Libri

PROFESOR ZIJADIN MUNISHI – FIGURË POLIEDRIKE E DIJES DHE E SHKOLLËS SHQIPE

Shkruan: dr. Baftijar Kryeziu
Në 80-vjetorin e lindjes
PROFESOR ZIJADIN MUNISHI – FIGURË POLIEDRIKE E DIJES DHE E
SHKOLLËS SHQIPE
Në atë fshat kodrinoro-malor, në Gëmicën e Gollakut të Kamenicës, këtu e 80 vjet më parë, më 25 shkurt 1941, lindi Zijadin Munishi – fëmija i parë i prindërve Jusuf e Gjylë Munishi.
Zijadini shkollën fillore e nisi në Tugjec të Kamenicës, por në mungesë të klasave të larta, e mbaroi në Hogosht. Në vitin 1961 e kreu shkollën normale në Prishtinë. Pak kohë punoi mësues në fshatin Poliçkë, e pastaj një vit shkollor ishte arsimtar i gjuhës shqipe (i padiplomuar) në Shkollën fillore të fshatit Koretin.
Në vitin shkollor 1962/’63 i regjistroi studimet në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilat i mbaroi më 1966, me sukses shumë të mirë. Gjatë studimeve, dy vjet punoi si edukator në strehimoren e ish-Qendrës Krahinore për Punë Sociale në Prishtinë.
Pasi i kreu studimet, punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme të Gjilanit: së pari, një vit shkollor (1966/’67) punoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, e pastaj në Shkollën Normale të Gjilanit. Në vitin 1969 u zgjodh drejtor i Shkollës Ekonomike në Gjilan. Pas një viti e lëshoi këtë detyrë dhe kaloi në Prishtinë në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të KSA të Kosovës, në vendin e punës së lektorit-redaktorit të teksteve shkollore. Pas pak kohësh u zgjodh drejtor i këtij enti (mars 1971), të cilën detyrë e ushtroi deri në dhjetor të vitit 1974 kur, me kërkesën e vet, mori detyrën e redaktorit profesional për tekstet e gjuhës, meqë ndërkohë ishte regjistruar në studimet pasuniversitare në fushën e gjuhësisë, të cilat studime i përfundoi me sukses dhe në janar të vitit 1979 e mbrojti edhe temën e magjistraturës: “E folmja e Gollakut të Kamenicës” (fonetikë-morfologji).
Edhe para se të magjistrojë, në vitin 1976, zgjidhet ligjërues në Shkollën e lartë pedagogjike “Skënderbeu” të Gjilanit për lëndët: Kulturë e të folurit dhe Metodika e zhvillimit të të folurit. Këtë detyrë në fillim e ushtroi në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, krahas punës së tij të rregullt të redaktorit të teksteve të gjuhës në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të KSA të Kosovës.
Me hapjen e Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në SHLP “Skënderbeu” të Gjilanit, më 1977, kaloi mësimdhënës i rregullt në këtë shkollë për të ligjëruar lëndët: Praktikumi i gjuhës shqipe dhe Gjuhë e sotme shqipe I (fonetikë-morfologji), duke ligjëruar njëherazi edhe lëndët: Kultura e të folurit dhe Metodika e zhvillimit të të folurit në Degën për Edukatore të enteve parashkollore. Në vitin 1982, fitoi titullin “Profesor i shkollës së lartë”, në të cilin titull u rizgjodh edhe dy herë më vonë.
Në vitin 1988 kaloi me punë në SHLP të Prishtinës, kurse në konkursin e shpallur të kësaj shkolle, më 1989, u zgjodh profesor i shkollës së lartë për lëndët: Gjuhë e sotme shqipe I dhe Metodikë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe. Këto lëndë mësimore në SHLP të Prishtinës i ligjëroi deri në fund të karrierës së tij, krahas postit të drejtorit që e ushtronte që nga 1 janari i vitit 1999. Po këtë vit, në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, filloi të mbajë ligjërata në lëndën Metodikë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Fakultetin e Mësuesisë në Prishtinë dhe lëndën Gjuhë e sotme shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tetovës.
Krahas punës së mësimdhënësit, profesor Munishi ka marrë pjesë edhe në shumë konferenca e seminare vendore, ato ndërkombëtare si dhe në vizita studimore, si: në Kanada, Danimarkë, Hungari etj., gjithnjë në nivelin e një eksperti të padyshimtë. Punën dhe veprimtarinë e tij të frytshme profesionale – studimore e pasqyron bibliografia (edhe pse e reduktuar) e veprave dhe e shkrimeve të tij të publikuara, në disa fusha, siç janë:
I. Trajtesa në fushën e gjuhësisë, ndër të cilat po përmendim ato ku, profesori ynë, trajtoi problemet gjuhësore që kanë të bëjnë me: kriteret dhe metodat shkencore të mbledhjes dhe botimit të leksikut popullor; prapashtesat; përdorimi i drejtë i nyjave të përparme; kultura e gjuhës dhe kultura e të folurit; përdorimi normativ i disa emrave në gjuhën standarde; zgjedhim i gabueshëm i foljeve; recensione për veprën “Gjuhësi ballkanike” të Sh. Demirajt; “Praktikumi i gjuhës shqipe” të mr. Fadil Sulejmanit; “Metodika e gjuhës shqipe” të mr. Esat Hoxhës; “Udžbenik albanskog jezika za vojne starešine” të Gani Lubotenit etj.
