Libri

Universi poetik i Sarë Gjergjit

Sarë Gjergji: Ave Aelia (poezi) –

 Mehmetali Rexhepi

Titulli i vëllimit poetik i Sarë Gjergjit “Ave Aelia” ka shenjën identifikuese me vetveten, diçka të ngjashme me emërtimin e autorit, sepse prapa emrit Sarë del gjinia natyrore mashkullore; por mund të ishte dhe Sari dhe të dilte gjinia femërore. Nga latinishtja Aelia do të jepte trajtën gjinore Aeleus. Një titullim i tillë na shpie në zanafillë… Ai ngërthen ngjizjen, lozën e ngjizjes së dashurisë dhe të mëkatit para, gjatë dhe pas mendësisë biblike. Kjo ngjizje, sipas poetit Sarë Gjergji, lidhet me dy përmasat përcaktuese madhore të gjinisë njerëzore: hyjnoren dhe tokësoren.

Krye-personazhet e këtyre variacioneve të poezisë: Eva dhe Adami i mbledhin dhe shtrijnë fijet e përsiatjeve të poetit për dashurinë dhe instinktin, mëkatet e virtytet, besëlidhjen e besëprerjen, vardisjet e rropatjet e përmbushjes të zbrazësisë shpirtërore kundruall indiferencës, veseve, egos e flirteve të saj.

Duke lexuar vëllimin “Ave Aelia” mbresa e leximit mund të na e shtrojë pyetjen: pse poeti, Sarë Gjergji i ka ikur të sotmes ekzistenciale për t`iu kthyer asaj lashtësie mitike? Në të vërtetë poeti asnjëherë nuk është shkëputur nga modernia. Ai me poetikën e vargjeve lidhi periudhat kohore dhe i përballi mendësitë: mitologjike, biblike e moderne, kësisoj ngre rrotullimin e qytetërimit rreth strumbullarit të dashurisë.

Përmasa langore dhe hyjnore e dashurisë

Trajtimi i ndjesive të zjarrta të dashurisë i para periudhës biblike, i kësaj periudhe kur ndërgjegjja e shkallës së gjinisë njerëzore nuk matej me rregulla etike, që do t`i sillte mendësia biblike, nxori në pah modelet vetëdrejtuese:

“Fshihu nga frika jote, Evë”

“Ç`është dashuria, Adam?

“Përtej Edenit, çeli qershia Evë” (Mbi kreshtat e dallgëve)

Përmes një dialogu paksa prozaik dhe krahasimit të zgjeruar, poeti nuk e shtyri në veprim të menjëhershëm dëshirën epshore, që do të ishte e ngjashme me instinktin shtazarak. Meqë Eva, përfaqësonte modelin njerëzor të femrës, shfaq frikën si impuls i ndërgjegjes, njëkohësisht si peshore njerëzore për ta matur veprimin e vet.

“Ç`është dashuria, Adam?”-Pyet Eva. Një pyetje e thjeshtë, mirëpo thelbësore dhe gjithë- kohore, e shtruar për shtjellim në mënyra e variante të ndryshme. Krye-personazhi poetik, mitologjik, Adami për t`ia hapur shtegun ndrojtjes së partneres, e cila dukej qartë se shfaqej e pasigurt, me një pafajësi femërore para gjinisë tjetër, përgjigjen e tërthortë e mbush me elementin e atmosferës joshëse të qershisë, e cila ka çelë përtej Edenit. Ideja e çeljes së qershisë nga elementi mitologjik shpie në përbërës real, ngase e bukura ndodh edhe jashtë Edenit. Kështu e hasim poetikën e finokërisë të Sarë Gjergjet. Kontrastet dhe finokëria poetike-ideore karakterizojnë shtjellimin poetik të këtij poeti. Ndërtime të këtilla refleksive, me shtrirje të pakufishme, do të gjejmë nga poezia në poezi në tërësinë e kësaj shtrirjeje poetike.

