Futboll

Te Gjilani ka të rikthyer, por ka edhe mungesa

Skuadra e Gjilanit ka kryer përgatitjet e fundit para duelit ndaj Drenicës në fundjavë. Lajme të mira për kryetrajnerin Gentjan Mezani vijnë nga reparti i mbrojtjes, teksa dy qendrat Ivan Fustar dhe Franc Veliu priten të jenë të gatshëm për këtë takim, shkruan Gazetasheshi.com.

Të gatshëm priten të jenë edhe kapiteni Ylber Kastrati, Jackson Ferreira dhe Darko Nikaç, të cilët kishin munguar në duelin e fundit ndaj Llapit.

Megjithatë, mungesat janë evidente te ekipi gjilanas. Përveç dy sulmuesve Keita Razak dhe Tomislav Busiç, të cilët po stërviten të diferencuar nga pjesa tjetër e grupit, në dyshim janë edhe Tomislav Sorsa dhe Besar Musolli. Për mbrojtësin kroat tashmë mungesa është thuajse e konfirmuar, ndërkohë për ‘trurin’ e mesfushës te skuadra e Gjilanit ekziston një ‘fije’ shprese për paraqitjen në duelin e së shtunës.

Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Drenicës është më interesanti që zhvillohet të shtunën prej orës 13:00, në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.

You Might Also Like