Futboll

Vllaznimi – Gjilani ndeshja për momentin është ndërprerë

Vllaznimi e Gjilani kanë luajtur një ndeshje për jetë a vdekje, cdo rezultat tjetër pos fitores për Vllaznimin do të thoshte shkuarje në barazh, derisa Gjilanit i mjaftonte edhe barazimi për të mbetur në ligë.

Në një gjendje të tillë, Gjilani luajti me kujdes shumë të madh dhe mëtonte që nëpërmjet kundërsulmeve të bëjë diç më tepër, derisa Vllaznimi nuk ia doli të shpërthejë mbrojtjen e çeliktë të Gjilanit.

Dy rastet më të mira i kanë pasur mysafirët, kurse Vllaznimi ka pasur gjuajtje nga ndërprerjet dhe goditjet nga këndi, por që nuk ia arriti të bëjë diç më tepër.

Sa më tepër që afrohej fundi, aq më tepër shtohej nervozizmi te gjakovarët, kurse presioni vinte edhe nga shikuesit dhe kur gjyqtari i katërt kishte treguar gjashtë minuta shtesë, në kohën që te Gjilani po bëhej një zëvendësim, ndodhi një incident, i cili e ndërpreu ndeshjen për disa minuta, kurse gjyqtari ftoi lojtarët në zhveshtore pranë rezultatit 0:0.

Gjyqtari ka dhënë urdhër që të zbrazen tribunat, ngase një lojtar i Gjilanit është qëlluar. Kanë mbetur të zhvillohen edhe pesë minuta shtesë.

You Might Also Like