Diskursi poetik i këtij poeti vazhdimisht është në anën e çiltërsisë… Ai pas saj është i gatshëm të ngjitet në majën e drurit më të lartë me gjemba. Çiltërsinë dhe djallëzoren ia dëftojnë kundërthëniet e jetës së personazheve, të cilët në lirikën e tij kanë jetë-shtrirje tokësore dhe

mitike. Ata duken, humbin e sërish kthehen me veshjet e stinëve…Në këto variacione poetike fshihen kufijtë mes hyjnores, mitikes dhe të rëndomtës së jetës.

Meqë ky poet tashmë zotëron përvojën e duhur pas kërkimeve të përhershme për qëmtime e gjetje të shprehjes, ai thuri hapësirën e botës së vet të shkrimit poetik-artistik. Si mund të përkufizohet bota poetike e Sarë Gjergjit? Me kaq gjithsesi jo. Duhet të hyjmë në rrënjë të fjalëve, në kontrastet e thënies, në metafora dhe në epitetet metaforike, aty ku rrudhet ndjenja për t`i lënë hapësirë idesë dhe meditimit.

Në përkim me pohimin për veçantinë dhe individualitetin e kësaj poezie, vjen shtrirja e ideve dhe stilit për prekje përmasash e hapësirash kohore, globale e kozmike. Në qiejt e trurit poetik shpërthejnë dhe rrjedhin ujërat e ndjenjave dhe nuk i ndal dot mendimi… Përderisa idetë poetike, estetike e filozofike mëtojnë vënien e lidhjeve të reales me imagjinatën, të prekshmes me të paprekshmen e gjakuar të poetit për të fshehtat e universit. Poetika fluide e reflektimeve fantastike edhe kur nuk duket në pafundësinë e gjithësisë, kthehet në pikën e prekshme, të cilën e quajmë tokë, një yll gjysmë i kaltër e gjysmë i errët rreth një ylli të zjarrtë, të cilin e quajmë diell.

Përmasa e dashurisë së kësaj poetike është langore, ngase ka “aromë frutash”, përderisa frutat kultivohen në tokën prej dheu, por dhe “frymë hyjnore” sepse merr bekimin e Perëndisë. Kjo “frymë hyjnie” e mban të lidhur poetin për dashurinë në përmasën hiperbolike të saj, që është po aq e madhërishme sa hyjnia:

“ ti që mban e thyen boshtin e universit” (Jehonë e butë kënge)

Akti i leximit dhe rileximi

Seç pandehja në leximin e parë të kësaj tipologjie poetike, e kapur shkarazi, siç kapet leximi i papërqendruar, se në vëllimin “Ave Aelia” arkitektura e ndërtimit poetik duket e thjeshtë dhe e rëndomtë, megjithatë rileximi i thelluar më dëftoi se qenkam lajthitur, sepse nëse jargavani ishte:

“si zemra njëherë,

herën tjetër si shtizë”

Nuk kishim pas hyrë asnjëherë në këtë semantikë, veçse e kundruam së jashtmi. Pamja e jashtme nuk doli të jetë përcaktuese e brendisë. I kurthuar në pohimet kundërthënëse prej dymendjesh, për dalje nga kjo situatë, në këtë kontekst nuk ke si mos ta lypësh dorën e shtrirë përherë të urtisë:”Të mësosh të lexosh është të ndezësh zjarr; çdo rrokje që është shqiptuar është shkëndijë.” Kështu këshillonte urtari Victor Hugo. Po ashtu, studiuesi, vlerësuesi i librit doemos duhet ta ketë udhërrëfyese urtësinë tjetër të urtarit Stephen King: “Do të mbash mend se gjersa e gjykon librin, libri gjithashtu të gjykon ty.”

