LAJME

Aktorët rezidentë të Teatrit të Gjilanit po i presin pagat

Aktorët deklarohen se nuk i morën pagat e qershorit, kurse zyrtarët komunalë arsyetohen se pagat janë gati por se procedurat po i pengojnë shpërndarjen e tyre.


Aktorët rezidentë të Teatrit të Gjilanit megjithëse tash konsiderohen se janë të punësuar, ata edhe pse kanë kaluar dhjetë ditë të korrikut edhe më tej nuk i kanë marrë pagat e qershorit. U mendua se u gjet zgjidhja për 12 aktorët rezidentë të Teatrit të Gjilanit, të cilët morën kontratat e punës, por si duket marrja e kontratave nuk ishte edhe zgjidhja e problemit kryesor, ajo e pagës së punëtorëve. Aktorët ankohen se pagat nuk i morën e zyrtarët komunalë arsyetohen se pagat janë gati por se procedurat po i pengojnë shpërndarjen e tyre.
Avni Shkodra, njëri prej aktorëve rezidentë, ka theksuar se ansambli i aktorëve, ndonëse kontratat i kanë nënshkruar që nga data 1 Qershor 2016, ende nuk e kanë marrë pagën e parë. Ai thotë se ata nuk janë kompensuar as për shfaqjen “lulja e Shega” e luajtur para kontratës, me premtimin se do të kompensohen nga shitja e biletave. Shkodra, që kishte luajtur rolin e  “Xha Ariut” në këtë shfaqje këtë vonesë e vlerëson të pakuptimtë. Ai thotë që problem të ketë dalë  arsyeja e procedurave që e pamundësojnë dhënien e pagave sepse fonde ka, mjetet janë, por Teatri nuk ka drejtor dhe nuk mundë të nënshkruhen pagat. Pra, duhet prit të zgjidhet drejtori i teatrit i cili do t’i nënshkruante rrogat për aktorë.
Këto probleme janë shpërfaqur edhe në rrjetet sociale e Bashkim Nexhipi, zyrtar për kulturë në Gjilan, ka sqaruar se me konkursin e ri në teatër janë pranuar 12 aktorë rezidentë, të cilët janë pjesë e trupës. Ai ka thënë se kryetari i komunës i ka nënshkruar vendimet dhe kontratat për aktorët dhe mjetet për pagat e aktorëve janë në llogari. Sipas Nexhipit, aktorët do t’i marrin pagat dhe se kjo është vetëm një vonesë procedurale. Sipas tij, është konkursi për drejtor të teatrit që i ka ngadalësuar punët, ngase shumë shpejt pritet që të zgjidhet drejtori i ri, ngase me dorëheqjen e drejtorit të mëparshëm, tashti askush nuk është i autorizuar t’i nënshkruaj në llogari bankare, andaj duhet shkuar me një procedurë tjetër, pra me komision, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.

You Might Also Like