Show Biz

TANZHU

 Shkruan: Avni Rudaku –

 

Tanju Sherifi është një djal i ri urban, 22 vjeç dhe i pëlqen sidomos makiato e vogël pa shkumë në kafebarin “Intro”. Ai është në përfundim e sipër të nivelit universitar, në drejtimin “Shkencat dhe Inxhinieri Kompjuterike”, por ndër të rrallët të rinj që kam takuar, që i pëlqen diskutimi enciklopedik: edhe për politikë, edhe për letërsi, edhe për filma, edhe për muzikë, bash për gjithçka. Tanju i lindur dhe i rritur në afërsi të qendrës së qytetit të Gjilanit, këndon dhe shkruan tekstet vetëm shqip, pavarësisht se kur e pyesni, të thotë se është turk. Po ç’rëndësi ka ky apo një tjetër identitet, përveç atij cilësori që e shkruante me aq stil të gdhendur, titullin e tij eseistik, filozofi Niçe: “Njerëzor, tepër njerëzor”! Tanzhu të gjitha tekstet (vetëm një deri më tash të njohur për publikun) i shkruan në një “kosovarishte të ekonomizuar dhe gjuhë përditshmërie”, me plot apostrofë në tekstet e tij, për trajtat sa më të shkurtëra të përemrave vetorë, pjesëzave e të ngjashme.

Ai thotë se emri i tij Tanju, shkruhet kështu me ‘j’, por kjo bashkëtingëllore lexohet ‘zh’, pra Tanzhu, të cilën gjë e hetoni edhe në faqen e tij të fejsbukut! Tanzhu e do muzikën jo vetëm për ta dëgjuar (interesim pasiv), por edhe për ta bërë atë (interesim aktiv, krijues). Ka shkruar shumë tekste këngësh e poezi dhe një ditë mori ‘guximin’ t’ia thoshte vetë këngës dhe kjo këngë, tashmë është hapur edhe për publikun në kanalin ‘youtube.com’! Në publikimin e video-klipit muzikor më 9 prill 2018, Tanzhu shkruan: “Permes ksaj kange t’kushtume per cfardo kohe te pakthyshme qe t’kujtohet paprit, deshta me ja’u dhuru pak sekonda nostalgji t’paarsyshme. Kanga osht e inqizume me telefon, n’oborr t’Dokit(qe dmth mos pritni kualitet t’larte, e as qellimi sosht ajo). Pamjet n’video jon marr prej ditelindjeve t’viteve 99-2000. Montazhen e videos e kem bo bashk me Dokin, n’sob t’vogel. muzika/teksti : tanju şerif regjia: doki qerimi montazha: tanju/doki.” (Këtu mund ta dëgjoni këngën e Tanju Sherifit: https://www.youtube.com/ëatch?v=zL5cEtE-HIQ)

 

Ajo që më bëri përshtypje ishte dalja me një këngë e tekst të veçantë nostalgjik e urban, si dhe me një prurje krejt natyrale; aso këngësh të viteve të ’70-ta, të ’80-ta, me një ritëm thuajse të njëtrajtshëm, me një vijë melodike, por plot shpirt e natyralizëm. Brezi i Sherifit është brez i kirurgjisë kozmetike, buzëve të fryera para pasqyrës, arrogancës edhe në padijshmëri, Instagramit e Snepçetit, lirisë dhe mundësisë për të eksperimentuar me identitetet e tyre në celularë; atij brezi onllajn me lloj-lloj faqe koti të fejsbukut si ajo: “Ata që kanë emrin me shkronjën M, janë shumë loçka dhe kanë me ta qarros nesër një kafe”, por vetë Tanzhuja nuk i përket kësaj kohe, këtij trendi, këtij brezi, kësaj fryme, këtij mentaliteti dhe refuzon tek e fundit, edhe moshatarët e vet! Nuk bëhet konformist, por ia jep këngës apo edhe ‘malit’, duke kënduar një këngë sikur t’i kishte ‘disa jetë’ dhe një memorie të hershme të qendrës së vjetër të Gjilanit. Tanzhu përmend “Urën e Musketarit”, atë që e ka përmendur në librat e tij, shkrimtari i mbyllur e kompleks, ikona gjilanase, Beqir Musliu, apo edhe autorë të tjerë lokalë të vjetër. Madje kënga e tij e parë doli me këtë titullin e urës së vjetër të Gjilanit. Tanzhu përmend edhe emrat e dikurshëm të lagjeve të këtij qyteti ku jeton e vepron: Gavran, Kamnik, gjimnazin e vjetër, sikur Mc Kresha, i cili e përjetëson në këngë lagjen e vet “Tavnik” – Mitrovicë, por në një zhanër krejt tjetër muzikor!