Metamorfoza e poezisë na shpie në gjendje emocionale, në pozita antitetike, në paradokse e trajta paradoksale. Të kundërtat e mundshme të antinomive poetike, ndarjet dhe mëtimet, lektisjet për bashkim zemrash, shijesh… Rrotullimet rreth orbitave, shkëlqimi dhe fikja e prushit të yllit të jargavanit, shndërrimi i bukurisë së jargavanit në një shtizë, shënjestër lëvizëse për goditje në zemër…Të tëra këto tërësi me zbrazësi të jetës e qenies së njeriut, poezinë moderne të Sarë Gjergjit e shkëpusin nga shfrimet e derdhjes vetjake, që do të ishte vetëm për një vete të emocioneve… Pikënisja është poeti, pikë-takimet e pikë-prekjet janë lexuesit e rendit të ri njerëzor… Në këtë tipologji poetike dashuria nuk është vetëm bosht rreth së cilës mbështillen: joshja, gjakimi, lakmia, vuajtja… Dashuria si koncept, si përmasë madhore pleks aspekte ekzistenciale, etike, hyjnore, estetike, etnike dhe filozofike. Pra, koncepti i kësaj dashurie shtrihet në përmasa universale.

Zemrën e galdon dashuria, por e mashtron bukuria. Zemra rrah për bukurinë, por bukuria është e rrëshqitshme… Njëjtësimi i zemrës me bukurinë lyp çastin dhe kohën e vet. Poeti e sheh dhe e ndien çastin e lulëzimit të bukurisë, por ai çast i ikën shpejt sapo të fillojë dehja, ndërsa ai gjakonte zgjatjen e përjetshme të dehjes… Zemra e zhveshur nga petalet e asaj bukurie jetë- shkurtë, jargavanit të poetit i lë një cung të shëmtuar, një shtizë dhe një pamje të perënduar… Mëria e zemrës shndërrohet në shtizë, që mund të jetë e dyanshme: për veten dhe zemrën tjetër të supozuar, meqenëse nënteksti jep mundësi të shumta supozimesh. Ndoshta, pikërisht kjo e rrëzoi lajthitjen e krye-herës për kapje a mos-kapje të shenjave ngërthese të kësaj strukture poetike? Prapa shenjave të kësisoj fshihen çelësat e kodeve (po)etike të mendësisë hyjnore, mitologjike dhe njerëzore, mitikja dhe realja e diskursit poetik-artistik në poezinë e Sarë Gjergjit.

Brenda shenjave të kondensimit poetik konceptohen pamjet, reflektimet ideore, sprovat jetësore, të cilat ngrehin një filozofi të fragmentarizuar mesazhesh për jetën me ngjyra autoktone dhe universale.

Lexuesi i identifikuar

Mes kontrasteve të gjendjeve shpirtërore, të antitezave, të antonimive, të variacioneve, të mëdyshjeve për dukuritë që i ndjekim, por na pushtojnë, të ndjenjave të cilat vlojnë dhe i ftohë herë pas herësh arsyeja… Kryeneçësia dhe rebelimi i lëshojnë udhë figurave të veshura me urti dhe meditim. Jo gjithë-herë karakteri kryengritës i poetit iu nënshtrohet vullneteve hyjnore… Ai di të jetë dyshues e blasfemues, madje dhe i blasfemuar, kur atij i duket se Perëndia nuk na sheh, se si jirinejtë prore na gjuajnë me gurë dhe mprehin thikat, përderisa murtaja e futës së zezë, e shumëzuar, vjen për të na kapluar!… Figurat flasin vetvetiu ose tërthoras. Lexuesve të paidentifikuar me këtë etikë poetike mund t`iu rrëshqasin piketimet, t`iu ngatërrohen idhujt, kuptimet të merren si kumte, t`iu avullohen pamjet, t`iu lëbyret shkëlqimi, t`iu ngufatet ideja, t`iu humbë ndjeshmëria për të bukurën, të mos e kapin dot të madhërishmen… Nëse kemi arritur që mbi shenjat e tekstit poetik të ngrehim botën vetjake të mbresës, mandej përtej saj shenja tjera identifikuese, një alternativë të ndërtekstit me kureshtje të zgjuar, atëbotë misioni i tekstit dhe kontekstit poetik është përmbushur dyanshëm. Përfitues shpirtëror të këtij vokacioni janë: lënda poetike, autori dhe lexuesi i identifikuar. Shkasi dhe shkaku në marrëdhëniet ndërvepruese, ushqejnë kureshtjen e palës tjetër, për ta gjetur botën e vet brenda tekstit dhe, për ta ndërtuar një botë krejt të ndryshme.

