Trashëgimi

Shtëpia-kullë e Fetah Kurexhës në Kurexhaj

dini Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

 Shtëpia-kullë e Fetah Kurexhës është ndërtuar në vitin 1850, në të njëjtën kohë me shtëpinë-kullë të Shaqir Rrustemit nga Terziaj. Objekti është ndërtuar me gurë të madhësive të ndryshme, pa ndonjë përpunim të tyre, vetëm duke zgjedhur faqen më të mirë për ta ekspozuar në fasadë.  Muret janë të shoqëruar me hatulla si element konstruktiv dhe llaç balte. Ka gjithsej 6 breza drurësh a hatullash.  Nga jashtë objekti nuk është suvatuar, ndërsa nga brenda suvaja prej llaçit të baltës është gëlqerosur me të bardhën.

Objekti ka dy kate. Përdhesi nuk ka ndarje, që do të thotë se paraqitet si i tërë. Po mund të jetë që në anën lindore kah e ka të vendosur oxhakun të jetë shfrytëzuar si shtëpi zjarri, ndërsa në anën perëndimore të jetë shfrytëzuar si ahur.  Në shtrirjen perëndim – lindje të shtëpisë, është i vendosur një arkitra tejpërtej dyshemesë së tavanit të përdhesit, ndërsa trarët janë vendosur në mënyrë tërthore. Përdhesi nuk ka dritë të mjaftueshme se janë vetëm tri dritare për tërë atë hapësirë. Si zakonisht, në shtëpi të këtilla nuk mungojnë dollapët e madhësive të ndryshme, edhe në përdhes, edhe në dhomat e katit. Përdhesi komunikon me katin nëpërmjet shkallëve që janë vendosur në të majtë të derës hyrëse të vetë përdhesit. Përndryshe, një korridor i gjerë, i cili merr formën e shkronjës L të shtrirë, lidh tri dhomat dhe WC-në në fund të tij, që paraqitet në formën e një dalje të tipit konzollë. Në pjesën e gjerë të korridorit ka qëndruar një hambar, i cili është vendosur më vonë. Vetë korridori ka dritë të mjaftueshme, edhe pse ka vetëm një dritare, po ajo është më madhe në raport me dritaret tjera edhe të katit. Korridori dhe shkallët kanë pësuar mjaft, por një intervenim i shpejtë mund t’i shpëtojë.

Kati ka gjithsej tri dhoma. Njëra nga dhomat, ajo që është e vendosur në anën perëndimore, ka dy dritare dhe dollap. Mund të ishte dhomë fjetje, se dhoma e mysafirëve do duhej të ketë qenë dhoma e madhe, e cila ndodhet në lindje të pjesës së ngushtë të korridorit të katit; duke qenë njëkohësisht më afër WC-së. Dhoma tjetër, që është më e vogël,  ka një trapazan ngritur prej  guri. Tavani i të gjitha dhomave është me trarë, por i veshur me dërrasa; sikundër edhe dyert e dhomave që janë më të vogla se dyert e zakonshme, e kjo ka ndodhur për shkak të lartësisë së dhomave, që dikur nuk ishin të larta.

Kulmi i shtëpisë është katërujës, vende – vende i prishur.

Shtëpia ndodhet në lartësinë mbidetare prej 890 m, në një tarracë të një kodre, me një pozitë shumë të mirë strategjike, jo më shumë se rreth 500 m larg kufirit me Serbinë. Sot shtëpia evidentohet si pronë e djemve të Shaban Ukshinit, dëshmorit të rënë në Luftën e UÇPMB-së.

You Might Also Like