Gjilan

Zyra për komunitete merr notë pozitive për punën e bërë gjatë vitit 2016

Komiteti për Komunitete ka miratuar të martën raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK) për vitin 2016, të cilin e ka prezantuar para anëtarëve të kësaj trupe komunale, Milivoje Zhivkoviq, shef i ZKK.

Sa i përket kthimit të qëndrueshëm, Zhivkoviq ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë përzgjedhur 9 raste për ndërtim ose rinovim të shtëpive dhe deri tani 6 shtëpi janë kryer, ndërkaq 3 të tjera nuk kanë mundur të fillojnë për shkak të kushteve atmosferike.

Ndërkaq sa i përket riatdhesimit, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, janë kthyer 340 persona dhe familje. Nga jo kategori, në ZKK janë adresuar 15 kërkesa për ndihmë sociale, 3 kërkesa për akomodim si dhe 55 kërkesa për mbështetje të projekt-bizneseve, prej të cilave 15 kanë marrë përgjigje pozitive, 2 janë refuzuar, ndërsa të tjerat janë në shqyrtim, ka thënë Zhivkoviq.

Në projektin e IOM-it për zhvillim ekonomik, kanë aplikuar 25 persona nga komunitetet pakicë dhe sipas, shefit të ZKK, për komunën e Gjilanit, janë miratuar 3 projekte. Edhe UNDP, në kuadër të një programi dedikuar për stabilizimin e komuniteteve, ka miratuar dy projekte individuale për komunën e Gjilanit.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se ZKK ka bërë një punë të mirë gjatë vitit të kaluar dhe e ka inkurajuar stafin e kësaj zyre që me të njëjtin përkushtim të vazhdojë punën e saj edhe gjatë këtij viti.

Ai është shprehur i kënaqur edhe me bashkëpunimin e ndërsjellë, duke kërkuar që në të ardhmen, raportet e punës të prezantohen në Komitet çdo muaj, kërkesë kjo që hasur në mirëkuptim të ZKK.

Njëherësh, Komiteti ka miratuar edhe planin e punës së ZKK për vitin 2017, të cilin po ashtu e ka paraqitur Zhivkoviq.

Përndryshe, siguria e përgjithshme në komunën e Gjilanit është vlerësuar e mirë. Rreshteri Bajram Hasani nga Policia e Kosovës ka thënë se gjendja ka qenë e qetë. Në një rast që ka ndodhur në qytet, ku viktimë ka qenë një rom, i cili ka marrë lëndime trupore, policia ka

reaguar menjëherë ka arritur të arrestojë deri tani tre persona të dyshuar dhe dy prej tyre janë në mbajtje.

Përfaqësuesi i komunitetit rom, Fadil Demiroviq ka falënderuar policinë e Kosovës, për reagimin e shpejtë në këtë rast dhe interesimin e vazhdueshëm që ka treguar ndaj viktimës, veçmas rreshterin Hasani, duke i ndihmuar atij për gjithçka që ka qenë e nevojshme.

 

You Might Also Like