Jo vetëm kaq. Lexuesi i identifikuar tashmë ka shtuar kërkesat. Ai kërkon gjetje depërtimesh të reja, sepse ka filluar që t`i zbërthejë kodet e pleksjes së emocioneve me ide, me pamje, me artikulimin e sferës së mendimit, të butësisë e dhimbjes njerëzore, të shohë edhe pas anës së ndritshme të hënës.

Meqenëse kemi hyrë në botën tipologjike të poezisë së Sarë Gjergjit, le të nënvizohet veçoria figurative e hiperbolës tij:

“Shtatë dete në gjoksin tim do kesh, shtatë pyje, të rritesh ti…”

Hiperbola e Gjergjit, si e tillë, tipike për stilin e tij, tërthoras, pra me finokëri, ndërton dhe forcon litotën. Litota nuk duket. Ajo është e padukshme në këtë furi të ndjenjave; por lë për tu kuptuar se është pikërisht aty ku përfytyrohet… Si duket ajo të cilën nuk e shohim? A mos i ngjan kjo logjikës paradoksale? Padyshim. Mirëpo, mu në rrjedhën e kësaj logjike, të logjikës së paradokseve ngrihet e funksionon poezia moderne.

Përfytyrime estetike

Përafrimet dhe refuzimet e antinomive të tipit: mallkoj, bekoj dhe të tilla të ngjashme, shpërfaqin ashpërsinë e fërkimit të karakterit dinamik të malësorit të modifikuar me urtësinë qytetare, por me tipare ende të pashuara të rreptësisë, të psikologjisë së paepur kundruall cenimit të burrërisë. Në disa treva veriore të Shqipërisë, tipari i mos-cenimit të burrit, ka mbetur një relikt i skajshëm, tipizim i një anakronizmi kanunor: burri nuk rrehet, burri vrahet!

Si e shohin të bukurën përfytyrimet estetike të poezisë së Sarë Gjergjit ?

E bukura e këtij poeti e ka kohën e pjekjes në prushin e vet. Ajo nuk është e pandjeshme, ajo skuqet prej emocioneve të veta, sikurse Eva përballë Adamit. Asaj duhet t`i qasesh, t`i japësh dëshmi të shumta se vërtet e ke përnjëmend që ta meritosh. Atë duhet ta prekësh, t`ia ndiesh butësinë, “të njomësh buzët.” Njëkohësisht, meqë ajo është e tillë, e (a)dhuruar, e gjakuar, jo veçse si fikson në plotësinë e saj, subjektit lirik edhe më shumë ia shton etjen dhe urinë. Përmasa e të bukurës e këtij poeti i kalon caqet e gjinisë. Nuk përfaqësohet vetëm prej vijash të pëlqyera e hijeshisë, ose elegancës së një bukurosheje.

Koncepti i Gjergjit për të bukurën, të hijshmen, të erë-këndshmen nuk është i paprekshëm, as fanitet si pamjet e Naimit për bukurinë:

“ me atë lëkurë fine

e shkëlqim përcëllues”

Ky koncept ngërthen florën si frytdhënës shijesh, sikurse luleshtrydhja, vjollca erë-mirë, faunën fluturuese, si mjellma e bardhë…

Forca lëvizëse e të bukurës e ngërthyer në tinguj “të praruar” të Mozart-it, hijeshinë ua merr e ua jep sa herë të dojë “zotave të Olimpit.” E tillë është forca paradoksale e artit poetik.

E bukura tek Sarë Gjergji: pos dukjes ka dhe prekjen, pos prekjes ka dhe shijen, pos shijes ka dhe dhimbjen, pos dhimbjes ka dhe ngazëllimin.

Parimi i krasitjes

Teksti poetik i dorëshkrimit, që e bëri librin “Ave Aelia”, përjetoi një reduktim të pamëshirshëm. Parimi i padhembshëm i Ajsbergut, me gërshërët e auto-censurës ka prerë çdo degë të pemës pa inde të gjalla për fruta. Modeli i këtij parimi fundosi në detin e ndërdymes së autorit tri të katërtat e tekstit varg-shkrues. Ky model preferoi ndërtime të tipit formulë:

“Pjeshkë-ah, pjeshkë!

