Gjilan

Vihet gurthemeli i Xhamisë së Balecit

Xhamia e Balecit, e ndërtuar në vitin 1974, ishte meremetuar në vitin 1994, por ajo nuk mundi t’i bëjë ballë tërmetit, sikurse që ishte dëmtuar së tepërmi, andaj këtë vjeshtë ajo u rrënua dhe në vend të saj do të ngre shtat një xhami e re.

Para lufte, kjo xhami ishte një nga katër xhamitë që i kishte qyteti. Ajo fillimisht në vitin 1890 kishte qenë si mesxhit e më pas ishte bërë xhami, kurse më vonë pati nevojë të rindërtohet dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan dhe Këshilli i Xhematit ranë në ujdi që të rindërtohet xhamia dhe në këtë qëllim gjetën edhe përkrahjen e komunës dhe të donatorëve.

Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka thënë se historiku i ndërtimit të xhamive lidhet me historinë e njerëzimit, kurse themelet e xhamisë së parë i caktoi i madhi Zot, derisa themelet tjera i caktojnë njerëzit aty ku kanë nevojë.

“Xhamitë janë të Allahut dhe në xhami i bëhet adhurim Allahut, kurse ai që ndërton xhami në xhenet do t’i ndërtohet një shtëpi”, ka thënë Tërnava, që tha se xhamitë janë edukuese të xhenaratave të reja dhe ka kërkuar që këtij xhemati të mos i vihen lloj lloj etiketimesh dhe ka kërkuar që të jetojmë e veprojmë nën urëdhërat e Allahut.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se Xhamia e Balecit e kreu mandatin e vet, ajo u dëmtua nga tërmeti, kurse me ndërtimin e xhamisë së re do të hiqen të gjitha telashet, kurse Naim Aliu, kryetar i BI-së në Gjilan, ka theksuar se kjo është një ditë e gëzuar dhe ai ka falënderuar zotriun Islam Caka, që gjeti donatorët për ndërtimin e xhamisë, sikurse edhe komunën.

Haxhi Nevzati, nga Këshilli i Xhamisë së Balecit, ka shprehur besimin se kjo xhami do t’i plotësojë nevojat e xhematit.

Ndryshe, në të njëjtën ditë është vënë edhe gurthemeli për ndërtimin e xhamisë në fshatin Pasjak.

You Might Also Like