ARSIMI

VV: Shqetësim me shkas!

Arsimimi i fëmijëve është gjëja më e rëndësishme për familjen, kombin e tërë njerëzimin. Ofrimi i kushteve sa më të mira nga prindërit e nga institucionet komunale e shtetërore, janë baza për të pasur fëmijë të arsimuar e në këtë rast edhe popull të arsimuar.
Me rritjen e numrit të familjeve me kushte të vështira ekonomike ku shkak për këtë është edhe pandemia, po ndikon edhe te kushtet e vështira të nxënësve për të ndjekur mësimin nga distanca. Mjet i domosdoshëm për të ndjekur mësimin nga distanca janë kompjuterët e pajisjet tjera elektronike, që ju mungojnë nxënësve, sepse familjet e tyre nuk qëndrojnë mirë në aspektin ekonomik. Shkollat e komunës së Gjilanit kryesisht kanë bërë kërkesën për të ndihmuar nxënësit, duke i pajisur me mjete elektronike për të pasur mundësi të përcjellin mësimin. Kërkesë për të ju ndihmuar këtyre nxënësve bëri edhe shkolla “ Thimi Mitko” dhe në ndihmë ju erdhi organizata GIZ-CDBE, e cila sjelli 175 laptopë për fëmijët në nevojë.
Drejtoria e shkollës organizoi një ceremoni, për shpërndarjen e laptopëve dhe të ftuar ishin edhe  Kryetari i Komunës Lutfi Hazirin si dhe Drejtori i Arsimit Nazim Gagica, edhe pse ata nuk dhanë asnjë lloj kontributi në këtë drejtim. Bashkë bënë shpërndarjen e laptopëve, duke u duartrokitur të gjithë të pranishmit, në përcjellje të aparateve dhe kamerave, ku pjesa më e këndshme ishte gëzimi i fëmijëve, që me pajisje shumë të domosdoshme për të ndjekur mësimin, shkuan në shtëpi shumë të gëzuar. Por gëzimi i tyre zgjati shumë pak, pasi që u thirrën nga mësimdhënësit, sepse i kishte detyruar Drejtoria e shkollës që t’i thërrasin nxënësit dhe t’i kthejnë laptopët në shkollë, me arsyetimin se do t’i marrin kur të filloj mësimi “online”.
Me këtë gjest u shfrytëzuan dhe mashtruan nxënësit e kësaj shkolle, ku në mesin e tyre ka edhe fëmijë me nevoja të veçanta. Ju dha në duart e tyre një dhuratë e shumëpritur dhe pas një kohe të shkurtër ua morën nga duart. E shfrytëzuan këtë rast Kryetari i Komunës dhe Drejtoria e Arsimit, kinse po ndihmojmë, por në të vërtetë mashtruan nxënësit e prindërit.
Të keni mëshirë, të paktën të jeni të sinqertë me fëmijët!

You Might Also Like