Tanzhu dhe melodia melogene

Dikur, sa herë e dëgjoja shumë grupin muzikor kosovar “403”, i thosha shokëve: “Më pëlqejnë tekstet e 403-shave, por edhe ndër të rrallët bende që thuajse gjithmonë me të njëjtin ritëm e melodi, e nuk më bëhen të mërzitshëm.” Pas disa vjetësh, të njëjtën gjë ia thosha shokëve për grupin muzikor britanik “Coldplay”: “Janë shumë të mirë, sikur 403-shat: shumë këngë e tekste të mira, por thuajse të njëjtën melodi, ritëm e lartësi. Në secilin variant, e dini se janë Coldplay. Ata mund t’i studiosh, duke u ndalur vetëm në një këngë të tyre, por kjo s’do të thotë se përsërisin vetveten!” Për Sherifin nuk mund ta themi të njëjtën gjë, sepse ai ka publikuar vetëm një këngë e videoklip, por në kuadër të saj, debuton me një këngë të lehtë dashurie, nostalgjie dhe urbane, pa çirrje, pa dinamikë, pa shpërthime, por krejt lehtas sikur të ecësh ngadalshëm por sigurt, në perin e hollë e pa bërë vërr andej e këndej. Tanju Sherifi na vjen me një intonacion të kulluar, diksion relativisht të qartë dhe nuk ndryshon ritmin gati se në tërë vijën e tij vokale dhe interpretuese. Të sjell në mendje monofoninë – vetëm një melodi, apo edhe të kujton melodinë logogene. “Melodi logogene (greq. logo-fjalë), është melodi e cila ka pak tone, me lartësi të vogla, të cilat përsëriten vazhdimisht, ndërsa – “logogene” e ka kuptimin për nga roli dominant i tekstit.” (Berisha, B. (2014). Fjalor enciklopedik muzikor. Prishtinë: Koha.) Na vjen në mendje prej tij edhe melodia melogene. “Melodi melogene (greq. melos – këndim, melodia), është melodi e cila nuk ndryshohet.”(po aty, f.251)

Këndon me zërin e tij pa asistencë nga teknologjia më e avancuar dhe inxhinieringu bashkëkohor i zërit e zërimit; nuk shfrytëzon “Auto-Tune” dhe ndonëse e njeh teknologjinë, e braktis për një çast dhe gjithçka i kthehet të vjetrës, duke filluar nga vetë video-klipi muzikor; me një set regjistrimesh audio-vizuale, të cilat na përkujtojnë kohën e ‘lamparive’ të viteve të ’90-ta. Shtëpitë e mbuluara e të dizajnuara, në interier dhe eksterier, me një lloj druri, të njohura atëbotë “lampari”, ishin simbol i pasurisë dhe pushtetit social. Madje, ka pasur shumë shaka stereotipizuese, lidhur me lamparitë: “Tërnovcalinjët aq shumë kanë para, sakaq edhe bunarin e kanë me llampari”! Në video-klipin muzikor “Ura e Musketarit” nga Tanzhu, ne udhëtojmë para luftës së fundit në Kosovë, në interierin e asaj kohe, frymën e saj dhe i kthehemi ikonës së qendrës së vjetër të qytetit të Gjilanit, Urës së Musketarit. Në video-klipin e tij, Tanzhu nuk e paguan “50 euro një vajzë modele” e për ta “detyruar ta shkundë bëthën para syve e duarve të tij”, vetëm për klikime, krijim të imazhit të rremë se e ka jetën plot luks, aventura seksuale, drogë e pasuri! Qëndron në video-klip larg kualifikimit të vajzave si objekte seksuale, duke i desubjektivizuar tërësisht, por krejt natyrshëm, tregon një histori të sinqertë, personale e familjare, si dhe të përditshmërisë së shkuar e të përbashkët.