Shijet tona – bjeshkë!”

Padyshim vargu i poetit Sarë Gjergji është shpërthyes, ngërthen e zbërthen metafora dhe epitete metaforike me ritme dramatike, pa trekëmbësh skematik për varje rimash të vargut pas-rendës. Vargjet, strofat rrjedhin lirshëm shtratit të lumit dhe çajnë ngushticave malore të semantikës, pa e qetësuar nervozen e fërkimit me stomet e shtogjet e këqija, që të marrin frymën me ndotjen ekologjike dhe etike të mjedisit urban. Ndaj, poeti nuk i frenon ofshamat, apostrofat, pasthirrmat, stilin e ngjyrimit ironik.

Koncepti poetik i Sarë Gjergjit për fisnikërimin e dashurisë është i përmasës flijuese. Për çiltërsinë e saj, ai është i gatshëm të flijohet ”në më të galduarën verë.” E qartë: ky diskurs i përket ngjyrimit romantik. Le ta nënvizojmë si pozë romantike; por a nuk ishte vrulli i romantizmit ai që solli vetëdijesimin e popujve?

Po se po, një koncept të tillë e shtjelluan dhe e përjetësuan, natyrisht me finesat e veta, poetët e mirëfilltë, që nga F. Petrarka, Z.Serembe, L. Poradeci, Tomas Sterns Eliot-i e varg e vi… Nëse Eliot-i poezinë nuk e konsideronte si luks për zbrazjen e ndjenjave, tek Sarë Gjergji poezisë së dashurisë i pleksen çeljet ciklike të sythave të degëve; po ashtu, veshja dhe zverdhjet ciklike të trungut të shpirtit me gjethet e reja të ngazëllimit… Ngazëllimi i jetës buron tek e blerta, por piqet tek e verdha… Megjithatë, “Njeriu vdes i ri” pohon titulli metaforik i librit të Sabri Hamitit.

Jo në pak raste, poetin e vërejmë të shqetësuar pa mburojën e shpirtit të tij, poezinë. Aq dendur pleksen kategoritë e sferës estetike në përditshmërinë e joshjes nga hierarkia, sa që nuk i dallon dot gjinitë natyrore: të bukurën do ta kërkosh tek e shëmtuara, të shëmtuarën tek e bukura, tragjiken tek komikja, komiken tek tragjikja, të vërtetën tek gënjeshtra, gënjeshtrën tek e vërteta, të madhërishmen tek e ulëta, të ulëtën tek e madhërishmja?!…

Shtresë-kuptimësia

“Ajo me diell veshur,

vonon e s`vjen…” (Pritje)

Kush është ajo që vonon e nuk vjen? Vasha? Perria? Pranvera? Liria?

Ajo e veshura me diell e ka ecjen e ngrohtë. Asaj andej, nuk i bën përshtypje ngrica e pritjes këtej. Ndoshta dhe nuk vjen? Për të satën herë mësymja lirike, tërë sy e veshë e kërkon, e gjakon ardhjen e saj sinonimike. Cila prej këtyre sinonimeve do t`i vijë poetit?

Ndërtime të këtilla të një densiteti të shtresimit kuptimor, e sprovojnë shumësinë e peshën e fjalës për të bartur shtresë-kuptimësi, për t`i hapur paranteza begatisë së shenjave identifikuese, nuanca stilistike tekstit figurativ. Poeti Gjergji i ngërthen këto shkathtësi në stilin dhe gjuhën e poetikës së tij.

Ngulmimi për kërkime të përqendruara të shprehjes artistike, dëshmon konsolidimin stilistik të poetit Sarë Gjergji, poezinë e të cilit e shqyrtuam në planet: teorike-estetike-ideore-kuptimore.

“Loti,

tej botës më rrokulliset

në çdo klithje

kumti”

Variantet e ndjeshmërisë e shpalojnë shtresimin e thellë njerëzor të palosur në zonat intime të poetit. Ai, poeti në thellësinë e qenies tij, ka të ngjizur shëmbëllesën e Jezuit, për ta urtësuar racën e njeriut. Kur nuk ia del ta bëjë të përtrollitur mirësinë mes njerëzish, ngjyrash e fesh të ndryshme, shpirtërisht i drejtohet hyjnisë që të zbresë mes tyre. Hyjnia, mu nga etnia e poetit, i fali botës një Shën Terezë. Një mrekulli! Ndërsa bota: a do të vuaj për pasues të rinj të asaj mrekullie?

