OPINION

Vëtëvrasjet në Kosovë, dukuri në rritje!

Nga Ismajl VELIU
Vëtëvrasja është dukuri sociopatologjike dhe devijante mjaftë e perhapur në botën bashkëhore.
Si dukuri shoqërore paraqet një fenomen shumë kompleks dhe objekt studimi.
Dukuria e vetëvrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje alarmante në krahasim me vitet e paraluftes.
Gjatë 20 viteve të fundit në Kosovë janë raportuar 1124 raste të vetëvrasjeve dhe 3727 raste të vetëvrasjeve në tentativë.
Nga këto, 613 janë kryer në vende urbane, ndërsa 511 në vende rurale.
Grupmosha më e prekur nga kjo dukuri është ajo në mes 26-30 vjeçe, pasuar nga grupmosha 19-25 vjeçe.
70% e vetëvrasjeve në Kosovë janë kryer nga burrat.
Kurse, 30% e vetëvrasjeve janë kryer nga gratë.
Shkaktarët kryesorë janë: traumat e ndryshme, depresionet, abuzimet e substancave narkotike, të cilat më së shumti shoqërojnë vetëvrasjet dhe tentim-vetëvrasjet. Mirëpo, përveç këtyre, janë edhe periudhat e tranzicioneve socio-ekonomike të shoqërise sonë, familja apo krizat individuale që mund të përjetojë një person, rritja e sjelljeve psiko-patologjike, dezintegrimi i familjes në tërësi.
Gjithashtu, gjendja e vështirë ekonomiko-sociale, papunësia, mungesa e perspektivës, mungesa e organizimeve shoqërore, sidomos e moshave të reja, si aksionet vullnetare rinore, aksionet punuese…, kanë pasivizuar brezin e ri. Kjo ka shkakruar akumulimin e energjisë negative, stresit dhe depresionit, dhe kur beteja me realitetin është e humbur, atëherë individi i dëshpëruar i kthehet mohimit të vetvetës – me vetëvrasje!
Tiparet e shoqërisë moderne janë të shprehura, flitet pak për të kërkuar ndihmë dhe ofrohet pak ndihmë e specializuar. Qendrat e këshillimit në komunitet mungojnë dhe rrjedhimisht nuk ka mekanizma të duhur për të parandaluar prirjet e disave më të rrezikuar për t’i dhënë fund jetës.
Për parandalimin e vetëvrasjeve duhet të jepet një kontribut i shtuar nga të gjitha segmentet e shoqërisë, por normalisht pesha më e madhe e punës u bie institucioneve qe meren me parandalimin e vetëvrasjes.
/Autor i shkrimit është Sociolog-Kriminolog dhe Jurist, në të tri fushat i diplomuar/

You Might Also Like