Gjilan

Shuarja e dy drejtorive – vendim i gabuar

Propozimi aktual i kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri për ta ri-themeluar Drejtorinë e Inpeksionit dhe Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport, është pranim i dështimit të plotë të tij dhe të qeverisje komunale të cilën e drejton ai, ka thënë Riad Rashiti nga PDK-ja, sipas të cilit vendimi i Kuvendit Komunal i vitit 2014 për shuarjen e Drejtorisë së Inspeksionit dhe të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po vërtetohet se ishte një vendim jashtëzakonisht i gabuar dhe i dëmshëm për këta sektorë.

Eksperimentet e bëra të Lutfi Hazirit me drejtoritë komunale dhe me krijimin e Task Forcave të cilat, po rezultojnë se ishin plotësisht të pavlera dhe të cilat shkaktuan kaos në shumë fusha, bënë degradimin dhe çorientimin institucional, ofruan shërbime jo efikase për qytetarët e Gjilanit dhe sollën humbje të besimit tek bizneset, donatorët dhe investitorët.

“Qeverisja e Lutfi Hazirit më në fund pas gati tri viteve, po i pranon të këqijat e mëdha që ua solli qytetarëve të Gjilanit, përmes vendimeve të gabuara dhe në dëm të tyre. Në realitet ndodhi krejtësisht e kundërta e zotimeve të shumta që kryetari i Gjilanit i bëri para qytetarëve, sepse u bë ri-kthimi i anarkisë dhe kaosit të lënë në vitet 2006/07”, ka thënë Rashiti, që ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme t’ia pranojë Lutfi Hazirit dështimin e ofruar në këta dy sektorë dhe mirëpret vetëdijesimin e tij për gabimet që i ka bëra në qeverisjen komunale dhe e vlerëson angazhimin e tij për të përmirësuar sadopak veprimet e tija që ishin të dëmshme dhe me pasoja, në mënyrë që të ndalet kaosi dhe krimi urbanistik në qytet dhe që në Teatrin e Gjilanit të kthehet normalizimi bashkë me sektorët tjerë të kulturës, rinisë dhe sportit.

You Might Also Like