II. Preokupim të përhershëm profesor Munishi kishte çështjen e mësimit në shkollat tona, i cili, në disa nga trajtesat e tij, shpërfaq dijen dhe përvojën e tij në fushën e teorisë së mësimit të gjuhës, siç janë trajtesat: Ku qëndrojnë burimet kryesore të formalizmit në mësim; Teksti shkollor duhet t’i shtrohet kritikës së gjithanshme; Aspekte të gjuhës në tekstet shkollore; Rreth të metave të një planprogrami mësimo(1978); A bën të ndahen si dy lëndë më vete gjuha dhe letërsia?Gjuha në shkollë – aspekti teorik dhe aspekti praktik etj. etj.
III. I përgatitur fort mirë në fushën e gjuhësisë, profesor Zijadini, shpeshherë reagonte edhe ndaj atyre që bënin gabime gjuhësore në veprat e tyre, duke polemizuar me ta me sens të një intelektuali të rysur, si p.sh.: Ato nuk janë gabime… (për tekstin Gramtikë e gjuhës shqipe për kl. V të shkollës fillore, 1976); Edhe polemika është krijimtari me norma të përcaktuara, etj.
IV. Si redaktor që ishte në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore, dhe jo vetëm gjatë asaj kohe, profesor Zijadini ka përshtatur dhe ka bërë redaktuarën profesionale të një numri të konsiderueshëm të teksteve shkollore, si p.sh., të autorëve të shquar, si: Fatmir Agalliu – Anastas Dodi – Islam Dizdari; Demush Shala; Jani Thomaj; Riza Brada – Musa Nushi; Shaban Demiraj; Dr. Latif. Mulaku – Mr. Ahmet Kelmendi; Isa Bajçinca etj., pa lënë anash as fusha të tjera interesimi e studimi.
V. Profesor Zijadini e njihte mirë edhe serbokroatishten. Kjo i ndihmoi që të përkthente disa libra, ndër të cilët po përmendim: Histori e filozofisë për klasën IV të shkollës së mesme (autorë: V. Koraq – M. Zhivotiq etj.), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë, 197l; Dituri shoqërie për klasën IV të shkollës fillore (autorë: J. Rexhepagiq – V. Nedoviq), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë, 1981 ; Idetë pedagogjike në veprën e Naim Frashërit (autor: Dr. Nijazi Zylfiu), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë, 1982 etj. Me rastin e mbajtjes së mbledhjeve të rëndësishme në organet poltike-shoqërore, të konferencave të shtetarëve të rangut të lartë, profesor Zijadinin e angazhonin për përkthime të drejtpërdrejta (simultane), si njërin ndër përkthyesit më të mirë të gjuhëve: shqip – serbokroatisht e sidomos serbokroatisht – shqip.
VI. Është për habi, pse profesor Zijadini, me gjithë atë bagazh njohurish e shkrimesh, nuk botoi më shumë tekste e vepra, pos këtyre: Gjuha shqipe dhe kultura e të shprehurit (tekst shkollor për kl. III-IV të shkollave të mesme), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë, l980; Zgjedhimi i foljeve, “Libri Shkollor”, (botim i veçantë), Prishtinë, l998?!
Mbështetur në polivalencën që e karakterizonte profesor Munishin në shumë fusha të dijes, me plot gojën mund të themi se ai ishte dhe mbetet një ndër gjuhëtarët më të mirë ndër ne, metodist i shkëlqyeshëm, pedagog i rrallë, studiues i dalluar, jo vetëm në fushën e studimeve gjuhësore, por edhe të zbatimit të mësimdhënies bashkëkohore te studentët, të përkthimeve, të leksioneve që mbante për gjuhën në radio-televizionet tona për masën e gjera etj. Profesor Zijadini shquhej edhe si sportist i mirë, në shah e volejboll, këngëtar i mirë, e mbi të gjitha, njeri i veçantë që të rrallë e ka shoqin.
Jo për të gjallë, por edhe pas 13 vjetësh nga ikja e tij në amshim, nuk mund të takosh një ish-student, një koleg pune, një shok e mik të tij që nuk flet me pietet të lartë për profesor Zijadinin – një vlerësim i rrallë që nuk i atribuohet bash çdo kujt.
Me rastin e ndarjes nga jeta, më 20 prill 2008, kur ende i duhej shkencës, arsimit e kulturës sonë, familjes e shoqërisë në përgjithësi, profesori, shoku e miku ynë i rrallë iku në amshim, duke lënë pas vete bashkëshorten, Eminen, fëmijët: Shkumbinin (tani anëtar i ASHAK-ut), Kushtrimin, Mimozën dhe Pranverën – të gjithë trashëgimtarë të vyeshëm të profesor Zijadinit.
Jemi thellë të bindur se respekti e kujtimet për Të, por edhe zotimet e tij për ndihmesat e çmuara, do mbesin të freskëta në mendjet tona, e të gjithë atyre që e kanë njohur profesor Zijadinin, ose që kanë lexuar e dëgjuar për Të.
Gjilan, 25 shkurt 2021

You Might Also Like