ARSIMI

Universiteti “Kadri Zeka” dhe IKAF nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan bashkë me Institutin KAF, në rrugëtimin drejt krijimit të mundësive sa më të përshtatshme dhe cilësore për kualifikimin dhe zhvillimin profesional të studentëve në bazë të standardeve dhe vlerave më të larta profesionale, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Qëllimi i kësaj marrëveshje të nënshkruar nga Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Bajram Kosumi dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit KAF Bujar Krasniqi, është bashkëpunimi profesional për përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e kontabilitetit dhe financave, shkëmbimin e përvojave në fushën e kontabilitetit, auditivit dhe financave, si dhe certifikimin e studentëve të diplomuar të Fakultetit Ekonomik.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Bajram Kosumi tha se nënshkrimi i marrëveshjes me IKAF-in, si një institut i kontabilistëve dhe i audituesve, i jep nuanca të veçanta bashkëpunimit në shkëmbimin e eksperiencës, duke fituar përvoja të ndryshme edhe studentët e Universitetit tonë.

Kurse Drejtori Ekzekutiv Bujar Krasniqi, theksoi se do të përkrahë Universitetin “Kadri Zeka” në drejtim të zhvillimit profesional në bazë të standardeve profesionale, duke ju mundësuar studentëve që në sajë të njohurive të marra, të akumulojnë aftësitë e nevojshme duke rritur potencialin e tyre për punësimin në kompani e organizata private apo publike, vendase ose të huaja, prodhuese ose të shërbimit, si specialist i fushës përkatëse të studimit duke ndjekur rrugën e ushtrimit të profesionit të kontabilistit, financierit apo menaxherit të biznesit.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt do të ulen të diskutojnë drejt mundësisë së bashkërendimit të kutikulave konform SNE 2 (Standardi Ndërkombëtar i Edukimit për përmbajtjen e kurkikulës për zhvillimin profesional të kontabilistëve dhe auditorëve) i dalë nga bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit në Kontabilitet (IAESB) dhe direktivës Nr. 8 të Bashkimit Evropian për ofrimin e studimeve sa më cilësore në fushën e Kontabilitetit.

You Might Also Like