Sportet me dorë

Toska Ferati, hendbollistja që po shkëlqen në Zvicër

Ajo është 20-vjeçare dhe ka bërë emër në hendbollin zviceran. E karakterizon saktësia në shënim, loja e fortë në mbrojtje dhe imagjinata në hendboll, kurse të gjitha këto i ka trashëguar nga babai i saj, Mitat Ferati, dikur i hendbollist i njohur në Kosovë, që kishte emigruar në Zvicër, ku kishte bërë karrierë të bujshme si hendbollistë, por edhe si trajner i këtij sporti.

Duke ndjekur rrugën e babait të saj, Toska Ferati që në moshën nëntëvjeçare kishte nisur të merret me hendboll në grupmoshat e reja të ekipit Spono Eagles në Nottwil, Kantoni i Luzernit në Zvicër.

Për katër vite me radhë, ajo kishte trajner babin e saj, Mitatin, i cili i kishte mësuar të gjitha fshehtësitë e lojës së hendbollit dhe ia doli që të bëhet kampione e Zvicrës në ligën elite të moshës U15. Më pas me ekipin e saj doli edhe nënkampione në gjeneratën U17. Lojërat e mira bënë që qysh në moshën 16-vjecare, ajo të kalojë në Ligën e Dytë Zvicerane e më pas për dy vite me radhë ka ushtruar edhe në Ligën e parë të Zvicrës, kur edhe kaloi për një vit në ekipin STV Willisau për një vit.

Lojërat e mira të saja i kishin rënë në sy edhe përzgjedhësve të Kombëtares së Kosovës, mirëpo që shkaku i shkollimit në Zvicër ajo nuk kishte pasur mundësi që t’i bashkëngjitet përfaqësueses sonë.

Shkollimi ka qenë edhe arsye që ajo për një kohë të shkurtër i ishte ndarë lojës së hendbollit, ngase kishte qëndruar në Kanada, ku kishte marrë diplomë për Gjuhë Angleze.

Tashti, Toska Ferati, sërish me plot sukses i është kthyer hendbollit dhe në të njëjtën kohë po e vijon Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zvicër në Luzern.

« Më pëlqen të luaj në shumë pozita, por më tepër në atë të lojtares së qendrës dhe si mbrojtëse e majtë », thekson 20- vjecarja Toska Ferati, e cila nuk përjashton mundësinë që një ditë t’i bashkëngjitet Përfaqësues së Kosovës, vendit të të parëve të saj.

You Might Also Like