ARSIMI

SI T’I INKUADROJMË NXËNËSIT NË PUNË QË NGA MINUTAT E PARA TË ORËS

Selim Sylejmani

Zakonisht pas pushimit fëmijët edhe disa minuta diskutojnë, prandaj mësimdhënësit zakonisht nuk arrijnë ta fillojnë orën me kohë: fillimisht duhet t’i qetësojë dhe pastaj të provojë t’i kyçë në mësim. Në vijim do të propozohet një variant të fillimit “të suksesshëm” të orës mësimore.

Fillimi i çdo ore të mësimit do të duhej të jetë i parashikueshëm dhe i pritshëm: tok me zilen (në kohën e fillimit të orës) gjithnjë ta startohet me detyra gojore ose të prezantuara në ekran, të cilat nxënësit duhet t’i zgjidhin përmendësh. Krejt kjo nënkupton që mësimdhënësi të shkojë në orë me kohë, jo të “sorollatet” nëpër korridore duke diskutuar për gjëra koti.

Falë këtij rregulli fëmijët do të “kyçen” drejtpërdrejt në mësim (zakon, ritual), e zhvillojnë shprehinë e kujtesës, mësojnë të dëgjojnë në mënyrë të përqendruar tjetrin ose të shikojnë me vëmendje në ekran, pastaj e trajnojnë shpejtësinë e zgjidhjes së detyrave, për shembull, të matematikës.

Ideja është që të eliminohet koha mjaft e gjatë e koncentrimit të vëmendjes së nxënësve në çdo orë të mësimit. Është e kuptueshme që në pushime në këtë moshë (kl. 5 – 9) ndodhin një mori gjërash interesante, por duhet synuar të arrihet produktiviteti që nga çastet e para të orës mësimore.

Bashkë me të krijohet përshtypja që nxënësit e kësaj moshe nuk janë shumë të gatshëm të dëgjojnë të tjerët, shumë pak e shfrytëzojnë dhe zhvillojnë kujtesën në orë, por zakonisht mundohen të ndjekin algoritmin e mësuar më herët.

Ide tjetër me rëndësi, e cila inkurajon këtë formë të punës, do të ishte përpjekja për t’i treguar nxënësve, se shumë shpesh detyrat (e matematikës) janë dukshëm më të lehta të zgjidhen nëse analizohen shkurt para zgjidhjes. Diçka mund të futet në kllapa, diçka të prezantohet dhe optimizohet, kurse ndonjë pjesë të detyrës thjeshtë mund të lëshohet fare!

Varianti më i thjeshtë i pjesës së “inkurajuese” i orës mësimore është kur mësimdhënësi lexon qartë dhe me radhë tri detyra, secila prej të cilave mund të zgjidhet me gojë.

Mësimdhënësi duhet të japë aso detyra ku ekziston mundësia e thjeshtësimit të dukshëm të zgjidhjes. Këto detyra nuk duhet të jenë të vështira ashtu që t’i frikojnë nxënësit, por të atilla që mund të zgjidhen nga të gjithë, madje edhe ata që janë më të “dobët”. Me klasën duhet të dakordohemi më herët që gjatë kohës së leximit të detyrës të ketë qetësi absolute. Atëherë formulimi i çdo detyre dëgjohet dy herë, kurse pas kësaj nxënësit nuk marrin asnjë përgjigje në pyetjet e tyre. Disa nxënës përpiqen të bëjnë shënime (shprehi tejet e dobishme). Për çdonjërën prej tri detyrave jepen 40-60 sekonda për zgjidhje. Pas tri detyrave vlerësohen të gjitha përgjigjet, lavdërojmë zgjidhjet më të suksesshme dhe provojmë të vlerësojmë logjikën dhe bukurinë e ideve të cilat kanë sjellë zgjidhjen.

Për variantin e dytë të zhvillimit të pjesës”kontrolluese” të orës nevojitet projektori. Tri detyrat u prezantohen nxënësve në ekran një nga një, çdo slajd me detyrë qëndron një minutë, gjatë të cilës nuk mund të shfrytëzohen as laps as fletore për shënime. Pas skadimit të kohës prej një minute në ekran paraqitet ndalesa prej 15 sekondash, kohë kjo e nevojshme për ta shënuar përgjigjen në fletore.

Pas detyrës së tretë kërkojmë nga fëmijët të kujtojnë detyrat, shikojmë çfarë përgjigje janë shënuar dhe i krahasohen zgjidhjet. Nëse ekzistojnë disa variante të përgjigjeve, e diskutojmë çdonjërin prej varianteve (si është arritur dhe cili është arsyetimi i zgjidhjes) dhe provojmë të vlerësojmë vlefshmërinë e secilës zgjidhje.

Detyrat mund të jenë më intuitive – me përmbajtje gjeometrike, bosht koordinativ ose tabela, grafikë e diagrame të ndryshëm.

Për këtë pjesë të “instaluar” të orës duhet përdorur fletore të veçanta (fletore të xhepit). Kjo është e përshtatshme, pasi që në to mund të shënohen zgjidhjet në formë mjaft të lirë (drafti), madje kjo fletore mund t’i jepet shokut për verifikim.

Ky ritual i orës mësimore do të depërtojë aq thellësisht në jetën e nxënësve, sa nëse për ndonjë arsye mungon pjesa “inkurajuese” e orës, fëmijët do të jenë të mërzitur. Madje kërkojnë të vendoset para kontrollimit të detyrave dhe ushtrimeve, si një lloj ngrohjeje.

 

You Might Also Like