OPINION

32 vjet me LDK-në, Java e Bardhë e Gjilanit!

Lutfi Haziri
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan nesër (e premte) shënon 32-vjetorin e themelimit të saj.
32 vjet më herët, burra e gra të Gjilanit u takuan për ta themeluar lëvizjen më të madhe politike të kohës, e cila bashkoi shqiptarët pa dallim, në një lidhje të përbashkët, e cila në Gjilan ishte vazhdimësi e aspiratave shekullore për liri, pavarësi dhe demokraci.
Prej sot e deri më 11 mars është Java e Bardhë e Gjilanit, ku do të ketë aktivitete në nder të kësaj historie të bujshme.
32 vjet janë të mëdha sepse në këtë rrugë populli i Gjilanit, Anamoravës dhe gjithë Kosovës, nuk është ndarë, derisa të realizohet ëndrra për të qenë të lirë dhe të pavarur. Tashmë ky është fakt. Ne jetojmë në lirinë dhe pavarësinë e Republikës që e kanë ndërtuar këto gjenerata. U jemi mirënjohës dhe gjunjëzohemi për krejt atë sakrificë të njerëzve që nuk janë gjallë.
Disa u ndan nga jeta si vullnet i Zotit, disa në kryengritje ranë dëshmorë, të tjerët ishin viktima të sulmeve, burgosjeve, maltretimeve e torturave të okupatorit dhe krejt ajo plejadë e njerëzve të ndritshëm, sot na bëjnë nder sepse i gëzojmë këto ditë të bardha.
I falënderoj të gjitha strukturat e sotme të LDK’së për punën e angazhimin e jashtëzakonshëm të cilat e kanë mbajtur dhezë dritën dhe vullnetin që LDK të vazhdoj të jetë partia e parë në Gjilan, duke betonuar besimin për Lidhjen e themeluar nga presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, i cili mbetet themeluesi edhe i Republikës dhe ikona që ka realizuar ëndrrat e kësaj popullate. Neve na mbetet që ta ndërtojmë lirinë për të gjithë, ta ndërtojmë pavarësinë dhe ta bëjmë të plotë për të gjithë dhe ta ruajmë demokracinë, që të jetë e barabartë për të gjithë.
Në kuadër të Javës së Bardhë të Gjilanit, do të hapet Kuvendi i Punës për Forumin e Rinisë e Forumin e Gruas, Kuvendi i Degës, sikur edhe shpalosja e platformës online të regjistrimit të anëtarësisë!

You Might Also Like