Libri

TRËNDAFIL I PËRGJAKUR

Sadije KRASNIQI

TRËNDAFIL I PËRGJAKUR

O tingull i mbytur
nga pushka e robërisë.
Ti, lule e ujitur me lot,
e rrethuar me gjemba
u rrite,
për shumë shekuj notove në gjak.
Çka s’duruam për ty?
Këmbëzbathur,
të zhveshur,
të uritur
ecëm mbi plumba të shkrepur
Nga korbat e zi,
gjuhëprerët
zemërnxjerrët.
Gjithckaje i bëmë ballë
për këtë copë tokë:
Këtu ku lindëm,
këtu ku rrojmë,
këtu ku thurrim ëndrra,
këtu ku qëndisim të ardhmën tonë.
Këtu ku jemi më mirë kur vuajmë
se të lumtur në dhe të huaj.
Këtu, se
ti na je ky që je
edhe atëherë kur na vret.
Ti na je ky që je
edhe atëherë kur shpresa s’jeton më.
Ti që na rikthen në rrugën e duhur
kur humbasim arsyen.
Ti, që i përthekon krejt çka të servohen
që bijtë e tu mos të copëtohen.
Ti që na do
edhe atëherë kur s’bëjmë gjë për ty.
Ty, ushtarët të bënin hije
kur të prishurit varrin hap na e lanë.
Ty, fëmijët jetimë s’të braktisën
kur shpirtligët të grabitën.
Ty, të rinjtë të deshtën më shumë se jetën
kur injorantët të shitën.
Ty dhe për ty Kosovë,
secili dicka dha
kur trushkulurit të ndezën flakë.

You Might Also Like