LAJME, Viti

Trekëndëshi kufitar me pak vendkalime

  Në Anamoravë me Serbinë funksionojnë dy vendkalime kufitare zyrtare, te “Dheu i Bardhë” dhe në Muçibabë, kurse me Maqedoninë lidhjet mungojnë.

Rajoni i Anamoravës, shtrihet në trekëndëshin kufitar Kosovë – Maqedoni – Serbi, kurse më gjithë vullnetin e palës kosovare dhe banorëve që jetojnë në këtë brez kufitar, në këtë rajon ka shumë pak vendkalime kufitare, të cilat do të mund t’i bashkonin shqiptarët. Aktualisht me Serbinë në këtë rajon funksionojnë dy vendkalime kufitare zyrtare, te “Dheu i Bardhë” dhe në Muçibabë. Në Serbi mund të kalohet edhe nëpërmjet rrugës së asfaltuar të punkti i Muhocit dhe ai i Dobrasinit, por këto vendkalime nuk janë zyrtare, derisa është paralajmëruar se shumë shpejt mund të hapet edhe një vendkalim i ri kufitar, ai në mes të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës, te vendi i quajtur “Kapija”, gjë për të cilën kanë rënë në ujdi edhe delegacionet që kanë bashkëbiseduar në Bruksel.

Në pjesën që kufizohet me Maqedoninë, Anamorava nuk ka ndonjë vendkalim kufitar zyrtar, andaj ndonëse fshatrat e komunës së Vitisë janë ngjitas me ato matanë kufirit, për të shkuar deri te to, duhet të kalohen më shumë se 100 kilometra, për të arritur deri te vendkalimi kufitar zyrtar te Hani i Elezit.

Komuna e Gjilanit dhe ajo e Kumanovës, me insistimin edhe të ndërkombëtarëve, kaherë kishin rënë në ujdi që të lidhen në mes vete nëpërmjet vendkalimit kufitar të Stanqiqit, por ndonëse në fillim kishte një vullnet të shtuar nga të dy palët, më vonë pala maqedonase sikur nuk pati interesim dhe asnjëherë nuk e kreu detyrën e saj për të asfaltuar rrugën që dërgon deri në kufi. Marrëveshja ishte trashur edhe më shumë kur për të ishin zotuar edhe qeveritë e dy vendeve, por në terren punët po lëvzin ngadalë.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, thotë se komuna e Gjilanit i ka kryer të gjitha punët që kanë qenë përgjegjësi e saj, me qëllim të vendkalimit kufitar në Stqnqiq, i cili ishte paralajmëruar kaherë. Ai beson se mbase hapja e këtij vendkalimi kufitar, që do të afronte shumë Gjilanin me Kumanovën do të mund të ndodhte më herët. Ai pati paralajmëruar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, duke thënë se sa i përket komunës së Gjilanit të gjitha obligimet dhe detyrimet rreth kësaj pike janë kryer me kohë, është përfunduar rruga e asfaltuar deri në Stqnqiq dhe komuna e Gjilanit është e gatshme për hapjen e kufirit.

Edhe Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë, disa herë ka deklaruar se është e pakuptimtë që dikush nga Debëlldehu që ka miqësi me dikë në Tanushë, e që janë larg njëra- tjetrës vetëm dy kilometra, të bëjë me dhjeta kilometra për t’a vizituar njëri-tjetrin.

Fatmir Matoshi, nënkryetar i komunës së Kamenicës, thotë se hapja e një pike të re kufitare në mes të komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës ka qenë një nevojë e kahershme dhe kjo tashti po bëhet realitet me realizimin e pikës kufitare ndërkomunale Kamenicë – Medvegjë, në afërsi të fshatit Sfircë, te vendi i quajtur “Kapija”. Ai ka thënë se komuna e  Kamenicës ka nisur me veprime konkrete që t’a jetësojë marrëveshjen./Kryelajmi/.

You Might Also Like