimi la në rrugë mijëra punëtorë

Llogaritet se vetëm 10-15 për qind e numrit të përgjithshëm prej 18 mijë punëtorëve, sa kishin dikur këto ndërmarrje, kanë arritur të gjejnë ndonjë punë tjetër. Mijëra punëtorë që dikur punonin në ndërmarrjet shoqërore tash bredhin rrugëve. Gjilani, që dikur ishte një qendër e njohur industriale, tashti është shndërruar në një qytet me qendra të mëdha tregtare. Kombinati i Tekstilit “Integj”, Fabrika e Baterive “IBGJ”, Kombinati i Duhanit “IDGJ”, Kombinati Bujqësor “Anamorava”, “Çeliku” e ndërmarrje të tjera të njohura dikur punësonin mijëra punëtorë, por që tashti, shumica e këtyre objekteve kanë ndërruar destinacionin dhe kryesisht merren me veprimtari tregtare.
Llogaritet se vetëm 10-15 për qind e numrit të përgjithshëm prej 18 mijë punëtorëve, sa kishin dikur këto ndërmarrje, kanë arritur të gjejnë ndonjë punë tjetër. Shumë prej tyre kanë vdekur pa e marrë 20 përqindshin ngaprivatizimi i ndërmarrjeve ku punonin dikur e ka edhe të atillë që nuk e gëzuan pensionin fare. Të shtyrë në moshë, tregu privat nuk pati punë për ta.
Kombinati i Tekstilit që dikur punësonte mbi 3 mijë punëtorë edhe tashti vazhdon veprimtarinë, por me kapacitete dukshëm më të vogla e dikur ishte një gjigant i ekonomisë së këtij rajoni.
Gati se asnjëra nga ndërmarrjet e reja, që u krijuan nga privatizimi, nuk ka arritur të rikthehen në prodhim. Ekspertët e ekonomisë në Kosovë e vlerësojnë të dështuar privatizimin, i cili ka krijuar emra ndërmarrjesh të reja, por jo edhe kompani të suksesshme që operojnë dhe ofrojnë vende pune.
Aziz Azizi, nga Sindikata Rajonale e Punëtorëve, thekson se mbajtën edhe protesta për këtë qëllim, ngase kjo kategori i e punëtorëve ka mbetur në gjendje të mjerueshme. Ai ka thënë se ka pasur edhe vonesa të gjata edhe te ndarja e 20 përqindëshit, te dhënia e pagave për humbje të vendit të punës dhe obligimeve tjera ndaj tyre. Sipas sindikatës, dhjetë për qind e punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizua, kanë vdekur deri tani duke pritur të realizojnë të drejtën e tyre. Më e keqja është se mjetet e privatizimit nuk janë ftuar në funksion të zhvillimit ekonomik. Azizi rikujton se deri në vitet e 90-ta, Gjilani kishte një ekonomi relativisht stabile, që përbëhej nga Industria e tekstilit, Industria e duhanit, Industria e baterive, Fabrika e radiatorëve dhe stabilimenteve tjera ngrohëse, Fabrika e prodhimeve për xehetari dhe konstruksioneve të çelikta, Thertorja, Industria e miellit dhe e bukës e të tjera, por se shfrytëzimi jo i drejtë dhe mirëmbajtja jo e duhur e këtyre kapaciteteve, gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm serb në Kosovë, bëri që riaktivizimi i tyre pas luftës të jetë i vështirë dhe vetëm ndonjëra arriti të rifillojë prodhimtarinë.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se komuna e Gjilanit në mënyrë aktive është marrë me problemet e zhvillimit ekonomik. Ai ka thënë se Gjilani nuk mund të bazohet në ekonominë që e kishte dikur, por se duhet të forcohet sektori privat dhe ekonomia private. Sipas tij duhet shfrytëzuar edhe potencialin e kurbetçarëve që i ka Gjilani, ngase siç ka theksuar ai vetëm nga Gjilani ka mbi 100 kurbetçarë, të cilët tashti janë milionerë dhe të cilët do të mund të investonin në vendlindjen e tyre.

Haziri, ka kërkuar më shumë investime në sektorin privat, e sipas tij komuna edhe më tej mbeti punëdhënësi më i madh në këto anë.

 

You Might Also Like