Teksti flet për dashuri e nostalgji

Që në fillim na tregon se pasuria e tij nuk është te xhepi, kartela bankare, vetura, por tek një organ që secili prej nesh e ka: zemrën e kuqe!

“S’jom shumë i pasun e kom zemrën e pasun

Di paqen me gjet’

Pesë kerre m’i pasë unë/plot pare me pasë un’

Ty s’di qysh me t’gjet

Se t’kom lyp ku as mendja nuk t’shkon

Kom hap dyr’ ku dreqi vo nuk bon”

Për të treguar se nuk i takon brezit të tij dhe nuk është lehtë ta bësh të qeshet, mbetet epike fjalia e mëposhtme e tekstit të këngës: “Jom shku sa her’ n’cirk un’, jom rreh me palaqon, se nuk m’ka bo mu me qesh’.”

Më pas, na shpërfytyron kohën e sotme të stereotipizimit të parkut e të plakut, me kohën e atëhershme e të idealizuar urbane të Gjilanit, kur nuk ka qenë stereotipi dhe druajtja e vajzave për të kaluar në parkun e qytetit, me arsyetimin banal e gjeneralizues se, “janë gjetur në parkun e qytetit, një a dy pensionerë pedofilë, që kanë keqpërdorur me 5 euro ndonjë vajzë të mitur e të varfër”, prandaj duhet shmangur sa më shumë ecjen nëpër brendësinë e tij të gjelbëruar! Tanzhu na dërgon në “kohëra të tjera të arta e nostalgjike” të parkut të qytetit të Gjilanit, ku krejt normale ka qenë të pushonit aty, të flisnit e të pyesnit plakun se, ‘a ma ke parë loçkën?!”. Ja si e kërkon subjektin në baladën e tij, por nuk e gjen as nën Urën e Musketarit – në qendër të Gjilanit: “Kom nejt n’park me plakun, kom fol se kom njoft un’/S’um ka ngu, as se kom vrejt’/E kom pyt’/Ty a t’ka pa…/T’kom lyp’ nër Urën e Masketarit në qendër/Po ata thanë: k’tu s’o.” Me këtë këngë, Tanzhu e lumturon Parkun e Qytetit të Gjilanit, sepse e rikthen atë në ‘normalitet’, atë që do të duhej të ishte gjithmonë ashtu: ecja, ndalja dhe pushimi në të. Me fjalë të tjera, me këtë tekst-kënge, Tanzhu “ia merr parkun aty-këtu ndonjë pensionieri pedofil” dhe ua kthen pronën publike si triumfator e hero urban, të gjithë qytetarëve të Gjilanit! Tanzhu e destereotipizon parkun e plakun e qytetit!

 

