Sportet me dorë

RC Cola Drita ka vetëm një synim, inkuadrimin në Superligë

Pranvera pritet të jetë e nxehtë në Ligën e Parë në Basketboll. Ekipet mëtuese për inkuadrim në rang më të lartë të garave kanë nisur përforcimet për stinorin që është në prag.

RC Cola Drita, ekip që është riorganizuar, është njëri ndër pretendentët kryesorë për inkuadrim në Superligën e Kosovës në Basketboll. Ekipi gjilanas ishte shumë i fortë në stinorin vjeshtor dhe për momentin është në pozitën e dytë vetëm me një humbje edhe atë me rezultat minimal, por në pranverë gjilanasit kanë vetëm një synim, vendin e parë, që direkt dërgon në rang më të lartë të garave.

Arben Bislimi, dikur kapiten i KB Drita e më pas edhe trajner, tashti ka një rol krejt tjetër, udhëheqjen e ekipit. Sipas tij, janë mobilizuar së tepërmi dhe po përgatiten në mënyrë intensive për vazhdimin e kampionatit.

Së fundi Drita është përforcuar edhe me dy lojtarë të rinj, që janë shumë cilësor. Ekipi bardh e kaltër në radhët e veta ka sjellë amerikanin Xzavier Barmore, i cili luan në pozitën e fundit dhe tashti së bashku me Qëndrim Demin do të përbëjnë dyshen organizatore të lojës.

Nëse cilësitë e Barmore pritet të shihen, një gjë dihet përforcimi tjetër Arian Mehmeti, është lojtar shumë i mirë, ngase ai edhe më herët kishte luajtur për KB Drita.

“Titulli i kampionit, ky është synimi i ynë. Qyteti i Gjilanit e meriton të ketë një ekip basketbolli në Superligë dhe RC Cola Drita, që sivjet ka gjetur sponsor, ka një përbërje të mirë dhe në të cilën ka punë, përkushtim dhe dëshirë të madhe për t’u inkuadruar në Superligën e Kosovës në Basketboll”, ka thënë Arben Bislimi, kryetar i RC Cola Drita. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like