OPINION

Të prishen kumaritë në futboll

Shkruan: Nexhmedin Bunjaku

Të gjitha vlerësimet gjatë viteve të tëra, për fat të keq veç po bëhen realitet. Tani me të gjitha dështimet, degradimet dhe manipulimet e kësaj udhëheqjeje të FFK-së, po dalin në skenë të hapur, tani më po bëhen reale bindjet dhe veprat e tyre për një interes personal apo edhe grupor brenda Federatës, për një interes miqësie, familiare apo edhe të politikës ditore. Kur FIFA dhe UEFA kërkuan që politika të largohet nga Federata, në FFK ndodhi e kundërta, pra politika zhytet edhe me thellë, kur këto dy instanca kërkuan që të kthehet demokracia e humbur, në Federatë forcohen edhe me tepër lidhjet klanore, kur këto dy instanca kërkuan që të respektohen statutet, rregullat dhe rregulloret, ato shkilen edhe më shumë nga organet e FFK-së.

Dje u pa se sa është interesi politik, dhe sa ka ndikim politika në futbollin e Kosovës, u pa dhe u vërtetua se kjo garniturë udhëheqëse e FFK-së nuk mund të mbijetojë pa prezencen e politikës brenda Federatës, u pa dhe u vërtetua se politikanët, familjarët, miqtë e këtyre prijësve të kësaj Federate zunë vendet e tifozerisë së flaktë të perfaqësueses së Kosovës, dhe krejt në fund, edhe pse ndeshja dështoi totalisht brenda vijave të fushës së gjelbërt, këta të lartëpërmendur përfituan së paku nga një foto, mëditje apo edhe më tepër. Puna e parë që filloi mbrapesht ishte ( por e bënë me vetëdije krerët e FFK-së) dhënja e organizimit të ndeshjes kompanisë që pronare apo bashkëpronare, është punëtore brenda Federatës, çka do të thotë se krerët e FFK-së kanë ndërtuar asi monopoli që nuk i besojnë askujt perveç njerëzve të ndikuar nga ta kur është fjala tek leku. Manipulimi me shitjen e biletave, që u vërejt se shumë bileta shiteshin në tregun e zi me çmime shumë më të larta, dhe duke mos i ndarë ato në mënyrë proporcionale nëpër qendra apo pika tjera të shitjes, lë shumë hapsirë për dyshim se nga kjo ndeshje dikush ka përfituar para të majme, e për të evituar këto dyshime, atëherë Federata duhet të jetë transparente dhe të njohtoj opinionin për të hyrat dhe shpenzimet gjë që nuk e ka bërë asnjëherë. Shtatë vite e më tepër kaluan që nga emerimi i Albert Bunjakit përzgjedhës, shtatë vite e më tepër po u zgjat kumaria Vokrri – Bunjaki, dhe shtrohet pyetja se çka punoi ky TANDEM në formimin e një skuadre stabile, sa punoi ky tandem të ngris cilesinë në vendin ku ata udheheqin, pra Kosovë, a thua kështu u morën vesh që për sa të jetë Vokrri në krye të Federatës, të jetë edhe Albert Bunjaki përzgjedhës i Kosovës pavarësisht nga puna, rezultatet apo sukseset. Një përzgjedhësi të mirë do i duhej 3-4 vite të formojë një përfaqësuese apo kombëtare stabile edhe atë me forca më të mëdha nga ligat e atij shteti, por duke i angazhuar edhe ata që luajnë jashtë shtetit amë, kurse përzgjedhësi ka patur dyfish më shumë kohë, pra shtatë vite dhe nuk e ka bërë këte. Shtrohet pyetja tjetër se cilat janë ëndrrat dhe ambiciet e sa e sa talenteve që luajnë në Superligen e Kosovës, a kanë ata vullnet dhe moral të mendojnë për një të ardhme të tyre të gjenden dhe të mbrojnë ngjyrat e perfaqësueses së Kosovës, e gjer me tash shansat kanë qenë 99 me 1 %, kur dihet saktë se sa futbollistë aktivë nga Superliga kanë luajtur për perfaqësuesen e Kosovës. Pra, sa më gjatë që të zgjasë kjo kumari e këtij tandemi, aq më të vogla do jenë gjasat që në të ardhme të kem një përfaqesuese të fortë dhe stabile ashtu siç e dëshirojmë. Shpresojmë se ndeshja e ardhshme kundër Ukrainës do jetë ndeshje lamtumirëse e përzgjedhësit të Kosovës, njeherit edhe prishja e këtij tandemi dhe kumarisë.

You Might Also Like