Nostalgjia për Gjilanin përmes Tanzhusë
Sa herë dua t’i kthehem historisë së vjetër të Gjilanit, më bie në mend ta takoj doktorin e pasionuar në trashëgiminë kulturore-historike, letërsinë dhe librat në përgjithësi, doktor Shefqetin. E njihni të gjithë: urologun! Ai është ndër njohësit më të mirë të historisë së paraluftës së Gjilanit. Kur dua të dëgjoj rrëfime të vjetra, takohem me të dhe mësoj se si ishte dikur ky qytet ku jemi lindur e po rritemi, duke krijuar kujtimet tona personale e të përbashkëta. Kur dua të lexoj dhe përfytyroj se si dukej Gjilani para disa vjetësh, e lexoj Musa Ramadanin, Beqir Musliun… Kur dua ta shoh ndonjë pamje të vjetër të Gjilanit, i kthehem Arkivit ndërkomunal në kompleksin e shkollave të mesme, ose në albumet e fotografit të dashur Afrim Kqikut. Kur dua të lexoj ndonjë histori më të vjetër se 50 vjet për Gjilanin, jemi shumë të varfër në literaturë, por megjithatë, gjej ndonjë copëz në gjuhë të huaj, ose ndonjë copëz historie nga historiani Aliriza Selmani, apo edhe nga gazetari i pasionuar edhe në histori dhe kërkimin e shtypit francez për rajonin tonë, Enver Sadikun. Në këtë listë të nostalgjive për Gjilanin e vjetër, e futa edhe Tanju Sherifin dhe këngën e tij “Ura e Musketarit”. Në fakt, Sherifi tashmë bëhet pjesë e profilit të asaj periudhe të harruar se si ishte dikur Gjilani i vjetër. S’po them për atë Gjilanin e vjetër të Gjinollëve, as para tyre, kur novobërdasit u zhvendosën nga Novobërda në Gjilan, as edhe para 100 vjetësh, por ca dekada para luftës. Tek e fundit, nostalgjia për të vjetrën është pjesë e jetëve tona. Njeriu i takon tri kohëve dhe jeton me kujtime, përditësohet vazhdimisht dhe ka përfytyrime e shpërfytyrime për të ardhmen e tij të njohur e të panjohur!

Tanzhu e do monotoninë

Një pikëpamje tejet e veçantë që më ka ngelur në mendje pas një bisede me Tanzhun ishte: “E adhuroj monotoninë. Ndihem shumë i kënaqur, i gëzuar dhe i lumtur me monotoninë. Nuk më pëlqen të lëviz shumë. Më duket se kur lëviz njeriu, nuk ndihet më kurrë i qetë në vendin e tij, prandaj, e dua monotoninë, kafeterinë e njëjtë, kafen e njëjtë, vendin e njëjtë, sjelljen e njëjtë, përditshmërinë. Thjesht, e dua monotoninë, ma then n’rrojtë!” Kur e dëgjova edhe këngën tash të tij, m’u kujtua ta ndërlidhi edhe me këtë paragraf të lartcekur dhe definitivisht i shkon krejt përshtati: monotoni, monofoni, monomelodi. Ama rrallë ndodh ta dëgjoj dikë me ritëm të ngadalshëm e pa kërcime poshtë-lart e anasjelltas, modest e natyral, e të më pëlqen sa herë e dëgjoj dhe nuk më bëhet asnjëherë i mërzitshëm! Krejt bendet muzikore të tilla, arrijnë të hyjnë në histori dhe të mbesin këngë, jo të klikimeve, senzacioneve e top-hiteve, por hynë në vrimat e historisë e nostalgjisë, nëpërmjet heshtjes, zërit të njëjtë, melodisë e ritmit të lehtë, pa britma, pa brohoritje, dhe aty-këtu me ndonjë fishkëllimë pa shkaktuar ndotje akustike – zhurmë, sikur në këngën dhe video-klipin e Tanzhusë! Tanzhu e ‘vajton’ dikë që po e kërkonte nën Urën e Musketarit; e kërkoi ku është e ku s’është; e kishte pyetur edhe një plak në park, dhe të gjithë i thonin se, “s’o këtu”, por nuk çmendet që nuk e gjeti edhe pas shumë kërkimeve, sepse tek e fundit, ai po e arrin çlirimin apo katarsisin, vetëm duke e lypur dhe duke rënë në nostalgji. Thjesht, ai as nuk e kishte për qëllim ta gjente, sepse tashmë e kishte humbur fizikisht dhe e kishte fituar përjetësisht me nostalgji. Tek e fundit, nostalgjia është vuajtje, kthim e rikthim, shëtitje nëpër histori, vaj e mallëngjim, gjithmonë me rezultatin e njëjtë edhe nëse e kërkoni sërish: nuk kthehet kurrë më nën Urën e Musketarit ajo që veçse ka ikur përgjithmonë nga aty!

You Might Also Like