Loti i dhimbjes njerëzore rrjedh vargjeve të poetit, si një cikël shfryrjesh të pambarimta. Shfryrje universale për jetë-prerje rinore… Katarzë poetike… Arkivi i dhimbjes së poetit është një det i tërë. Nuk shpalohet dot lënda globale nga përmbytje të reja! Andaj, ligjërimi për lotin gjeti shprehje vetëm atëherë kur u pa se rridhte:

“I bukur në fytyrën e dashurisë” (Loti 2)

Kemi një shtrirje të metaforës së fisnikëruar.

Mite lakmitare

Personazhet mitologjike nuk gjallonin vetëm me oksigjen të pastër. Shqetësimet, brengat, ngazëllimet e pikëllimet, zilia e grackat për ta e prej tyre, ishin sikurse këto të kësaj bote. Dëftorja e artikulimit poetik i paraqet ata po kaq njerëzor sikurse ne.

Adami i dëfton Evës faktin jetik se:

“Gruri e mbushi kallirin, Evë”

Fill pas kësaj dhuntie që iu fal tokës, dhuntia e pjellorisë dhe bujkut, i cili e kultivoi, Adami, i ngazëllyer, mund ta shtronte sofrën bashkë me Evën. Mirëpo, çfarë ndodhi në Eden? Kush e prishi idilin e Edenit?

“Gjarpri, kutullaç, në Eden.

Eva, gjuhë prushtë

braktisjen grish”

Hyrja e gjarprit kob-sjellës simbol i helmit, i helmimit të paqes në Mbretërinë e saj, lëkundi sigurinë e Mbretërisë. Kush e grishte Evën për ikje nga kjo mbretëri mitike? Iluzioni i një mbretërie tjetër ose shmangia nga dashnori i saj i parë, Adami? Ku do ta gjente Eva ëmbëlsinë e dashurisë së parë? Ndoshta tek partneri tjetër? Çka do të thoshte kjo për prishjen e jetës bashkëshortore? Tradhti, besëprerje, zili, prostitucion, trashje e mëkatit, rikthim në kafshërinë e poligamisë!

Poezia e poetit është ura gjithë-kohore e lidhjes dhe vijimësisë së aktualitetit me mendësinë mitike. E keqja u ngjiz që në zanafillë të egos së njeriut, tash vijon në trajta më të sofistikuara të shfaqjes…

“E pra, idhuj të kotë s`adhuroj dot.

Në tempullin tënd të shenjtë,

hiret tua kërkoj” (Sot është e diel)

Nuk kishte si të ishte ndryshe përcaktimi legjitim i humanizmit të poetit Sarë Gjergji, pos për një shenjtëri të vërtetë, të pastër dhe të madhërishme

Në vend të përmbylljes

Veçantia dhe polifonia e poezisë, e këtij arti të lashtë e të bukur, asnjëherë nuk të jep garanci për përsosmëri të saj. Përsosmëria prore është relative. Pretendimi i ndonjë poeti se ka prekur fundin e përsosmërisë poetike-artistike, paraqet fundin e marrëzisë tij?!

Në këtë vështrim me mëtime shteruese për dorëshkrimin poetik të Sarë Gjergjit, që tashmë u bë libër me kopertina, më ndjek droja e mençurisë së Ralph Waldo Emerson-it: “Asnjëherë mos lexo një libër që nuk është një vit i vjetër.”

Në kontekstin e mëdyshjeve fondamentale-ekzistenciale për të sotmen dhe të ardhmen: a do të zhbëhet njerëzorja dhe të shndërrohet në kafshëri? Pyetje të këtilla shtruan të gjithë urtarët e madhërishëm të penës… Një të tillë e shtroi edhe Sarë Gjergji.

Gjilan, më 15 prill 2018

You Might Also Like