Gjilan

“Xixat” i dhanë hijeshi e gjallëri “Flakës së Janarit”

Gjilan, 28 janar 2020 – Festivali i Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës” ka qenë manifestimi i radhës në kuadër të Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”, i cili tash e sa javë po mbahet në Gjilan.

Në hapje të këtij festivali, Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë se në këtë festival po ndihemi mirë dhe ka përgëzuar fëmijët. Ajo ka shprehur dëshirën që në manifestimin jubilar, të tridhjetin me radhë të ketë edhe më shumë program për fëmijë.

Ky festival, drejtor i të cilit është Kushtrim Jakupi, producent dhe udhëheqëse e Korit “Lyra”, Albina Jakupi e të cilin e moderuan Diana Toska dhe Triola Jakupi, ka sjellë këngëtarë të vegjël, por tejet të talentuar, të cilët në skenën e përgatitur nga Bekim Korça, me realizim të Mentor Latifit e nën realizimin e OJQ Lyra, me përkrahjen edhe të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kënaqur publikun e pranishëm.

Ky festival pati edhe mysafirët e “Xixave” që ishin Ina Geci, Rron Jakupi, Emda Rexhepi, Albina Jakupin dhe Korin “Xixat” që interpretuan këngën “Heal the world”.

Mysafire ishte edhe Vlera Kastrati, që interpretoi këngën “Ti Shqipëri”, Alea Syla – “O vendi im” dhe Grupin e Valltarëve “Dancing House” me koreografen Naski Shabani, që vallëzuan nën ritmin e këngëve “Rrjedhë në këngë e ligjërime”, “Sot ka festë Kosova” dhe “Jam Kosovë e jam Shqipëri”.

Këngëtarët e vegjël i kënduan Shqipërisë, Kosovës, atdheut, nënës, babit, cigarexhiut, të rinjve e fëmijëve dhe gjuhës shqipe.

Koncerti i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” solli këta këngëtarë dhe këngë:

Vlera Kastrati – “Ti Shqipëri”, Bora Shurdhani – “Atdheu”, Shero Dushica – “Vendi im”, Eja Kida – “Kosovë dhe Shqipëri”, Blinera Mustafa – “Kosovës time”, Albanita Hoti – “Ninulla e nënës”, Anik Murati – “Babit tim”, Elion Syla – “Cigarexhiu”, Lior Hajdari – “Ku shkojnë këta të rinj”, Demush Sejdiu – “Shqipëria e jonë e dashur” dhe Alea Syla – “Vendi im”.

Kompozitorë të këtyre këngëve ishin Pirro Cako, Mentor Latifi, Hekuran Bllaca, Albina Jakupi, Arbnor Gashi, Hysni Klinaku, Kushtrim Jakupi, Anduena Tahiri, Burim Demiri dhe Rashid Krasniqi.

Publiku që, kryesisht ishin fëmijë dhe prindër të tyre, gjatë tërë kohës sa ka zgjatur koncerti janë kënaqur me performancat e bashkëmoshatarëve të tyre.

Në ditën e fundit, më 31 janar do të ketë dy aktivitete, Ora e madhe letrare “Pena e Flakës”, ku do të jepen edhe shpërblimet për konkursin ketrar, si dhe Festivali i Muzikës Popullore “Fest Flaka”, që shënon mbylljen e Manifestimit “Flaka e Janarit 2020”.

You Might Also Like