Trashëgimi

Shtëpia e Murtez Novobërdaliut në Novobërdë

dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Kjo shtëpi, sipas Xhemajl Novobërdaliut, ka rreth 150 vjet që kur është ndërtuar. Është një prej objekteve me një arkitekturë interesante popullore, sigurisht e ndërtuar në kohën e Turqisë. Shtëpia ka dy kate, përdhesin dhe katin. Përdhesi është ndërtuar nga gurët të lidhur me llaç balte, gjithashtu të suvatuar me llaç balte të përzier me byk kashte. Gurët janë të madhësive të ndryshme, dhe për aq sa vërejmë nuk duket se mjeshtrit kanë pasur parasysh ndonjë radhë, gurët sikur kanë zënë vend edhe pa radhë. Ndërsa, drurët e përdorur për tavanet edhe të përdhesit, edhe të katit, si dhe për shtyllat e ndryshme janë nga fshati Marec, më saktë lagjja e Haxhollëve, prej nga kanë qenë edhe mjeshtrit që ndërtuan këtë shtëpi.

Përdhesi ka vetëm një kthinë, e cila zë të gjithë brendësinë e murit perimetral. Hyrja është në lindje, ndërsa përballë ka një oxhak, anash të cilit ndodheshin dy shtretër prej druri, të punuar po në vendndodhje. Njëri prej tyre, ai në të djathtë të hyrjes është edhe sot. Kthina ka një dritare në murin lindor, aty pranë derës hyrëse. Dritarja është e vogël dhe nuk ka mundësi ta dritësojë mirë brendinë e kthinës. Në këtë mur është vendosur edhe një grazhd për bagëti. Ndërsa, dyshemeja e kthinës është tokë e thjeshtë, për dy shkallë më ulët se oborri.  Tavani në anën tjetër është i punuar mirë me trarë të fuqishëm dhe dërrasa gjithashtu të forta, pa i pas prishur koha. Një arkitra i vendosur në mes, mbi tri shtylla vertikale, është njëkohësisht një kufi për shtretërit e drurit, të cilët nuk e kalojnë arkitraun që ndodhet në mes të tavanit të kthinës.

Përdhesi komunikon me katin nëpërmjet shkallëve të gurit, vonë të betonuara, – edhe ashtu tashmë të prishura. Shkallët kanë dalje në një hajat të gjerë, me rrethojë prej druri. Hajati komunikon me dy dhoma të katit nëpërmjet dyerve të veçanta për secilën dhomë. Vetëm njëra prej dhomave ka një dritare në murin perëndimor, ndërsa të dyja dhomat kanë nga një dritare, e secila prej tyre komunikon me hajatin, sigurisht duke dritësuar pakëz vetë dhomat. Muret e katit janë punuar kryesisht nga shtyllat e drurit, breza druri horizontalë dhe çatmat, suvatuar me llaç balte përzier me byk kashte, – një karakteristikë kjo për shtëpitë e Anamoravës. Tavani i të dy dhomave është i fortë, me trarë të trashë dhe dërrasa të forta edhe sot. E keqja është se tavani katërujës, i mbuluar me qeramidhe pikon dhe se ka filluar të dëmtohet, prandaj vetëm një ndërhyrje e shpejtë, mund ta shpëtojë këtë objekt nga prishja e tërë.

You Might Also Like