OPINION

Pse jam kundër testimit të mësimdhënësve, por jam për inspektim?

Valentina Bunjaku – Rexhepi, deputete

1. Testimi i mësimdhënësve është antiligjor, pasi që vlerësimi për mësimdhënësit është bërë nga profesorët e tyre dhe kanë marrë diploma për këtë, e ligji nuk parasheh autoritet tjetër për vlerësim, përveç universiteteve të pranuara nga MASHT;

2. Testimi i mësimdhënësve vjen nga zhgënjimi i publikut për rezultatet në PISA dhe kritikat shkonin në MASHT-in, për politikat e dobëta ndaj sistemit arsimor. Prandaj, MASHT duke dashur ta largonte përgjegjësinë nga vetvetja, me testim, po synon ta reduktojë përgjegjësinë e cilësisë vetëm te mësimdhënësit. Ne besojmë se rezultatet negative në PISA vijnë nga shumë faktorë, e jo vetëm cilësia e mësimdhënësve;

3. Mësimdhënësit duhet të inspektohen periodikisht apo rregullisht, por të rritet numri i inspektorëve, në përputhje me ligjin në fuqi rreth inspektoratit arsimor. Jo të provokohen e kinse të sfidohen me testim njerëzit e dijes, por të inspektohen më cilësisht dhe të rritet numri i inspektorëve;

4. Performanca e mësimdhënësve mund të matet në forma të ndryshme, e jo me një testim, i cili ka dështuar edhe te vetë nxënësit, e lëre më te mësimdhënësit;

5. Le të bëhet rekrutimi i mësimdhënësve me kritere profesionale e meritokratike, e jo më pastaj kur punësohen, sërish të futen në testime;

6. Me testimin e mësimdhënësve, ju do ta ulni autoritetin e tyre para vetë nxënësve dhe të bëhen shaka të këtyre të fundit me këta të parët;

7. Mos të harrojmë kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të ‘90-ta, të shekullit të kaluar, të cilët mbajtën gjallë arsimin shqip. Hiqjuni testimit të tyre, por sa më shpejt të miratohet Ligji për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta!;

8. Nuk ia vlen të bëjmë testime, të cilat do t’i kushtojnë shumë buxhetit të varfër të Kosovës dhe MASHT-it. Po të siguronte ndonjë rezultat, ndashtë, por jemi dëshmitarë se testimet e tilla nuk po rrisin performancën;

9. Me testimin e mësimdhënësve, ne do të krijojmë ‘instrumente dhe kuadro paralele të vlerësimit’, me inspektorët e arsimit. Pse të ketë inspektime, nëse ka testime, dhe anasjelltas?! Ose testime, ose inspektime!;

10. Mësimdhënësit përmes këtij testimi, po paragjykohen dhe stereotipizohen që në start, si të padijshëm, analfabetë funksionalë etj. Kjo do ta dëmton rëndë popullaritetin e tyre para nxënësve dhe publikut të gjerë, dhe duke etiketuar dhe stigmatizuar mësimdhënësit, vetëm do t’i dekurajojmë ata dhe ato.

Prandaj, unë jam kundër testimit të mësimdhënësve, por jam për inspektimin e tyre.

You Might Also Like