OPINION

RRUGËTIMI HISTORIK I KOSOVËS DHE GJILANIT PËR ÇLIRIM

Naim Musliu

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912 përfshiu gjitha trojet shqiptare. Kurse më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare i la nën sundimin serb, malazez dhe grek. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Kosova ishte nën pushtimin austro-hungarez e bullgar ndërsa në vitin 1918 Kosova u ripushtua nga serbët. Kurse Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1919 vendosi përfundimisht që territori i Kosovës t’i mbetej Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Në vitin 1924 regjimi serb filloi planin për kolonizimin e Kosovës. Në vitin 1933, qeveria jugosllave filloi negociatat me Turqinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky plan nuk u realizua ngase filloi Lufta e Dytë Botërore. Nga viti 1941 deri më 1944 Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi atë italiane, gjermane e bullgare. Ndërkaq, gjatë pushtimit nazist në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e “Tokave të Lirume” nga pushteti jugosllavo – serb. Megjithatë, më 8 shkurt 1945 Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat komuniste jugosllave. Vitet e para të pushtimit të Kosovës nga viti 1945 deri më 1951, vepronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kundërshtonte pushtimin komunist serb.

Në vitin 1968, rinia e Kosovës u ngrit në demonstrata që Kosova ta fitojë statusin e republikës. Në vitin 1981 filluan demonstratat e studentëve, me ç’rast u vranë dhe u plagosën shumë shqiptarë dhe u burgosën mijëra të tjerë. Më 17 janar 1982 vritet në Gjermani Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Më 11 janar 1984, në luftë me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë vriten Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Më 19 – 20 shkurt 1989, u mbajt greva e minatorëve në Trepçë. Në vitin 1989 u izoluan 254 intelektual. Më 28 mars të vitit 1989 kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës. Në vitin 1989 filloi pluralizmi politik dhe krijimi i partive politike ku rol të madh luajti Lidhja Demokratike e Kosovës të udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Në shkurt të vitit 1990 filloi edhe aksioni për pajtimin e gjaqeve. Më 2 korrik 1990, kuvendi i Kosovës shpalli Deklaratën Kushtetuese. Më 7 shtator 1990, në Kaçanik u shpallë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në vitin 1991 u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës. Nga vitit 1992 u themeluan institucionet e pavarura të Kosovës.

Në të gjitha këto aktivitete politike e ushtarake nëpër gjitha etapat që u përmendën më lartë e që i kaloi Kosova gjatë historisë së saj, gjilanasit dhanë kontribut të çmuar dhe madje edhe vendimtar në përpjekje për çlirimin dhe bashkim kombëtarë.

Kurse në fazën e fundit të çlirimit të Kosovës, më 1 tetor 1997 shpërtheu protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, doli në mënyrë publike Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lufta e Kosovës, filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit të policisë serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë. Më 5 deri 7 mars 1998, bie heroikisht familja e komandantit Adem Jashari. Në maj të vitit 1998, kontaktet e para nga Anamorava me Shtabin e Përgjithshëm t UÇK – së i vuri Abdullah Tahiri. Pas burgosjes së tij, më 18 qershor 1998, nga Shtabi i Përgjithshëm, koordinator për organizimin e Nënzonës që më vonë u quajt Zona Operative e Karadakut u caktua Ahmet Isufi. Zona Operative e Karadakut përfshinte territorin e Gjilanit, Vitisë, Dardanës dhe Artanës. Kurse më 8 nëntor 1998 në Zllash konsolidohet struktura udhëheqëse e Shtabit të Zonës Operative të Karadakut. Në këtë takim vendoset që të formohet Brigada 171 “ Kadri Zeka” që vepronte në territorin e Marecit, Malësisë së Zhegocit dhe Gjilanit.

Nga shumë masakra anekënd Kosovës forcat serbe gjatë muajve prill-maj 1999 kryen masakra edhe në Llashticë, Lladovë, Bresalc, Zhegër, Llofcë, Gjilan etj., por masakra e Reçakut më 15 janar të vitit 1999, luftën e UÇK – së e vuri në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Në shkurt – mars të vitit 1999, u mbajt konferenca e Rambujesë. Pas tërheqjes së Misionit Verifikues të Kosovës, më 19 mars 1999, shteti serb e filloi aksionin për spastrimin etnik të Kosovës. Më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO – s ndaj caqeve ushtarake serbe të cilat zgjatën deri më 11 qershor.

Më 10 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që parashihte kapitullimin ushtarak të Jugosllavisë mbi Kosovën, më 11 qershor u pezulluan sulmet e NATO –s, ndërsa më 12 qershor 1999 u çlirua Kosova dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës me forcat e NATO-s hynë nëpër qytetet e Kosovës.

Më 12 e 13 qershor 1999, në selinë e Shtabit në Kishnapole mbahet takimi me Shtabin e Zonës dhe përfaqësuesit e pushtetit civil, të cilët bënë përgatitjen e strukturës së përkohshme të pushtetit civil në Gjilan. Arritja e forcave të NATO-s në territorin e Gjilanit, nga të gjithë u prit me gëzim. Kurse sipas planit operativ të ZOK – ut, më 15 qershor 1999, nga fshati Kishnapole njësitet e Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyjnë në qytetin e Gjilanit, ku u pritën më mënyrë madhështore nga qytetarët e Gjilanit me ç’rast edhe shënon ditën e çlirimit të Gjilanit nga forcat pushtuese jugosllave.

You Might Also Like