ARSIMI

Të gatshëm për fillim të vitit shkollor

Para fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është takuar me drejtorët e shkollave të Komunës së Gjilanit, të cilët i ka falënderuar për angazhimin e deritanishëm nëpër shkolla dhe ka kërkuar që të jenë, “zot shtëpie” të suksesshëm edhe në shkollë dhe me përkushim, bashkëpunim e komunikim të bëjnë zgjidhjen e problemeve, në mënyrë që cilësia në arsim, të jetë përherë e më e mirë dhe shembull për të tjerët.

“Në emër të të gjithë drejtorëve të shkollave fillimisht falënderoj drejtorin e deritanishëm të arsimit, Nazmi Musa, i cili ka punuar së bashku me ju, për ngritjen, zhvillimin, mbështetjen dhe cilësinë në arsimin e Gjilanit. Ai është liruar nga detyra e drejtorit, për shkak të pensionimit dhe i dëshirojmë shëndet gjatë jetës në vazhdim. Ka qenë i përkushtuar, por edhe i vendosur për të mirën e arsimit të Gjilanit”, ka thënë, në fillim të takimit, kryetari Haziri.

Lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, kryetari i ka uruar të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, duke i garantuar se fusha e arsimit është prioritet i vaçantë i qeverisjes së udhëhequr nga ai.

“Në këtë mbledhje të përbashkët, qëllim kryesor është t’u uroj për vitin e ri shkollor, duke ju garantuar mbështetje të vazhdueshme në rrugëtimin tonë menaxhues me institucionet shkollore dhe arsimin në përgjithësi si proces në Gjilan. Nga ju si drejtorw shkollash kërkoj të jeni “zot shtëpie” edhe në shkollë për qëllimin e vetëm që arsimi në përgjithësi të ketë bazat e fuqishme dhe premtuese për kohë të gjatë”, tha kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Investime shtesë në arsim dhe riorganizim të profileve profesionale tha se do të bëhet përmes një komunikimi të gjërë, në mënyrë që karshi investimet të përgatiten kuadro për nevojat e tregut.

“Me fillimin e vitit të ri shkollor, në kompleksin e shkollave të mesme, do të përurohet faza e parë e punimeve që janë bërë në këtë pjesë. Në këtë kompleks tashmë gjithçka është ndryshe nga ajo pamja që kishim gjatë muajit qershor të këtij viti. Do ta bëjmë kërkesën në Ministrinë e Arsimit edhe për kampusin e Universitetit “Kadri Zeka” dhe kështu pastaj do ta kemi një zgjidhje afatgjate. Gjithashtu, bashkërisht do të debatojmë edhe për drejtimet në shkollat profesionale. Kjo për arsyen e vetme që kuadrot profesionale dhe kërkesat e tregut të jenë të balancuara. Sot kemi në drejtime në mjekësi, në ekonomi, apo teknikë që janë kuadro që ndoshta nuk do të mund ta gjejnë veten në profesion as pas 20 vjetësh. Prandaj, për këtë kërkohet që të kemi drejtime të kërkesave të tregut”, ka thënë mes tjerash ai.

Edhe ushtruesja e detyrës në Drejtorinë e Arsimit, Shqipe Kastrati, ka thënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet që mësimi të nis sipas planifikimit në shkollat e Komunës së Gjilanit. Ajo gjithashtu ka falënderuar kryetarin për mbështetjen e dhënë dhe drejtorët e shkollave për punën e madhe që kanë bërë në përgatitjen e objekteve të shkollave për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ndryshe, në këtë takim drejtorët e shkollave kishin kërkesa të ndryshme për investime, për të cilat kryetari Haziri ka thënë se shkolla e Bresalcit, Përlepnicës dhe një numër i madh i shkollave në qytet e fshatra do të renovohen pjesërisht dhe tërësisht, sipas nevojave, sikur që ka paralajmëruar se do të bëhet zgjidhje për hapësir adekuate edhe për Institucionin Parashkollor “Ardhmëria 1”.

 

You Might Also Like