Gjilan

Strehimi dhe mirëqenia sociale e qytetarëve, preokupim i vazhdueshëm i kësaj qeverisje   


Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar raportin e punës së drejtorisë së linjës për 6-mujorin e parë të këtij viti, që në parim e ka përkrahur edhe opozita (PDK e VV), ndonëse në votim ka abstenuar. Jashar Jashari, kryesues i KSHMS, ka thënë se raporti është gjithëpërfshirës dhe përmban edhe detaje nga sektorët që përfshin shëndetësia primare dhe mirëqenia sociale. Ai ka përshëndetur edhe donatorët, të cilët kanë ndihmuar familjet në nevojë gjatë kësaj periudhe.
Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili e ka prezantuar raportin, ka thënë se edhe strehimi dhe mirëqenia sociale e qytetarëve kanë qenë preokupim i vazhdueshëm i kësaj qeverisje, duke nënvizuar faktin se edhe gjatë kësaj periudhe kohore, është vazhduar me ndërtimin e shtëpive të reja si dhe meremetimin e shtëpive ekzistuese për nevojtarët, nga fondi i solidaritetit dhe donacionet e qytetarëve të Komunës dhe më gjerë, ndërkohë që është miratuar edhe programi i banimit social për periudhën e ardhshme trevjeçare, me çka synohet zgjidhja graduale e këtij problemi, ka thënë ai.
Është vazhduar me pagesat mujore për 15 familje të dëshmorëve dhe invalidë të luftës, pagesat e qirasë për 44-47 familje me gjendje të rëndë sociale, subvencionet për shoqata, pagesat për barna dhe trajtime mjekësore të pacientëve me gjendje të rëndë sociale dhe të tjera.
Edhe Zyra e shëndetit publik, e cila ka si objektiv përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, ka kryer aktivitete të shumta në terren, sikurse edhe Qendra për Punë Sociale, e cila aktualisht ka në asistencë 1070 familje, ka thënë Hajrullahu.
Ndërkaq, Fejzullah Berisha, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), i cili ka raportuar për punën në këtë institucion, ka nënvizuar numrin e përgjithshëm të shërbimeve të ofruara gjatë kësaj periudhe, që arrin në 231.733, ku 113803 prej tyre janë vizita mjekësore.
Berisha ka thënë se nga 79.184 vizita që janë bërë në Mjekësinë Familjare, vetëm 16 për qind janë referuar në nivelin dytësor të shëndetësisë.
“Ndihma e shpejtë ofron shërbime 24 orë, 7 ditë në javë, përfshirë edhe vikendet dhe festat. Gjatë sezonit veror, kemi shtuar edhe një ekip në kuadër të kujdestarisë së natës, për të ofruar shërbime sa më cilësore”, ka thënë Berisha.
Fatbardha Selmani (PDK) ka thënë se raporti ka përmirësime në krahasim me periudhat e kaluara, veçmas te aspekti buxhetor, gjë që, sipas saj, kanë ndikuar pozitivisht edhe vërejtjet e opozitës. Raportin në përgjithësi e ka pëlqyer dhe Mirvete Kurteshi (VV), e cila ka kërkuar sqarime në disa çështje dhe ka marrë përgjigje nga drejtorët Hajrullahu (DSHMS) dhe Berisha (QKMF).
Agron Leka (PDK) ka thënë se pikësynim për të ardhmen duhet të jetë ulja e referencave në 10 për qind dhe ka sugjeruar që të forcohet roli i mjekut familjar. Po ashtu, Leka e ka ngritur si shqetësim për këto ditë vere mungesën e serumeve, duke thënë se mbrëmë është dashur ta përcjellin për QKUK një rast të kafshuar nga gjarpri, për mungesë në serumit në Spitalin e Gjilanit.
Përndryshe, raporti është përkrahur nga anëtarët tjerë të Komitetit, Nexhat Halili, Veton Uka e Selvete Shurdhani.

You Might Also Like