KULTURA, Muzikë

Shaqa i dorëzon tirqit në muze

Valltari i njohur i anës së Karadakut, Shaqir Rrustemi ia ka dhuruar muzeut të Gjilanit tirqit e tij, me të cilët është prezantuar për 44 vjet me radhë nëpër festivale kombëtare e ndërkombëtare.

Tirqit i kishte blerë në Prizren, në vitin 1972, atëherë kur punonte si mësimdhënës në shkollën fillore “Bajram Curri” të Shurdhanit. Në këtë trevë u krijua edhe vallja karadakçe e Ansamblit Autokton të Muzikës, me emrin e kryengritësit shqiptar, Bajram Curri, që vazhdon e luhet edhe sot nëpër festivale të folklorit. Me këtë veshje kombëtare, Shaqiri mori pjesë në qindra manifestime e festivale të këngës dhe valles burimore. Si valltar i këtij ansambli u shqua në festivalin ballkanik të folklorit në Ohër, në Zagreb, në Gjirokastër dhe thuaja nëpër të gjitha qendrat kryesore të Kosovës e Maqedonisë. Sa e sa herë u shpallën të parët dhe, përsëri nuk u ndalën. Kjo veshje kombëtare, me qindra herë u ulë në djersë, duke demonstruar vallen shqiptare të Karadakut, e njohur në Balkan e Europë si valle e veçantë epike, me karakter burrëror e kryengritës dhe me unin e saj të palëkundshëm prej këtyre trojeve. Çuditërisht kjo veshje sfidoi edhe luftën e fundit në Kosovë dhe, pas 44 vitesh vallëzimi nëpër skenat shqiptare e ndërkombëtare, do të pushojë në Muzeun e Gjilanit. Bartësi i kësaj veshjeje, valltari e mësimdhënësi veteran i arsimit, Shaqir Rrustemi, ndihet i kënaqur që iu dha rasti për t’ ia dhuruar muzeut të Gjilanit veshjen dhe opingat tradicionale, që pas 44 vitesh, meritojnë të mbeten pjesë e historisë.

shaqashaqiri

You Might Also Like