ARSIMI

UKZ ka shënuar 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në vigjilje të 12-vjetorit shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka organizuar ligjëratë të cilën e ka mbajtur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ku ishin të pranishëm, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati, përfaqësues të OVL dhe Organizatës së familjeve të Dëshmorëve në Gjilan, stafi akademik dhe administrativ si dhe studentë të UKZ-së.

Fillimisht Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka uruar të gjithë për festën e 12 të shtetit tonë. Rektori Kosumi ka thënë se , ne sot po e përjetojmë lirinë për të 12-tën herë me radhë. Duke e bërë lirinë bashkë dhe duke e përjetuar në mënyrë personale, në këtë sallë na bashkojnë dy gjëra, kujtimi i së kaluarës dhe besimi e shqetësimi për të ardhmen. Ai ndër tjerash ka thënë se, ne kemi qenë një popull i paragjykuar që të zhbëhet, por etrit tanë themelues, që nga Hasan Prishtina e deri tek Adem Jashari, nuk fjetën e nuk menduan për kënaqësinë e kësaj jete, ata e projektuan lirinë tonë rreth 100 vite. Prandaj, sot ju themi etërve tanë, ju faleminderit , tha Rektori Kosumi. Ai derisa ka folur për përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, ka thënë se Lutfi Haziri ka qenë njëri nga protagonistëve më të mëdhenj të shtetndërtimit të Kosovës.

Kurse në ligjëratën e tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka folur për tri dekadat e mëdha, të cilat sollën përpjekjet shekullore të shqiptarëve për të qenë ta pavarur, të lirë dhe të barabartë. Ai tha se tri dekadat e mëdha e kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, që është zgjidhja më e mirë dhe e vetme, duke shtuar se këtë përpjekje gjenerata të tëra e kanë paguar shtrenjtë.

Kryetari Haziri tha se dekada e parë 1980-1990 është dekada e zgjimit për të qenë të barabartë. Kjo gjeneratë e kryengritësve të rinj, pra e studentëve, e zgjoi popullin për ta vazhduar rrugën e saj për liri. Kurse duke folur për dekadën e dytë, Kryetari tha se, përpjekja për liri nis me pajtim dhe kjo nuk e ka kuptimin vetëm të faljes së gjakut, por edhe faljes politike, pasi të prirë nga Ibrahim Rugova, të gjithë u bënë bashkë për ta ndërtuar dekadën e dytë 89-99. Një unifikim të tillë që nuk e ka njohur historia deri në këtë rast, e cila kulmoi me kryengritjen e viteve 98-99, që e pasoi gjeneratën që e nisi kryengritjen në vitet 80-ta. Dekada e tretë sipas kryetarit Lutfi Haziri, është ajo se si do të dukej Kosova, me një proces të ngadalshëm, me një mision ndërkombëtar për garantimin e paqes, negociatave të stërzgjatura për statusin final, për të kulmuar me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Angazhimin tonë politik deri në këtë finale e kemi bërë me unitet të plotë, pozitë-opozitë. Është fat i madh që erdhi propozimi i presidentit Ahtisaari, që pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Haziri.

Para të pranishmëve, ka folur edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili ka thënë se ata që kontribuan për këtë ditë, do të kujtohen gjithmonë me respekt maksimal.

Gjatë këtij organizimi, studentë të Universitetit “Kadri Zeka” si: Arbisa Krasniqi, Shqipe Mustafa, Alisa Bekteshi, Adelina Halili, nënë udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Nevrije Ismaili dhe Ass. Liridona Mehmeti dhe Rinë Rasimi janë paraqitur me poezi që kanë pasur tematikë shtet bërjen e Kosovës.

You Might Also Like