Libri

Tregimi që u shpërblye me Çmimin e parë në konkursin anonim letrar “Flaka e Janarit” 2018

FIGURA E SHTATËMBËDHJETË

Zuli nuk kishte ditë të luante shah, deri në ditën kur vrau shegertin e tij. Në dyqanin e gëlqerës, vdekja e shegertit, kishte nxirrë çdo gjë të bardhë. Atë ditë Zuli vlonte nga nervoza, sikur gëlqerja t’i shkrihej në kokë. Horizonti i ishte mbyllur në një kuti shahu, të cilën viktima e mbante pranë thasëve me qyreq.
Prapa derës së hekurt të burgut, ai kujtonte vetëm jehonën e klithmave të shitësve dhe nuk i hiqeshin sysh fushat e tabelës së shahut, të mbuluara me gjakun e viktimës së tij. Fushat e bardha dhe të zeza ishin kthyer në fusha kuq e zi.
Ishte koha kur ai ende nuk dinte asgjë për figurat e drunjta, por e kuptonte mirë se vetë ishte shndërruar në një dru ku thehen thikat e kohës. Kur filloi të mësohej me relievin e dhomës së burgut, sytë I mbetën te kutia e shahut. Iu dukë e përgjakur, sikur e njejta të kishte fluturuar pas tij, që në ditën kur ia mori jetën shegertit. Nuk e kishte të lehtë ta hapte, kishte frikë se nga ajo do të dilte hija e shegertit, për t’iu hakmarrë për atë vrasje së koti që kishte bërë. Pasi fshiu mirë pluhurin nga kutia filloi të mësoj më shumë për mbretin dhe mbretëreshën si dhe për kalin dhe ushtarin. Mësoi për të dy taborret, por nuk e kuptonte pse herë duhej të ishte i zi e herë i bardhë. Vetja nuk i dukej as i zi as i bardhë, pas vrasjes kishte humbur kuptimin për karakterin e tij. Ishte vrasës! Vrasja ia kishte rrënuar çdo vlerë morale. Pafajësia e shegertit e gërryente!
Vitet kalonin e ai nuk e kuptonte cila ligështi e çoi që të vras. Intriga e vrasjes filloi të shtrijë rrjetin e saj në lojën e shahut. Në çdo fushë ai shihte nga një pritë dhe shkrepte nga një plumb të drunjtë. Herë e mbronte mbretin duke e sakrifikuar kalin e herë e nxiste mbretëreshën duke e joshur me oficerin. Në çdo humbje vritej nga pak dhe i vinte mirë, figura e shegertit ishte në çdo lojë figura e shtatëmbëdhjetë. Dita ditës mbreti kundërshtar i bëhej si vetja e tij dhe ai filloi të luante sikur ta vriste veten. Shpesh i vinte të thëriste : Unë jam sheegeerti!
Hija e shegertit kundër një mbreti fiktiv bënte luftë. Ai donte të vritej nga shegerti në lojën e shahut. Askujt nuk ia mirrte mendja se ai e mbante të gjallë shegertin në lojën e drunjtë. Për çdo vit lulet e reja mbulonin varrin e shegertit, por Zuli e varroste dhe ringjallte në kutinë e shahut për çdo ditë.
Kishte net që shihte ëndërr se edhe vet hynte në kuti. Mbylleshin aty I vdekuri dhe I gjalli me mbretër e ushtarë. Një mjeshtër dhe një shegert bënin paqen e natës për t’ia filluar ditës sërish betejën e krismave të drunjta.
Kur erdhi koha me la dënimin, Zuli e kuptoi se po kalonte në një fazë të re. Shahun e burgut e mori me vete, me bindjen se në çajtoret e qytezës do t’i vriste më lehtë shikimet që do të binin mbi të. Emri I shegertit kishte kohë që ishte harruar, dyqani i gëlqerës ishte shndërruar në dyqan farash të zeza.
Loja e shahut vazhdonte të luhej nën britma dhe përfolje. Askush nuk besonte që Zuli kishte mësuar shahun sa të luante, më mirë se të gjithë. Kishte lojtar që më shumë ia shihnin gështërinjtë vrastar që kishin shkrepur plumbat mbi shegertin sesa çfardo lëvizje që bënte. Sërish ishte shegerti që i ndihmonte të fitoj. Ai më gjakftohtësi vrastare gjente lëvizjet e duhura pa ndërruar fjalë. Hija e vrastarit mbulonte katrorët e shahut.
Ajo hije mbulonte edhe intrigën e tij, pse e kishte vrarë shegertin.
Shegerti ishte figura e shtatëmbëdhjetë që i sillte fitoret, humbëse, vrasësit të tij.

Shifra:” Shahu I përgjakur

You Might Also Like