Gjilan

Tri rregullore komunale iu nënshtruan dëgjimit publik, ajo për varreza zgjoi më tepër interesim

Gjilan, 13 shkurt / Tri rregullore komunale që kanë të bëjnë me taksat, subvencionet dhe varrezat i janë nënshtruar sot një dëgjimi publik, ku bashkërisht me qytetarë dhe zyrtarë komunalë janë diskutuar ndryshimet e propozuara. Fillimisht, sqarimet e nevojshme rreth ndryshimeve të propozuara i ka dhënë Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore.

Te rregullorja për taksa ka ndryshime te sektori i shërbimeve publike, pastaj është bërë një ri-rregullim i tarifave për shfrytëzimin e hapësirave sportive, i tarifave për shfrytëzimin e hapësirave të bibliotekës dhe të tjera. Sipas Naser Korçës, drejtor për Shërbime Publike, në përgjithësi tarifat për shërbime publike janë ulur deri në 30 për qind.

Edhe te rregullorja për subvencione, e cila i mundëson Komunës të ndajë mjete për personat fizikë dhe juridikë, sipas kushteve, kritereve dhe procedurave të caktuara, janë propozuar disa ndryshime. Përfitues i subvencioneve mund të jetë vetëm personi fizik ose juridik, i cili i ka të përfunduara obligimet ndaj Komunës, ka thënë Matoshi.

Rregullores i është shtuar një paragraf te neni 19, ku thuhet se subvencionimi për dëme të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore, zjarret , dëme tjera, bazohet në raportet e vlerësimeve të dëmeve nga organi kompetent.

Po ashtu është shtuar një paragraf te neni 22, që parasheh subvencionimin e projekteve të bashkësive fetare për veprimtari me interes publik. Sipas kësaj rregulloreje, kryetari i Komunës lejon ndarjen e subvencioneve për persona juridikë deri në shumën 4.000 euro, ndërsa për persona fizikë deri në 1.500 euro, me destinim për nevoja shëndetësore dhe mirëqenie sociale. Nëse ndihmat financiare kanë të bëjnë me shuma më të mëdha, atëherë vendos Kuvendi i Komunës.

Ndërkaq, te Rregullorja për varreza, ndryshimet kanë të bëjnë me nenin 5, ku thuhet: sipas mënyrës së themelimit, respektivisht mënyrës së vdekjes, varrezat klasifikohen në të përgjithshme (publike) dhe të veçanta. Në varreza të veçanta hyjnë: varret me përmendore, varret ushtarake, varret e heronjve dhe dëshmorëve, varret anonime, varret masive prej fatkeqësive natyrore dhe varret sipas përkatësisë fetare.

Mjaft diskutim nxiti çështja e prehjes ose jo të familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve në të njëjtat varreza, ku mendimet e pjesëmarrësve kanë qenë të ndryshme, duke përjashtuar mundësinë që në këtë hapësirë të varrosen të gjithë familjarët, por duke e lënë të hapur diskutimin që kjo mundësi t`iu lejohet vetëm prindërve të dëshmorëve dhe heronjve.

Nevzad Isufi, këshilltar komunal (VV) ka thënë se Komuna e Gjilanit duhet ta caktojë më parë një hapësirë të re për varrezat e qytetit, një problem ky që po zgjat tash e disa vite, përmes zgjidhjeve të pjesshme.

Vërejtjet e tij në rregulloren për varreza i ka paraqitur erdhe Agim Hyseni, sekretar i KBI, duek thënë se disa formulime duhet të saktësohen më mirë e më qartë.

Në diskutim, me pyetje, sugjerime, vërejtje e sqarime për të tria rregulloret, kanë marrë pjesë Xhelil Sahiti, Vjosa Avdiu, Agim Hyseni, Shaqir Ukshini, Veton Nevzadi, Xhelal Hajrullahu, Nevzad Isufi, Hekuran Aliu dhe të tjerë.

Hevzi Matoshi ka thënë se të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e bëra në këtë dëgjim publik, do të merren parasysh dhe i ka nxitur pjesëmarrësit që nëse kanë propozime tjera eventuale t`i dërgojnë edhe me shkrim, meqë debati nuk përfundon sot.

Këto rregullore, pritet të miratohen nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e muajit mars.

You Might Also Like